Peter Sloterdijk: “Përpara luteshim. Sot i kemi telefonat mobil”

user3
2 0

Intervistë me Peter SloterdijkPhilosophie Magazine.

Përkthyer nga Bekim Qoku

Ndërgjegjja për një kohë të gjatë ka qenë komanduesja e veprimeve tona. Sot, thotë Peter Sloterdijk, vendin e saj e ka zënë Smartphone, pra telefoni i mençur. Në këtë bisedë, filozofi do të na shpjegojë se si erdhi deri te kjo kthesë dhe çfarë roli luan Zoti në këtë mes.

Z. Sloterdijk, Den Himmel zum Sprechen bringen (Ta bësh qiellin të flasë), nuk është libri i parë ku ju trajtoni temën e Zotit apo perëndive. Çfarë ju ngjall këtë interes, nëse do merrja të drejtën ta nis me një pyetje personale?

Peter Sloterdijk: besoj se konceptet teologjike dhe filozofike përmbajnë një indeks infeksioni në vete. Bëj pjesë tek ata persona që shkallën e infektimit nga koncepti Zot e ndjejnë goxha si shumë. Filozofët njihen përndryshe për faktin se koncepti “botë” shkakton tek ta luhatje të forta dhe bëhet pretekst për reagime të fuqishme imunitare të natyrës intelektuale. Qysh prej Heideggerit, situata njerëzore në përgjithësi përshkruhet përmes formulës me-qenë-në-botë. Kjo duket njësoj sikur me pas rënë brenda një solucioni ushqyes dhe e vetmja përgjigje për këtë të ishte një reagim i fuqishëm simbolik imunitar. Nga koncepti “botë”, ashtu krejt vetvetiu, del koncepti i “shkakut”, që në të vërtetë është emri i kamufluar i asaj çfarë ne e mendojmë si Zot. Kjo do të thotë se duhet të ketë medoemos një shkak zanafillor apo një rastësi zanafillore apo diçka tjetër fillestare, çfarëdo qoftë ajo. Këtu shpërfaqet një shtysë disi konservative, në stilin e një narracioni të madh për ta nisur me një fillim. Konstruktivistët nuk i marrin parasysh këto fillesa, andaj lundrën e tyre e ndërtojnë, si me thënë, prej materialeve që i gjejnë si copëza rrënojash që pluskojnë mbi ujë.

Ta bësh qiellin të flasë: në këtë formulim del në pah një vullnet i fortë, mbase edhe një grimë dhunë.

Peter Sloterdijk: Po, deri në njëfarë mase qiellit edhe mund t’ia falim heshtjen, por kur ai hesht për një kohë të gjatë, duhet ta bëjmë me fol. Civilizimet e përparuara të lashtësisë kishin zhvilluar gjithfarë metodash për t’i ngritur botës së përtejme gracka, vetëm e vetëm për ta detyruar me bëza. Në disa kultura, njerëzit praninë e hyjnive e kanë diktuar madje edhe nga të përbrendshmet e kurbanit të kafshëve. Objekti më mbresëlënës i këtij lloji i ruajtur në Evropë është një hartë e bronztë orakulli prej mëlçie deleje, tek e cila mund të lexohen kuptime të ndryshme të një epifanie që e pjell akti i therjes. Ky ishte një objekt kulti etrusk që u mundësonte priftërinjve të lexojnë nga mëlçia e kafshës së kurbanit si në një libër të hapur. Dikur më vonë njerëzit filluan që qiellin ta vështrojnë si një bibliotekë, i mbushur me imazhe që na flasin, si puna e yjësive apo shenjave të zodiakut: për secilën nga këto ekzistojnë rrëfenja popullore. Disa kultura tjera, më pastaj kanë zhvilluar teknika droge, me ndihmën e të cilave perënditë u detyruan të kumtojnë opinionet e tyre nëpërmjet mediumeve personale. Me një fjalë, ne perënditë nuk i kemi lënë fare rehat.

Në librin tuaj, megjithatë nuk bëhet fjalë për me fol por për me këqyr. Qielli na shfaqet edhe si një këqyrës. Ju po merreni me syrin e Zotit që vëzhgon vazhdimisht individët. Përse është fjala?

Peter Sloterdijk: Në mbretëritë e hershme, feja nuk mund të rrënjosej më vetëm përmes edukimit sipas dokeve që kishin fiset e vjetër. Njerëzve prandaj u duhej bërë disi me dije që janë nën vëzhgimin e perëndive të qiellit. Personi njerëzor mbi të cilin është praktikuar fillimisht vëzhgimi absolut është faraoni. Është menduar se hyjnitë kanë shfaqur një interesim të jashtëzakonshëm për të. Ekzistojnë shumë ilustrime që e paraqesin faraonin si të ishte gjithmonë nën dritën e vëmendjes së perëndive. Në këtë mënyrë u zhvillua fantazia për një arkiv absolut, ku dokumentohen bëmat dhe pabëmat e njerëzve të rëndësishëm, të faraonit dhe rrethit të tij, ndërsa pas demokratizimit të botës së përtejme, madje edhe të jetës individuale të gjithsecilit. Pasi t’i ketë mbaruar koha, individit do t’i gjykohet në bazë të dosjes. Ideja që kemi për Ditën e gjykimit, siç e njohim falë traditës krishtere, e gjejmë të parafiguruar si në mitet e vjetra iraniane ashtu edhe ato egjiptiane mbi gjykimin e të vdekurve. Sipas tyre, pasi të vdesin njerëzve do t’u matet zemra. Në njërën anë të peshores vihet zemra, kurse në tjetrën stivohen veprat e këqija, dhe në rast se të fundit peshojnë më shumë, zemra i jepet për ta ngrënë një përbindëshi që pret prapa gjykatës me gojën hapur. Të mirët që fitojnë pafajësinë mund të kthehen në vendvarrimin e tyre. Egjiptianët nuk njihnin njerëz të mirë, ama i njihnin mumie të mira.

Edhe Big Data është, si me thënë, një memorje e përhershme. Thua vallë teoskopia, siç e quani ju mbikëqyrjen hyjnore, është pezulluar tashmë përmes survejimeve teknologjike të ditës së sotme?

Peter Sloterdijk: Në qoftë se teknologjitë e survejimit të ditës së sotme do të zëvendësonin survejimin tradicional, atëherë fjala është për një ndërrim të paradigmës. Në kohërat e lashta njerëzit kanë bërë përpjekje për të implantuar brenda njeriut syrin e zotit. Kjo gjë ka bërë që teoskopi, pra syri absolut, të instalohet në shpirtin njerëzor në formën e ndërgjegjes. Kjo lloj teknologjie survejuese me anë të vetë-survejimit të ndërgjegjes personale duket se në ditët tona po bëhet e papërballueshme dhe përherë më shumë e rrezikshme, për arsye se njerëzit krekosen dhe fodullosen menjëherë, sapo t’u lejohet pjesëmarrja në syrin e Zotit për hir të vetë-survejimit të tyre. Një zot shpirt shkëndije nënkupton në të vërtet një lloj garnizoni, gjegjësisht një stacion policie që kujdeset për rendin dhe qetësinë e lagjes. Çdo njeri duhet ta shohë veten si një lagje e trazuar në qytetin e zotit dhe të arrijë ta kontrollojë veten. Këtë na dha versioni i lashtë evropian i një personaliteti që komandohet së brendshmi. Pra, një personalitet që kujton se zotëron një diçka të tillë si puna e të drejtave të patjetërsueshme njerëzore. Ideja për një personalitet të tillë në ditët e sotme duket se është tejet komplekse. Kinezët me teknologjinë e tyre aktuale të survejimit kanë dëshmuar se komandimi nga jashtë është në fund të fundit shumë më efikas dhe gjithashtu më i lirë, në qoftë se nuk do të marrim parasysh koston që kërkon instalimi totalitar.

Sa më lirë?

Peter Sloterdijk: Që të përftohet një njeri që komandohet nga brenda, për këtë lipset një punë 25 vjeçare. Nevojiten procese të gjata edukimi për t’u bërë i zoti i vetvetes që të mund të marrësh pjesë në shoqërinë e punës – duke pasur gjithmonë parasysh edhe rrezikun që njeriu, i cili e komandon veten nga brenda, një ditë mund të bëhej disident. Kjo është edhe arsye përse ne heqim dorë nga stacioni policor i brendshëm dhe nga i tërë luksi i ndërgjegjes; mjafton t’u japësh njerëzve një aparat Huawei në dorë. Kjo është një makinë telekomunikacioni e cila, parë nga perspektiva e përdoruesit, shërben për të mbajtur kontakte me të tjerët, por nga perspektiva e prodhuesit, ajo shërben si një tracking [gjurmues] ideal i përdoruesit. Nuk të duhet hiç më shumë për ta vendosur rendin dhe qetësinë në lagje. E thënë ndryshe, në vend të Zotit vjen një kompani telekomi që hedh dritë mbi gjithçka.

E jashtëzakonshme mbetet gatishmëria. Njerëzit këto aparate i mbajnë gjithandej me vetëdëshirë.

Peter Sloterdijk: Po, sepse i konsiderojnë si aparate komunikimi. Ata vërtet besojnë se po i përdore këto aparate, mund të bëhesh magjistar. Ata janë të bindur se mund të praktikojnë me sukses një telepati. Pasi dihet që magjitë e para ishin për nga intencioni telepatike. Çmenduria telepatike gjendet në vetë subjektin dhe në intencionalitetin e tij, dhe ai vihet në lojë sa herë që e drejtojmë shikimin drejt qiellit ose sa herë besojnë se dikush na vështron nga qielli. Të të arrijnë prej së largu apo të mund të arrish dikë që është larg, këto përfytyrime i takojnë imagjinatës magjike qysh në zanafillë. Njerëzit besojnë ndërkohë që nuk mund të jetojnë dot më pa atë organin telepatik në vesh. Përderisa në të kaluarën jemi lutur, sot e kemi telefonin mobil.

Uni religjioz, i cili këtë sy të Zotit e ndjen brenda vetes, me siguri do të ishte më i qetë në rast se atë do ta vështronte diçka nga sipër. A thua subjektet e sotme e ndjejnë të njëjtën gjë kur e dokumentojnë jetën e tyre në Instagram minutë pas minute? Mos është edhe këtu ndonjë lloj Tjetri në lojë të cilit ne i drejtohemi?

Peter Sloterdijk: Kjo vërtetohet me faktin se njerëzit nëpër kësisoj mediash e tregojnë veten pa teklif të zhveshur siç do ta tregonin ndryshe vetëm para Zotit ose para urologut. Kjo vetëm sa e mbështet hipotezën tuaj. Në përgjithësi, njeriu që vëzhgohet sillet më mirë. Veprat më të rënda kryhen përherë në zonat ku autorët fantazojnë se nuk i sheh kurrkush. Krimet kryhen pikë së pari pa dëshmitarë. Lidhja midis sjelljes së mirë dhe mbikëqyrjes është me sa duket e vjetër dhe shumë e qëndrueshme. Prandaj edhe eksperimenti “Njeriu me mbi-unin-komandues” është mirëmbajtur përmbi dy mijë vjet. Sot ne po u kthehemi, pak a shumë të dorëzuar, teknikave të komandimit të jashtëm. Dhe kësisoj kalojmë nga kultura e turpit – sepse turpi është një ndjenjë private dhe shumë e fuqishme, apo jo – në kulturën e koritjes së jashtme.

Çfarë është më saktë dallimi midis turpit dhe koritjes?

Peter Sloterdijk: Koritja shkaktohet jo si rezultat i ndjenjës së turpit, por si rezultat i një qortimi të jashtëm. Antropologët bëjnë dallimin midis kulturave të turpit dhe atyre të koritjes. Koritja është tërësisht sociale, ajo ndikohet nga jashtë, edhe pse nuk do të thotë se duhet të shkaktojnë patjetër ndonjë precipitim të brendshëm. Kjo mund të ilustrohet më së miri me individë bashkëkohës. Për shembull, po ta kujtojmë Uli Hoeness, e dimë se veprimi i tij i gabuar dhe kriminal për të cilin ai u qortua, për t’u shprehur me kujdes, tek ai nuk la asnjë gjurmë të dukshme; sepse, po t’ishte ndryshe, ai do të ishte tërhequr. Siç duket, para syve tanë po krijohen forma të reja të ekzistencës që komandohen nga jashtë, të cilat nuk janë përshkruar sa duhet në kuptimin psikologjik. Çmësimi i brendësisë sonë është një gjë që ka nisur shumë më herët. Pas 12 vjetësh do të shënojmë përvjetorin e 100-të të “Brave New World”, që doli në vitin 1932. Çmësimi i privates aty mund të studiohet në mënyrë të përsosur. Banorëve të botës së re të bukur u çmësohet në mënyrë sistematike aftësia për të ndjerë lumturi apo trishtim. Sa herë të rrok ndonjë siklet, e merr fill një tabletë Soma.  

Një pyetje të fundit: filozofi Italian Giorgio Agamben shkencën, më saktë virologjinë, e ka quajtur si religjioni i ri. I bashkoheni këtij mendimi?

Peter Sloterdijk:Me diagnozën që paraqet Agambeni, ai jep një variant të interpretimit që e kishte formuluar Emile Durkeimi në vigjilje të shekullit XX, konkretisht, që shoqëria formësohet sipas përfytyrimit të Zotit. Edhe shkenca është një organ i kësaj shoqërie të hyjnizuar. Ashtu sikurse Zoti, edhe shoqëria është e aftë të marrë fajin mbi vete, që është një variant modern i krijimit. Ajo duhet të fajësohet për gjithçka që ndodh. Pikërisht aty ajo gëzon plotfuqishmërinë e saj. Ajo do që të jetë fajtore për gjithçka.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

Listës së Vetëvendosjes i bashkohet edhe Vasfije Goodman

Sips burimeve të redaksisë së meKryeministrin.info, listës së Lëvizjes Vetëvendosje i është bashkuar Vasfije Krasniqi Goodman. Vasfija është një aktiviste e shquar për të drejtat e grave në Kosovë. Ajo u bë e njohur teksa doli publikisht dhe foli për përjetimet e saj në vitin 1999. Si duket për Lëvizjen […]