Art & Kulturë

Piktura e Basquiatit në ankand me çmim fillestar prej 40 milionë dollarësh

“Christie’s”, e cila do të shesë pikturën e Basquiatit të vitit 1982, “Guilt of Gold Teeth” në një ankand në New York më 9 nëntor

Çdo sezon ankandesh, pikturat e Jean-Michel Basquiat nxirren në shitje, dhe së bashku me to vijnë shuma të mëdha parash. Kjo vjeshtë nuk do të jetë ndryshe në këtë aspekt, me shtëpinë e ankandeve “Christie’s”, e cila do të shesë pikturën e Basquiatit të vitit 1982, “Guilt of Gold Teeth” në një ankand në New York më 9 nëntor.

Një vepër e Basquiat, të cilën artisi e realizoi kur ishte vetëm 22 vjeç, do ta ketë çmimin fillestar rreth 40 milionë dollarë, ka thënë një zëdhënës i “Christie”.

Nëse piktura arrin çmimin e parashikuar, ajo do të konsiderohet ndër veprat më të shtrenjta të Basquiat që janë shitur ndonjëherë publikisht. Vetëm shtatë vepra të Basquiat, i cili vdiq në 1988 në moshën 27-vjeçare, janë nxjerrë në ankande për më shumë se 40 milion dollarë, shumica e të cilave janë bërë në fillim të viteve ’80, gjatë epokës së karrierës së artistit që konsiderohet si vlera më e lartë për tregtarët dhe koleksionistët. Tri nga ato vepra u shitën në vitin 2021.

Një pjesë e arsyes që “The Guilt of Gold Teeth” iu dha një çmim kaq i madh është sepse i përket vetëm një grupi veprash që artisti krijoi ndërsa ishte në Modena, Itali, ndërsa ylli i tij po ngjitej me shpejtësi. Duke punuar më parë nën emrin SAMO, Basquiat u bë i njohur si “Jean-Michel Basquiat” më 1982 në Galerinë Anina Nosei të New Yorkut. Ekspozita u shit plotësisht në natën kur u hap për publikun. Një ekspozitë e ngjashme po aq e popullarizuar u hap edhe në Galerinë Bruno Bischofberger në Zürich.

Pas këtyre ekspozitave të njohura, Basquiat kishte vendosur të kishte shfaqjen e tij të dytë në galerinë e tregtarit Emilio Mazzoli në Modena. Në një profil të famshëm të “The New York Times” të vitit 1985, Basquiat kujtoi se Mazzoli i siguroi artistit tetë piktura të zbrazëta dhe priste që ato të mbusheshin me imazhet e tij të njohura vetëm gjatë një jave. Duke u ndier i shfrytëzuar, Basquiat tha: “Ishte si një fabrikë, një fabrikë e sëmurë. Unë e urreja atë”. Ekspozita u anulua dhe artisti i ndërpreu lidhjet e tij me Nosei menjëherë pas kësaj.

“The Guilt of the Gold Teeth”, një nga tetë pikturat e ciklit të tij, përmban në qendër një figurë të veshur me të zezë me një kafkë si fytyrë dhe një kapelë në kokë. Ajo krijesë i referohet Baron Samedit, i cili në Vodou të Haitit konsiderohet i lidhur me vdekjen. Piktura gjithashtu aludon lirshëm për yllin në rritje të Basquiat: fjala e shpikur “ASPURIA”, e shkruar dy herë në pjesën më të majtë të pikturës, është konsideruar një referencë ndaj fjalës italiane “aspirare”, që do të thotë “të aspirosh”.

Ana Maria Celis, drejtuese e shitjeve të artit të shekullit të 21-të në “Christie”, ka thënë në një deklaratë se piktura “përfaqëson një moment absolutisht thelbësor në karrierën e Basquiat”, dhe u bë pasi artisti po kalonte “një llogaritje kulturore me identitetin e tij si një afrikano-amerikan”.

Sipas “Christie’s”, piktura, si shumica e pikturave të tjera nga Basquiat, është mbajtur privatisht për një periudhë të gjatë. Sipas shtëpisë së ankandeve pronari i saj aktual e kishte mbajtur atë për gati një çerekshekulli. Pronari e bleu pikturën në “Sotheby’s” në New York më 1998, kur u shit për herë të fundit për vetëm 387 mijë e 500 dollarë, një çmim shumë më i ulët prej atij të parashikuar për ankand. “Në këtë treg të ashpër u kualifikua si një Pazar i mirë”, vuri në dukje gazetari i tregut të artit Judd Tully në atë kohë në “Washington Post”.

Vepra e dytë më e shitur e Basquiatit, një pikturë e kafkës 6 metra e gjatë, doli në ankand në “Christie’s” majin e kaluar nga koleksioni i bashkëthemeluesit të Valentino Giancarlo Giammetti dhe u shit për 93.1 milionë dollarë./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *