PS nuk ndalet me përgjimet/ “The Guardian zbulon skandalin e manipulimit të të dhënave në Facebook

user3
0 0

Vetëm një ditë pasi Lapsi.al publikoi lajmin e bujshëm mbi listën sekrete që Partia Socialiste ka përpiluar duke gjurmuar votuesit dhe duke zbuluar të dhëna konfidenciale të tyre, gazeta prestigjoze “The Guardian” ka publikuar një investigim të gjatë që përqëndrohet në mënyrën se si liderë të ndryshëm në vendet e botës së tretë e përdorin rrjetin social Facebook për të manipuluar dhe sulmuar qytetarët e tyre.

“The Guardian” zotëron disa dokumente që tregojnë si Facebook i ka trajtuar 30 raste mashtrimi në rrjetet sociale të kryera në 25 vende të ndryshme, mes tyre edhe Shqipëria. Hetimi tregon se si Facebook ka lejuar abuzime të mëdha në platformën e saj që të ndodhin në vendet e varfëra, të vogla dhe joperëndimore në mënyrë që t’i jepet përparësi adresimit të abuzimeve që tërheqin vëmendjen e medias në shtete si SH.B.A. apo dhe vendet e tjera të pasura. Ndërkohë në vende “irelevante” si Iraku, Mongolia, Meksika apo edhe Shqipëria, që është reshtuar me vende që kanë liderë autokratë si Afganistani apo Hondurasi, abuzimet në kuadrin politik vijojnë.

“Në mënyrë që të manipulohet debati publik, në FB janë krijuar ato që njihen si “angazhime” të rreme që i referohen pëlqimeve, komenteve, shpërndarjeve dhe reagimeve nga llogari fallco në Facebook”, shkruan Guardian.

Këto të dhëna, që mendohet se janë vetë një pjesë e vogël e mijëra shkeljeve të pazbuluara, janë bërë publike nga Sophie Zhang, një ish-eksperte e të dhënave në kompaninë Facebook. Përpara se të largohej nga detyra, Zhang dërgoi një shkresë me 7800 faqe ku përshkruheshin përpjekjet e qeverive të ndryshme që abuzonin në një shkallë të gjerë me platformën e FB për të manipuluar qytetarët e tyre.

Një ndër rastet e përmendura në artikullin e “The Guardian” është dhe ai i Shqipërisë ku thuhet se skuadra e inteligjencës së Facebook është sinjalizuar për shumë llogari të rreme të krijuara enkas për të mbështetur një lider politik në Shqipëri.

“Një hetues i inteligjencës në Facebook gjeti prova se në rrjetet sociale po prodhoheshin komente jo të vërteta nga disa individë pjesë të qeverisë shqiptare. Megjithatë Facebook nuk ndërmori asnjë veprim dhe çështja u rrëzua,” shkruan Guardian.

Agonia e 25 prillit ka përpirë politikanët e vendit që janë duke bërë përpjekje për të siguruar dëshpërimisht një mandat të radhës, në një mënyrë apo në një tjetër. Partia Socialiste duket se nuk është mjaftuar  me serinë e përgjimeve joetike dhe të paligjshme ndaj qytetarëve dhe ka marrë masa të tjera për të siguruar manipulimin dhe nënshtrimin e votuesve shqiptarë.

Pre e truqeve elektorale të PS-së duket se ka rënë edhe rrjeti më popullor social me mbi 2.8 miliardë përdorues, Facebook, i cili mbas skandalit të vitit 2016, kur agjentët rusë përdorën llogari të rreme në Facebook për të mashtruar dhe përçarë votuesit amerikanë, u zotua që do të garantonte autenticitet në diskursin politik të pothuajse çdo vendi në botë.

Burimi: The Guardian, Përktheu: Lapsi.al©

Next Post

Pandemia i bëri të pasurit më të pasur; 3.9% e individëve kanë 57% të depozitave në vend

Pandemia nxiti sjelljen kursimtare të individëve gjatë 2020-s. Depozitat u rritën me ritmet më të shpejta të viteve të fundit, por shifrat zyrtare tregojnë se rritjen më të lartë e kanë shënuar depozituesit e mëdhenj, ndërsa numri i kursimtarëve të vegjël është ulur lehtë. Të dhënat e Agjencisë së Sigurimit […]