Lajme

Raport special/Ja si u zhdukën 502 fëmijët shqiptarë në Greqi

Pse prokuroria shqiptare nuk nisi hetimet, heshtja misterioze e Tiranës zyrtare

Nga Shpëtim Zinxhirija, Athinë (shkrim i botuar në vitin 2013)

Indiferentizmi i shtetit shqiptar ka arritur kulmin, aq sa organizmi më i madh ndërkombëtar OKB-ja, i kujton herë pas herë shtetit shqiptar se në Greqi janë zhdukur në mënyrë tragjike 502 fëmijë shqiptarë të moshës nga 4-12 vjeç. Por nga ana tjetër shteti shqiptar është mjaftuar vetëm me hartimin e disa programeve të printuar në letër për mbrojtjen e fëmijëve shqiptarë jashtë truallit të tij, për të cilët sot ende nuk dihen se ku janë.

Por përsëri duke parë heshtjen e shtetit shqiptar dhe atë të Greqisë, OKB-ja para disa javësh i ka kërkuar Greqisë fillimin e hetimeve për zhdukjen masive të 502 fëmijëve shqiptarë, pasi më parë në 2009 ky vend kishte mbyllur përfundimisht këtë problem në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Athinë. Kjo u mësua nga një bisedë të bërë me drejtuesit e shtëpisë bamirëse Agia Varvaras nr. 120 në Athinë.

Nga reportazhet e bëra edhe në shtëpinë e fëmijës mësuam se një përgjegjësi kryesore në këtë drejtim mban edhe vetë shteti shqiptar, duke mos anashkaluar përfaqësinë e saj në Athinë. Në shkurt të këtij një shoqatë shqiptare në Greqi i kishte kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm në Shqipëri për të filluar hetimet rreth këtij problemi por më kot.

Greqia rihap skandalin e fëmijëve shqiptarë

Ministri grek i Drejtësisë, Haralambos Athanasiu, iu ka kërkuar para disa ditëve autoriteteve gjyqësore të hetojnë çështjen e zhdukjes së 502 fëmijëve nga Shqipëria, nga një institucion bamirës në Greqi.  Ministri kërkoi të informohet me të gjitha detajet lidhur me rastin e 502 fëmijëve romë nga Shqipëria, të cilët janë zhdukur në vitet 1998-2002 nga jetimorja Agia Varvara.

Ministri Athanasiu në letrën e tij dërguar parlamentit pas marrjes së detyrës kërkoi të informohet hollësisht për këtë çështje veçanërisht të ndjeshme, dhe ka kërkuar nga autoritetet gjyqësore të informohet, nëse është vënë në lëvizje ndonjë procedurë penale dhe në çfarë stadi ndodhet ajo.

Humbja e fëmijëve

Fëmijët, pjesa më e madhe e të cilëve i përkisnin komunitetit rom, u zhdukën pa lënë gjurmë nga qendra Agia Varvara në Athinë, gjatë viteve 1998-2002. Ministria greke e Drejtësisë ka urdhëruar fillimin e një procesi hetimor, në mënyrë që të mblidhen informacione sa më të sakta për fatin e të miturve shqiptarë.

Skandali i fëmijëve të zhdukur është rikthyer në axhendën e qeverisë greke, pas raportit të publikuar vitin e kaluar nga Komisioni kundër Torturave i OKB-së. Më pas, ka qenë deputetja e së majtës, Maria Gianakou, ajo që e ngriti këtë shqetësim në parlamentin grek. Ky komision i ka kërkuar Athinës nëse ka hapur një proces hetimi për rastin e zhdukjes së 502 nga 661 fëmijët romë nga Shqipëria, të cilët ishin strehuar në Agia Varvara.

Lexo më shumë  Rashiq: Lista Serbe nuk ishte e gatshme për votim në veri, do të ishte humbje e Vuçiqit

Më tej, komiteti i OKB-së i kërkonte Greqisë të bashkëpunonte me organet shqiptare, në mënyrë që të hidhej dritë mbi këtë çështje e të përcaktoheshin përgjegjësitë mbi zyrtarët e përfshirë në skandal. Fëmijët shqiptarë, të gjendur në rrugë dhe të strehuar më pas në dy institucione të kujdesit social në Athinë janë zhdukur në rrethana të paqarta, përgjatë viteve 1998-2002. Vetëm në vitin 2004, autoritetet greke kanë publikuar raportin për zhdukjen e tyre dhe në 2007, e gjithë dosja me dokumentet e kësaj çështjeje u është dorëzuar organeve shtetërore.

Megjithatë, asgjë nuk është bërë për të zbardhur fatin e fëmijëve romë, duke e mbajtur dosjen në sirtar. Aktualisht, ministri i Drejtësisë, Haralambos Athanasiou, ka kërkuar menjëherë prej organeve të drejtësisë të raportojnë se në çfazë gjenden hetimet, për ti dhënë kështu një përgjigje parlamentit grek. Skandalin e zhdukjes së 502 fëmijëve shqiptarë në institutin e bamirësisë Agia Varvarae zbuloi organizata ndërkombëtare Terres des Hommes në vitin 2003.

Pas publikimit të skandalit, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara është tronditur nga ky zbulim, duke dërguar në Greqi një komisioner të posaçëm. Edhe pse kanë kaluar 10 vjet, çështja mbetet e errët dhe e pazbardhur, ndërsa OKB-ja vazhdon ta rikthejë atë në axhendë në raportet e saj të përvitshme. Të dhënat e Terres des Hommes bëjnë me dije se ekzistojnë edhe shumë raste të tjera të ngjashme në Greqi, ku në 15 vitet e fundit janë futur në mënyrë të paligjshme mbi 3800 fëmijë shqiptarë, ku më shumë se 25 për qind nuk janë gjetur asnjëherë.

Komiteti kundër Torturës në OKB kërkoi urgjentisht nga Greqia që të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare, që të krijohet një mekanizëm efektiv për të hetuar këto raste, të gjenden fëmijët e zhdukur në bashkëpunim me Avokatin e Popullit të të dy shteteve dhe me organizatat relevante të shoqërisë civile, si dhe të ndahen përgjegjësitë disiplinore dhe penale të atyre që janë përfshirë në këtë skandal.

Në prill 2004 ekzistonte një raport mbi zhdukjen e rreth 500 fëmijëve romë nga Shqipëria, të cilët ishin strehuar në fondacionin “Agia Varvara”. Në vitin 2007 të gjitha dokumentet dhe informatat për këtë rast iu janë përcjellë autoriteteve. Megjithatë, që atëherë e deri sot, asnjë veprim nuk është ndërmarrë.

Lexo më shumë  Mexhiti: Gjithçka po shkon sipas planit, regjimi Ahmeti, Grubi, Osmani do të bie

Raporti i organizatës Terre des Hommes për fëmijët e humbur

Dhjetëra fëmijë shqiptarë janë zhdukur në Greqinë qendrore. Ky është një nga konkluzionet e raportit Fëmijët shqiptarë të trafikuar në Greqi i organizatës ndërkombëtare Terre des Hommes, në komisionin e të drejtave të njeriut në Këshillin e Evropës. Janë me qindra fëmijët shqiptarë që nga mosha katër vjeç të trafikuar në Greqi, ku janë shfrytëzuar ekonomikisht e seksualisht, për përfitime të të rriturve, thuhet në raportin e parashtruar në KE.

Sipas raportit, qeveritë e dy vendeve kanë bërë shumë pak në ndaljen e këtij fenomeni. Fjala e përfaqësuesve të Terre des Hommes në KE, saktëson se nuk ka kritere etnike në përzgjedhjen e fëmijëve të trafikuar. Përfitimet shkojnë të gjitha në xhepat e bosëve. Një fëmijë siguron minimumi 30-50 euro në ditë dhe të gjitha paratë ia jep padronit, thuhet në raport. Ndodh që rekrutuesi është i afërm i familjes së fëmijës së trafikuar.

Prindërit i lejojnë fëmijët për shkak të varfërisë, injorancës, por në disa raste janë të përfshirë vetë në trafik, thuhet në raport. Sakaq, vendi i destinacionit, Greqia, nuk i konsideron të vegjlit viktima, por fajtorë për kalim të paligjshëm të kufirit. Terre des Hommes apelon në Këshillin e Evropës për t´i thënë ndal këtij trafiku, nëpërmjet një bashkëpunimi të të gjitha palëve.

Heshtja e shtetit shqiptar

Shteti shqiptar në asnjë mënyrë nuk mund të veçojë fëmijët e vet, si brenda vendit ashtu edhe jashtë truallit të tij, përsa i përket mbrojtjes në aspektin ligjor. Asnjë institucion shqiptar nuk di saktë numrin e fëmijëve shqiptarë të larguar në rrugë të paligjshme drejt emigracionit (të rrëmbyer, dhënë me qera nga familja për të punuar lypës rrugësh, prostitucion etj).

Politika shqiptare kur ndeshet përballë këtij problemi social, gjithmonë ka qenë për t’i minimizuar gjërat, por faktet janë më tronditëse. Shqipëria duhet t’i kërkojë shpjegime shtetit helen përse nuk njoftohej ambasada shqiptare në Athinë, si dhe përse sot nuk është bërë e mundur akoma gjetja e tyre.

Shteti shqiptar me heshtjen e tij duket se ka ndërmend ta mbyllë këtë problem, po të njëjtën gjë po kërkon të bëjë edhe shteti fqinje. Në Shqipëri asnjë institucion përkatës nuk ka marrë rrugën drejt vendeve ku kanë emigruar fëmijët në rrugë të paligjshme, për të verifikuar se a ndodhen sot në jetë.

Rruga Press

YouTube player