Rrotacioni ose gjuha e pushtetit

User1
0 0

Shkruan Ardit Cara

Që kur fillon historia e zgjedhjeve pluraliste kemi pasur disa herë rrotacion.

91-97 Berisha, e nxorri vendin nga diktatura dhe u nis për në autoritarizëm. Krijoi një sistem mbytës nepotik dhe autoritar ku kundërshtarët disiplinoheshin nga bandat paraushtarake herë me të rrahur e herë me te vrarë.

98-05 Nano, i dha frymë më liberale vendit por, kjo liri degradoi deri në ç’thurje totale të institucioneve dhe bartësve te tyre deri tek legjitimimi i rryshfetit për këdo që punonte në shtet.

05-13 Berisha 2, e filloi me luftë kundër kriminalitetit, qeverisja me duar të pastra, u kufizua rryshfeti i vogël, por u instaluan tarifa fikse për çdo liçensë që merrej në ministri, ku shpesh përfliten si sekser femijët e tij. Me qeverisjen e tij filloi fuqizimi dhe ligjet speciale për ata që më vonë do quheshin oligark, si Taçi, Mane, Kastrati etj

13-21 Rama, erdhi në pushtet në emër të antikorrupsionit. Qeverisja e tij u karakterizua nga rritja e theksuar e kriminalitetit, kanabizimi total i vendit, futja e elementëve kriminal në kuvend, përdorimi i narkotrafikantëve për blerje votash, afera masive korrupsioni, dhënje liçensash për HEC-e duke dëmtuar rëndë natyren, dëmtim deri në shkatërrim të trashëgimisë kulturore, minishengeni dhe përfshirja në diskutimet për coptimin e Kosovës, hapja fiktive e negociatave me BE-në 7 herë, sistemi gëbelsian i kontrollit mbi mediat dhe mjetet e tjera te propagandës, shumfishimi i pasurise së ministrave dhe njerëzve afër tij, PPP, krijimi de jure i oligarkisë me ligje speciale për Fushën, koncensione speciale si Rruga e Kombit, Aeroportet… etj për Kastratin, ngulfatja e biznesit të vogël e të mesëm në favor të qëndrave tregtare të Manes, CheckUp-i i Nushit dhe shumë e shumë favore të tjera për miqt e tij grabitës të pasurisë publike.

Para zgjedhjes së seciles prej këtyre qeverive ka mbizotëruar diskursi i nevojës së rrotacionit.

Pushteti në shtete te brishta jo vetem që është edhe jashtë shtetit në kuptimin institucional, por edhe më i madh se vetëm partia në pushtet. Pushteti eshte aq total sa ngërthen brenda vetes dualitetin e diskursit partiak me qëllim mirëmbajtjen e sistemit. Prandaj kur opozita shpall shpëtimin te rrotacioni, jo vetëm që nuk e sulmon pushtetin por mundëson ripërtëritjen ciklike të tij. Edhe po ndërroi dorë, substanca e pushtetit nuk ndërron. Është i njejti sistem ekonomiko-politik, vetëm sa ndërrojnë rolet protagonistët. Prandaj rrotacioni është vete gjuha e pushtetit, që ndërron fytyrë për të mos nderruar dorën.

Gjithashtu, kur zgjedhjet janë veçse një spektakël ciklik 4 vjeçar, rrotacioni i ndihmon atrofizimit politik tç qytetarit. Qytetari e zëvendëson pjesëmarrjen në jetën politike publike me placebon e votimin cdo 4 vjet.

Fjala e dyte e pushtetit është “vota e shkuar dëm”. Edhe opozita e cila detyrën kryesore do të kishte të bindte qytetarët të mos votojnë për pozitën, sapo shfaqet një alternative, energjinë më të madhe e shpenzojnë për të bindur se nuk ia vlen ta votosh të renë. Nuk ia vlen t’i votosh ata që nuk do arrijnë sukses elektoral. Është votë e hedhur dëm. Këtu ndalon dualiteti diskursiv i pushtetit. Flasin njëlloj pozitë dhe opozitë. Kemi vetëm një zë. Zërin e frikësuar të pushtetit.

Shpresa për ta rrëzuar pushtetin 30-vjeçar do të jetë pikerisht “vota e shkuar dëm”. Vota për kandidat e parti që kanë refuzuar me vetëdije të bëhen pjesë e tij, persona që kan vetëdije politike dhe angazhim real në kauza qytetare. Vetëm masiviteti i kësaj vote e ka potencialin ta çajë koracen e fortë të dualitetit diskursiv të pushtetit, i cili në vetvete nuk përbën dialog, por monolog. Vota për subjektet e reja do ta ballafaqojë tezën e pushtetit 30-vjeçar me antitezën e tij.

Një Shqipëri krejt tjetër është e mundshme. Një Shqiperi më e drejtë, më e shëndetshme, më e arsimuar, më e ndershme në mundësi për të gjithë qytetaret e saj është e mundshme.

Potenciali për ta realizuar këtë është aty, janë vetë qytetarët, jetët e të cilëve po shkojnë dëm, por ju kerkohet të mos e çojnë voten dëm. Duhet vetëm angazhim dhe organizim. Ndoshta ky do të jetë viti kur fytyrës fodulle të pushtetit të vetëkënaqur do t’i dalë përballë në kuvend e vërteta e tij, fytyra ndoshta e vuajtur por e ndershme e qytetarit, e viktimës se tij. Fundja, viktimë je deri në momentin që rrefuzon të nënshtrohesh dhe rezistenca ndaj gjuhës së pushtetit është fillimi i rrëzimit të tij. Nga ai moment nuk ka më viktima, por vetëm përballje mes bashkepunëtorëve dhe qëndrestarëve. /Rruga Press

© Të gjitha të drejtat të rezervuara


Next Post

“Kush janë këta që janë larguar nga puna?”, zbardhet audio e takimit mes Ballukut dhe kontrollorëve në Rinas, ministrja përgojon një punonjës: Mos folni në emrin e tij, se ai po bën negociata me…

Fax News zbardh takimin që është mbajtur ndërmjet ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe 60 kontrollorëve të Albcontroll, të cilët kanë pezulluar përkohësisht punën e tyre, duke shkaktuar kaos në fluturimet dhe në uljen e avionëve. Në bisedën e siguruar ekskluzivisht nga Fax News, ministrja përmend një kontrollor […]