Sa i përdorin përdorin pagesat elektronike konsumatorët shqiptarë?

RrugaPress2
1 0
Shpërndaje

Konsumatori shqiptar po i afrohet më shumë aplikimeve elektronike për pagesat dhe transfertat që kryen. Por, pavarësisht treguesve të përmirësuar, ende mendësia për pagesa me para në dorë mbetet në kuota të larta.
Një sondazh që ka realizuar së fundmi, në qendrat kryesore tregtare në kryeqytet, grupimi studentor ABC Tirana Club ka përfshirë marrjen në pyetje të 350 qytetarëve.

Pyetjes se “a e përdorni aplikacionin virtual të bankës”, 35% ju përgjigjën pozitivisht, kurse 65% deklaruan “jo”.

Prej atyre që e përdorin aplikacionin e bankës, 42% pohuan se veprimin kryesor e bënin më shumë “për të kontrolluar në çdo kohë gjendjen e llogarisë”, kurse rreth 58% pranuan se e përdornin “për të kontrolluar në çdo kohë gjendjen e llogarisë dhe për të realizuar transferta”.

Ata që nuk e përdorin aplikacionin virtual të bankës ishin të ndarë në: rreth 48% “nuk kam njohuri”; 21 % “nuk e vlerësoj të nevojshme”; rreth 16% “nuk kam siguri nga sistemi”; rreth 2% kishin si shkak “një eksperiencë negative” dhe pjesa tjetër nuk dha përgjigje.

Advertisements

“Cilin prej veprimeve kryeni më shpesh në bankën ku jeni klient?”, ishte një pyetje tjetër e sondazhit, ku përgjigjet ishin: rreth 45% “tërheq pagën”; 24% “paguaj fatura të ndryshme nga aktiviteti i biznesit”; 15% “depozitoj në llogarinë e kursimeve”; rreth 11% “paguaj fatura për shpenzimet periodike (elektrik, ujësjellës, telefon, internet etj.)” dhe pjesa e mbetur prej rreth 5% zgjodhi alternativën “marr dërgesa parash nga të tjerët”.
Niveli i përdorimi të ATM-ve për tërheqje nga llogaria ishte pjesë e sondazhit të realizuar nga ABC Tirana Club.

“Shumë shpesh” u përgjigjën rreth 23%; “shpesh” rreth 13% dhe “mjaftueshëm” rreth 17%. Ndërkohë rreth 25% e të pyeturë pranuan se “shumë rrallë” kishin përdorur ATM-të për tërheqje nga llogaria, kurse rreth 21% u përgjigjën se “asnjëherë” nuk kishin bërë këtë veprim.

Për ngarkimin e llogarisë përmes ATM-së nga përgjigjet kuptohej se nga qytetarët në pjesën më të madhe qëndrohej larg. Konkretisht, rreth 76% pranuan “asnjëherë”, kurse rreth 15% thanë “shumë shpesh” dhe 4% “shpesh”.
Pyetjes “Mendoni se përdorimi i kartave bankare cënon dhe privatësinë e klientit?” rreth 70% ju përgjigj “jo”, kurse pjesa tjetër dyshuese u nda në rreth 17%, që u përgjigj “po” dhe rreth 13% që refuzoi të përgjigjej.

Edukimi bankar, një nga sfidat për personelin e tyre
Lidhur me njohuritë e klientëve mbi pagesat elektronike, ata pohuan se rreth 22% i kanë përfituar më shumë nga “komunikimi me personelin e bankave”; po kaq ishte dhe alternativa tjetër “nga informacionet në media”.

Megjithatë pjesa më e madhe pranuan se “nuk kam fare njohuri” (rreth 45%).
Sondazhi u organizua në gjysmën e dytë të muajit maj dhe gjetjet e plota të tij do të prezantohen në një forum diskutimi që pritet të zhvillohet javën e ardhshme në fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Sondazhi është pjesë projektit studentor “Apliko pagesën elektronike”, që është edicioni i tretë i programit mbi edukimin ekonomik dhe financiar të Publikut.

Dy edicionet e para të këtij programi studentor janë zhvilluar, njëri në vitin 2019 (titulluar “Shit dhe bli vetëm në monedhën kombëtare, Lek”), dhe tjetri në vitin 2020 (titulluar “DeCash-izim vs informalitet”).

“Apliko pagesën elektronike” ka filluar prej 15 prillit 2021 dhe ka si pritmëri, nxitjen e publikut që të informohet dhe ndërgjegjësohet për nevojën e aplikimit të pagesave elektronike; prezantimin e efekteve pozitive dhe ndikimin në jetën e tyre të përditshme, por dhe impaktin në zhvillimin ekonomik, financiar të vendit etj; nxitjen e ekspertëve të fushës të jenë aktivë për gjenerimin e diskutimit dhe qarkullimit të ideve dhe pikëpamjeve mbi temën; nxitjen e institucioneve dhe agjencive publike e private, Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, Bankën Qendrore, Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare, bankat e nivelit të dytë, Shoqatën Shqiptare të Bankave, qarqet universitare dhe akademike, shoqatat e konsumatorëve etj., që të intensifikojnë fushatat e informimit dhe edukimit në këto aspekte etj.

Për programin studentor mbi edukimin ekonomik dhe financiar të publikut ABC Tirana Club po bashkëpunon me Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, si dhe po mbështetet nga Raiffeisen Invest./exit/

Next Post

Papa Françesku refuzon dorëheqjen e kryepeshkopit të Mynihut

ShpërndajePapa Françesku ka refuzuar të pranojë dorëheqjen e kryepeshkopit të Mynihut për keqmenaxhimin që i është bërë nga Kisha rasteve të abuzimeve seksuale. Kardinali gjerman Reinhard Marx dha dorëheqjen javën e kaluar për shkak të “dështimit” të Kishës Katolike Gjermane për t’u marrë me “katastrofën e abuzimeve seksuale”. Kryepeshkopi shprehej në letrën […]