Safete Juka shqiptarja që i dedikoi jetën Kombit

RrugaPress2
0 0

E pabujshmja Safete Juka, kjo Dora D’Istria e dytë shqiptare

Nga Moikom Zeqo

Mbylli sytë dhe u shua në heshtje, larg bujave retorike të mediave një dijetare e klasit të parë, një shqiptare e madhe, një njeri i jashtëzakonshëm, Safete Sofia Juka. Kam vite që njihesha me të, ruaj një korrespondencë në vite midis nesh, kemi shkëmbyer librat me njëri-tjetrin, kemi folur në telefon. E kam njohur për herë të parë në vitin 1998, gjatë një vizite në zyrën time në Muzeun Historik Kombëtar bashkë me të motrën e saj Lume Jukën, murgeshë e Urdhrit të Nënë Terezës.

Në të vërtetë, unë kisha shkruar vite më parë një shkrim të shkurtër informativ për Safete Jukën. Duke studiuar, kisha parë në optikën e hulumtimeve disa shkrime të saj që lidheshin me historinë e artit, kryesisht të rrafsheve të letërsisë, arteve pamore, mitologjisë dhe të krishterimit. Njëkohësisht edhe miku im, akademiku nga Prishtina Rexhep Smaili, kishte botuar një skicë të vogël për të ndjerën Juka.
Kur më ra në dorë për herë të parë një libër i saj për Kosovën, më bëri një përshtypje të befasishme, u interesova, po informacioni im për të nuk ishte i plotë. Libri ishte një apologji shkencore me akribi të qartë të çështjes kombëtare shqiptare dhe dimensioni tragjik i Kosovës, si një motiv substancial i krejt Evropës.
Cila ishte Safete Juka

Safete Juka, është e bija e Musa dhe Sofie Jukës, familje e njohur në Shqipëri. Ajo që herët, tregoi një inteligjencë të rrallë, prirjet e saj, lidheshin me artin, njëkohësisht ajo që e vogël vizatonte dhe interesohej për ngjyrat. Të larguar shumë vite më parë nga Shqipëria, ajo shkollohet në Vjenë të Austrisë. Pastaj doktorohet në Sorbonë të Parisit në Francë. Pas doktoraturës, ndjek familjen në Egjipt dhe punon për shumë vite si profesore e letërsisë franceze në Liceun Francez të Aleksandrisë. Njihet nga rrethet intelektuale, njeh kulturat e mëdha të botës, qytetërimin egjiptian, atë greko-romak, dashurohet pafundësisht me universin e imazheve. Delikate dhe e ndjeshme, e urtë dhe e heshtur, është tepër e ndrojtur për të afirmuar emrin e vet ndonëse piktura ushtron mbi të një pasion dhe magnetizëm të madh.

Safete Musa Juka, Foto Marubi 1937

Piktorja e luleve

Njihet me piktorë francezë, por edhe egjiptianë në Aleksandri, të cilët e nxisin që të marrë pjesë në një ekspozitë pikture. Kjo ekspozitë publike qe tepër inkurajuese. Në shtypin profesional kritik dhe artistik të Aleksandrisë atë e mbiquajtën “Piktorja e Luleve”. Kjo për arsye se flora dhe bota lulore e kishte përpirë, nga gishtat e saj ravijëzoheshin lule të ndritshme, si të ishin duart mitike të Midias. Vite më pas, ajo do të shkojë në SHBA. Do të punojë si profesore e letërsisë evropiane në Universitetin e Pensilvanisë. E bigëzuar mes letërsisë dhe pikturës, ndrojtja e saj e bën atë akoma më ngurruese.
Por tundimi i artit nuk e linte të qetë. Në Pensilvani, ajo përuroi dy ekspozita arti: njërën me piktura, me akuarel, me shije të hollë dhe delikate, me vizione gati të tejdukshme dhe herë-herë flu, si dhe një ekspozitë tjetër me punime qeramike, me simbolizëm të çuditshëm të terakotave, të figurave kreative të baltës së pjekur. Sinqerisht, këto të dhëna unë i di vetëm prej shtypit, sepse në Shqipëri nuk dihet asgjë pothuaj për këtë artiste të arteve figurative, që padyshim duhej të studiohej dhe të zërë vendin që i takon në një enciklopedi të artit shqiptar, si një nga femrat e pakta, krejt të rralla, krejt të veçanta që i kushtuan jetën arteve figurative, arte të cilat janë provë e vështirë, herë-herë e pakapërcyeshme për intelektin njerëzor. Por Safete Juka e posedonte dhuntinë e lindur dhe të kultivuar për artet figurative.

Studiuesja e pakrahasueshme

Kështu, ajo imazhet e ngjyrave kërkon t’i abstragojë dhe t’i sendërtojë në shkrim grafik, në esse të mrekullueshme, në studimet analitike dhe sintetike për artin. Kjo e ngre Jukën në një rrafsh të kulturologjisë dhe të antropologjisë artistike, ku imazhinizmi, kriticizmi estetik ndërthuren për të krijuar ide të larta, të hijshme, të çuditshme, referuese. Si analiste e talentuar e kulturës së njerëzimit në përgjithësi, ajo u specializua në mënyrë të veçantë si njohëse e thellë e letërsisë dhe artit francez. Ajo boton në revista prestigjioze franceze, evropiane dhe botërore, shkrime, të cilat ravijëzohen në formën e njësive monografike. Do të përmend këtu një studim të saj të mrekullueshëm për piktorin francez Zhurzh Ruo që Juka e quan “piktori i shpirtrave” në revistën “Realites”. Ky studim që merret me stilin përrallor, të vetmuar dhe të habitshëm të Ruosë, ka mbetur si një optikë referimi për këtë artist të madh francez dhe botëror.

Magjia e mitologjisë dhe iliro-shqiptarët

Një tjetër studim i saj, quhet “Miti i moshës së artë, miti i kujtesës së Mirce Eliadës”, botuar në “Ecrit de Paris”.
E ndjera Juka, ma ka dhuruar revistën ku e ka botuar këtë studim. Mircea Eliade mbetet mjeshtri i mitologjisë, zbulimtari i madh i formulave arketipale të mitologjisë botërore, më i njohur dhe më i dashur për mua. Eliade ka bërë një epokë të madhe në horizontin e mitologjive të krahasuara, ai revolucionarizoi shumë koncepte për ta shkencëzuar mitologjinë, për ta bërë një shpjeguese të sigurtë të njohurive dhe të përvojave të njerëzimit, për ta ridimensionuar vetë historinë e qytetërimeve botërore edhe nëpërmjet dimensionit të mitologjisë. Kisha lexuar librat me kujtime të Mirce Eliades, duke kërkuar me ngulm që të gjeja në këto libra diçka edhe për mitologjinë ilire dhe shqiptare. Vetë unë kam botuar dy libra për mitologjinë “Aspekte të mitologjisë ilire” (në shqip dhe në frëngjisht), si dhe librin “Panteoni ilir”. Këto dy libra unë ia dhurova doktore Safete Jukës, në shkëmbim të revistës, ku kishte botuar studimin e saj për Eliadën.
Për herë të parë, Safete Jukën unë e takova në Tiranë dhe një nga bisedat më pikante, më të ndërthurura, gati të stilit barok, qe pikërisht për Mircea Eliadën, konkretisht për atë që quhet në mitologji “mosha e artë”, që përbën mitrën konceptuale, nga rrjedhin, pllenohen, rindërtohen, ribëhen, lindin apo zhduken, mitet kryesore arketipale.
E habitshme është që e ndjera Juka, që kishte studiuar tërë veprën voluminoze dhe enciklopedike të Eliadës, dinte hollësira, motive të subjektuara, që i riprodhonte direkt në frëngjisht, sepse posedonte një kujtesë të mahnitshme. Ajo m’u shpreh mua se veprat kreative dhe shkencore e Eliades, është një matricë studimore e domosdoshme dhe e dobishme edhe për mitologjinë ilire dhe shqiptare, pa harruar këtu tërë fondin e folkloristikës, të legjendave, miteve dhe të përrallave shqiptare, që mbijeton akoma, por sidomos të dhënat informative, të sakta dhe krejt të pazëvendësueshme të monumenteve arkeologjike, të cilat unë me modesti i kisha shfrytëzuar në botimin e dy librave të mi për mitologjinë.

Diskutuam me të për dy hyjnitë ilire, Medaurin, hyun e luftës tek Ilirët dhe Redonin, hyun e detrave, si një dyshe dioskure e thelbit të mitologjisë ilire, mitologji origjinale, ndërmjet dy mitologjive të mëdha, asaj greke dhe asaj romake. Juka qe e mendimit se mitologjia romake ka reflektuar mitologjinë greke me disa elementë origjinalë, që lidheshin edhe me praninë e ilirëve në Gadishullin Apenin, kurse për mitologjinë ilire është folur mjerisht shumë pak, përveç disa studiuesve mitologë gjermanë të qarkut të Vjenës, shkencëtarët e tjerë mitologë nuk kanë treguar interesin e duhur. Më vjen sinqerisht shumë keq që nuk kam mbajtur shënime gjatë bisedave për këtë, mbi subjektet e kësaj teme, sepse vërtet njohuritë e saj qenë të pakufishme.
Koha e pahumbur e Safete Jukës

Një tjetër studim, i çuditshëm lidhet me veprën e Marsel Prustit. Quhet “Vetja (Uni) në veprën e Marsel Prustit”. Ky studim rreket të analizojë hollësira gati të padukshme, tejet të vështira të përcaktimit në fund të fundit të rolit të shkrimtarit Marsel Prust, si kryepersonazh i vetvetes dhe i krejt vetes së vet. Librat e Prustit të përfshirë në një titull intrigues dhe filozofik “Në kërkim të kohës së humbur”, kanë bërë epokë dhe konsiderohen si një nga rinovimet më të mëdha të letërsisë moderne bashkëkohore të shekullit XX. Prusti, Xhojsi dhe Kafka përbëjnë një trinitet letrar të ndryshimit esencial të shprehjeve gjuhësore të letërsisë, të gjetjeve të kuptimshmërive të pafundme dhe fuqizuese të artit letrar. Nuk di deri më sot asnjë eseist, asnjë studiues shqiptar, asnjë njeri të letrave shqipe, që të ketë shkruar një studim, apo një esse për Marsel Prustin. Për fat të keq, vepra e Prustit njihet shumë pak, ose aspak në Shqipëri, madje edhe nga ata që quhen si shkrimtarët mite të kombit tonë. E pra, Safete Juka është e vetmja shqiptare që ka mundur të realizojë një studim të tillë. Do të përmendja edhe disa studime të tjera si “Njerëzorja dhe abstraktja në ujëdhezat e Zhan Greniesë” botuar në “Review de Metaphisique”.
Një tjetër shkrim plotësues është edhe “Krishterimi dhe ndjenja e natyrës e Andrea Suaarezit dhe Zhurzh Ruoit”. Ky informacion i imi është i mangët. Unë mund të flas vetëm për ato që di. Unë mund të flas vetëm për ato pak revista dhe shkrime të kseroksuara që ka dhuruar vetë autorja. Po sa studime të tilla flenë në bibliografinë e revistave amerikane dhe evropiane, apo ndodhen në arkivin e vetë kësaj shqiptareje të ditur? Ne nuk i dimë numrin e pikturave të saj, nuk kemi dijeni nëse ruhen të fotografuara shumë nga këto punime, ne vetëm mundemi të marrim me mend diçka të ndritshme dhe të paharruar nga kjo krijimtari. Por duke gjykuar nga studimet e saj për pikturën si edhe për letërsinë, mund të kuptojmë një pozicion estetik të lartë dhe një shije të përzgjedhur.

Le të më lejohet që të bëj të ditur para lexuesit edhe një fakt që lidhet me një ekspozitën time të pikturës që unë përurova para disa vitesh në Tiranë. E ndjera Juka, i pa disa nga pikturat e mia në zyrën time, në Muzeun Historik Kombëtar, që ishin pa korniza. Ajo kur u kthye në Nju-Jork, më dërgoi mua një çek prej 300 dollarësh, për të realizuar bërjen e këtyre kornizave. Diçka fisnike dhe altruiste, të cilën unë nuk mund ta harroj dot kurrë. Por ajo më porosiste në letër që në asnjë mënyrë nuk duhej ta përmendja këtë fakt të tjerëve. Tani pas vdekjes së saj, ndoshta më lejohet që ta përmend pa e lënduar modestinë e saj të jashtëzakonshme.

Emblema kombëtare e Kosovës

Në vitin 1982, organizohet në Amerikë një konferencë shkencore për Kosovën. Safete Juka qe një ideatore e kësaj konference, sepse çështja e Kosovës qe një çështje thelbësore për të. Në vitin 1984, ajo botoi në anglisht librin për Kosovën i cili bëri një përshtypje të madhe në qarqet ndërkombëtare të diplomacisë. Në të vërtetë ky libër për Kosovën në anglisht ishte përkthimi i një libri të intelektualit hebre nga Vjena, të quajtur Leo Frojdndlih, botuar në vitin 1913, një libër që mund të quhet një klithmë prej orakulli. Leo Frojdndlih, e shkroi librin e tij për shqiptarët në 1913, duke i paraprirë kështu Holokaustit që gjermanët bënë mbi hebrenjtë 20 e ca vjet më vonë, duke treguar se parathënia e kësaj katrahure qe Holokausti i shqiptarëve nga serbët, pikërisht në vitin 1913. Mund të thuhet se shovinizmi serb i parapriu dhe u bë model i programeve të shfarosjes së nazistëve. Leo Frojdndlih ka qenë shkrimtar dhe gazetar si edhe botues.

Dimë se ai ka patur marrëdhënie me shqiptarët. Në kujtimet e tij, Skënder Luarasi flet për takimet e tij me të. Safete Sofia Juka më ka treguar në bisedë se e kishte njohur dhe takuar shumë herë Leo Frojdndlih kur ajo banonte dhe studionte në Vjenë. Libri i këtij intelektuali të guximshëm kishte një titull të tmerrshëm “Golgota shqiptare”. Për shumë vite, nuk u fol për këtë libër. Më në fund, duke kërkuar në arkivin e Universitetit të Harvardit Juka e gjeti të vetmen kopje të fundit që kishte mbetur nga libri i Leo Frojdndlih dhe e përktheu në anglisht. Në 1992, Juka dorëshkrimin e saj në anglisht ia dërgoi një shtëpie të vogël botuese në Hamburg të Gjermanisë të drejtuar nga intelektuali gjerman Han Peter Rrullman.

Ajo që është e çuditshme është se Rrullman vendosi ta botonte librin në tre gjuhë, ta riprodhonte tekstin origjinal në gjermanisht, ta botonte në gjuhën kroate (përkthimi i dijetarit kroat dr. Steve Tomkin, që jetonte dhe s’ka ca kohë që vdiq në Kanada, së bashku me dr. S.Leban, mjek kroat nga Bosnja) si dhe në anglisht (përkthimi i Jukës). Në 1995, shtëpia botuese Lilo në Tiranë, e përktheu librin “Golgota Shqiptare” dhe e botoi në shqip. Ky libër është një parandjenjë dhe një argument për fatin e kombit shqiptar, është përmendur nga shumë dijetarë dhe politikanë të Evropës dhe të Amerikës duke mos harruar këtu edhe nobelistin, intelektualin e madh hebre Elie Vizel.
Ky libër për të cilin u kujdes Safete Juka, u botua 15 vjet më parë sesa të mbahej konferenca ndërkombëtare e Rambujesë, që qe në të vërtetë kalimi drejt lirisë substanciale të Kosovës. Një nga profesorët e dëgjuar të universitetit Xhorxhtaun, në Uashington D.C., z.Peter Titonski, njëkohësisht edhe nën-presidenti i revistës “Defence Diplomacy” (ka shkruar për këtë libër: “Libër i mrekullueshëm për shqiptarët në Jugosllavi me titull “Kosova më ka bërë një impresion të thellë. Ky libër më ka lënë të mahnitur si nga hapësira e gjerë e njohurive historike, ashtu edhe nga materiali burimore aq të shumta në gjithfarë gjuhësh që ka përdorur autorja e këtij libri. Unë e konsideroj këtë libër si një kontribut kryesor të politikës dhe historisë në Ballkan. Asnjë studiues nuk mundet dot të shkruajë për Kosovën, pa iu referuar kësaj vepre të shkëlqyer”. Një kopje të këtij libri, Safete Juka ia dërgoi presidentit të SHBA-ve Bill Klinton, i cili në 1998 do ta falënderonte me një letër personale të tij. Po kështu, ky libër i dërgohet senatorit amerikan Bob Doll, si edhe shumë personaliteteve të ndryshme botërore si edhe organizatave të ndryshme humanitare dhe shkencore në Amerikë dhe në Evropë.

Letra e fundit
Dy letrat e fundit gjatë vitit 2005 (në këtë vit ajo vdiq ) që i dërgova të nderuarës Juka mbetën pa përgjigje. Në një bisedë telefonike ajo më tha se kishte qenë e sëmurë dhe do t’i nënshtrohej një operacioni. Ndjenja në vetvete një shqetësim. Kisha shpresë se ajo do të përmirësohej, nuk doja kurrsesi që të bindesha se ajo do të vdiste. Pranë në shtratin e vdekjes i qëndroi e motra, e shenjta dhe e përkorja, murgesha Lume Juka. Në 15 nëntor 2005 nga Nju-Jorku e motra më shkruan këtë letër:

“I ndershmi dhe i dashtuni dr.Moikom!”
Po ju drejtohem kështu sepse, në këtë rast pikëllimi dhe trishtimi në pafund, e ndjej veten shumë pranë Jush. Nëse motrën teme e kanë vlerësue shumë njerëz, Ju ia keni dëshirue të mirën, i keni vue në dukje cilësitë e saja dhe sidomos ia keni kuptue “esencën e shpirtit të saj”. Për këtë, Ju jam thellësisht mirënjohëse, ju ndiej pranë e prania Juaj më ngushëllon.
Motra e Safete Sofia Juka
Lule Juka.
P.S. Oh! Sa mangut pa motrën. Jeta m’asht errësue pa kët’ njeri të mrekullueshëm. L.J.”

Para disa ditësh, në mbrëmje vonë më merr në telefon nga Shkodra e motra e Safetes, më kumton se sipas dëshirës së paepur dhe të patjetërsueshme të së ndjerës, trupi i saj u varros në Shkodër. E motra më thotë se në adresën time në Muzeun Historik Kombëtar kishte dërguar një pliko me shkrime, letra të dr.Safete Sofia Jukës, pliko të cilën unë e mora shumë ditë pas vdekjes dhe varrosjes së saj. E ndjej veten keq dhe gati fajtor që nuk qeshë në dijeni dhe nuk mora pjesë në ceremonialin mortor të Safetes Jukës, që unë e kam mbiquajtur jo thjesht për një analogji historike apo analogjike si Dora d’Istria e Dytë.
Gjatë takimeve të mia me të, disa herë shpreha dëshirën që të dilja bashkë në fotografi. Një ditë isha bashkë me vajzën time, Arnisën, që studionte në Universitetin e Amsterdamit për Histori arti dhe që u miqësua me mjeshtren e pakrahasueshme të historisë së Artit Safete Jukën. Këtë takim ajo ma përmend në letrat që më ka dërguar. Por ishte parimi i saj, i modestisë së pakrahasueshme që të mbetej në heshtje dhe kurrë nuk pranoi të më dërgonte një fotografi, apo të bënim së toku një fotografi, as edhe më të tjerët. Më në fund, në plikon finale (O Zot, nuk do të më vijë më letra prej saj!) unë gjeta fotografinë me ngjyra të Safete Sofie Jukës në momentin e doktorimit të saj në Universitetin e Sorbonës. Është një kopsht të lulëzuar bukur dhe e thjeshtë, krejtësisht e re, pra pafundësisht e paplakur dot. Studimi i saj i fundit që më dërgonte, qe “Disa shënime në lidhje me origjinën e emrit Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë”.
Ky studim është botuar në East Europian Quarterly (XX, no.1 March 1986). Mitropoliti i Korçës, Imzot Joan Pelushi, një nga eruditët e shquar të Shqipërisë dhe intelektual i veçantë e ka përkthyer këtë studim nga anglishtja në shqip, për ta botuar. Ruaj një letër të Safete Sofie Jukës të lënë përgjysëm “për të ndershmin Imzot Pelushin”. letër të cilën ajo nuk e ka përfunduar dot, ku flet për disa saktësime të përkthimit.

Shqiptarja e madhe

… Mbylli sytë para 15 viteve një shqiptare e madhe. E pabesueshme është që figura të tilla lihen në heshtje nga mediat, e tmerrshme është dhe e lemerishme që femrat VIP-a, krejtësisht të pakulturuara dhe pa kontribut intelektual janë të zhurmshme dhe shpesh substanca e këtyre mediave. Nuk dua të bëj një kriticizëm të kotë, as një paraqitje ekstravagante të mendimit tim. Dua të theksoj dhimbjen time vetjake, dhimbjen e të gjithë shqiptarëve të vërtetë për këtë shqiptare të pazakontë. Vite më parë i kam dërguar një letër Presidentit të Republikës për mundësinë e dekorimit të Safete Sofie Jukës. Ajo meriton titullin “Nderi i Kombit”, meriton të njihet dhe të nderohet qoftë edhe pas vdekjes së saj, e cila “është një jetë e dytë shpirtërore dhe intelektuale, pa përmasa dhe e pafund, ndoshta jeta e saj më e vërtetë dhe më e amshuar”.


SPECIALE:

Next Post

Bogujevci: Duhet të rishikohet çështja e adresimit të personave të pagjetur karshi dialogut

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka thënë se duhet të rishikohet çështja e adresimit të personave të pagjetur në dialogun me Serbinë. “Thirremi si Komision në trajtimin direkt të çështjes së personave të pagjetur. Janë disa elemente duhet të rishikohet çështja e adresimit të personave të pagjetur karshi dialogut. […]