KryesoreOpinion/Aktualitet

Sekretariati i “tërheq” veshin Shqipërisë për naftën: Dështuat për të katërtin vit

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë i ka tërhequr vëmendjen Shqipërisë sa u takon rezervave të sigurisë së naftës, ligj i cili ka mbetur pa u miratuar prej të paktën katër vitesh.

Në një dokument përmbledhës mbi ecurinë e sektorit të hidrokarbureve, Sekretariati sjell në vëmendje ecurinë e aktivitetit të nxjerrjes, ku janë disa kontrata aktive, si dhe krijimin e rezervës së sigurisë. Sa i takon së parës, dokumenti nënvizon se kompani të ndryshme kanë pasur qasje të ndryshme në vitin e pandemisë. Kështu Shell Upstream Albania ka pasur aktivitet në limituar në Blloqet 2 , 3 dhe 4.

Kompania italiane Eni, e cila nënshkroi një marrëveshje hidrokarbure për Bllokun e Dumresë, nuk zhvilloi ndonjë aktivitet të eksplorimit.

Bankers Petroleum, pavarësisht situatës së pandemisë dhe uljes së theksuar të çmimeve të naftës bruto, arriti të prodhojë 674.2 tonë, me rënie 44% krahasuar me 2019. Konsumi ra gjithashtu me 20%. Sekretariati përpos gjithë zhvillimeve, në bilancin e sektorit nënvizon edhe faktin që Shqipëria nuk ka ndonjë tubacion të dedikuar për këtë sektor.

Lexo më shumë  Sveçla: Dejan Jankoviq është dërguar në paraburgim për 48 orë

Sekretariati thekson se sistemi aktual emergjencës i rezervave të naftës në Shqipëri i është ngarkuar industrisë së naftës e cila duhet të ketë të ndarë sasi të nevojshme sa konsumi mesatar i të paktën 90 ditëve.

“Për të katërtin vit radhazi, Shqipëria nuk miratoi projektligjin për ngritjen, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe produkteve të naftës Projektligji vazhdoi të diskutohej nga palët e interesuara, por asnjë progres nuk u arrit gjatë krahasimit të dy raportimeve të fundit. Sistemi aktual i mbajtjes së stokut të naftës nuk është në përputhje me Direktivën 2009/119/EC” nënvizon sekretariati.

Qeveria shqiptare në vitin 2019 hodhi për konsultim një projektligj që parashikonte pjesën e rezervave të sigurisë dhe ndryshimin e regjimit në raport me atë që aplikohet sot. Sipas shpjegimit të bërë në atë kohë në projektligj, këto rezerva janë sasitë e rezervave të naftës dhe nënprodukteve të saj të krijuara, për të siguruar një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit të Republikës së Shqipërisë dhe për të përmbushur detyrimet e marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare. Ato mund të përdoren në kohë krizash prodhimi apo lufte.

Lexo më shumë  Konjufca: Krimet e Serbisë nuk harrohen, Kosova s’do rresht për drejtësi

I njëjti draft parashikonte se krijimi dhe mbajtja e rezervës së sigurisë do të ndahet mes industrisë dhe një enti publik. Ky i fundit do të ketë edhe shumicën e kësaj rezerve të paktën 60 ditë mesatare shitjeje, kurse kompanitë dhe rafineritë 30 ditë mesatare shitjeje. Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë të Naftës është institucioni i ri që do të krijohej në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo e fundit do të funksionojë me vetëfinancim përmes një tarife që do të mblidhet në çdo një litër karburant tek rafineritë dhe shoqëritë e shumicës.

Pikërisht tarifa për agjencinë dhe mënyra si ishte konceptuar mbajtja e rezervës u kundërshtuan fort në atë kohë nga industria pasi sipas tyre rriste kostot e për rrjedhojë kjo do të përçohej edhe tek çmimi final.

Monitor.al

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *