Sektori i turizmit në Durrës me sy nga sezoni dhe vaksina

RrugaPress2
0 0

Mijëra sipërmarrje turistike falimentuan në Durrës gjatë vitit që shkoi për shkak të pandemisë së COVID-19, ndërsa ekspertët theksojnë se e vetmja shpresë për ta rimëkëmbur industrinë këtë vit lidhet me vaksinimin në masë të popullsisë.

Bregdeti të dielën ishte i zymtë. Reshjet e një nate më parë dhe ulja e temperaturave i kanë mbajtur banorët larg plazhit. Por Albana me të shoqin kanë ardhur si zakonisht nga Prishtina për t’iu gëzuar fundjavës dhe moti nuk i shqetëson.

“E kishim andërr një shtëpi në bregdet dhe sa herë duam të pushojmë vijmë në Durrës,” thotë ajo, duke treguar me dorë ballkonin e shtëpisë së saj në një nga pallatet e radhës së parë përballë bregut.

“Nuk ka rëndësi se si është moti. Ndjehemi mirë,” shtoi ajo.

Ndryshe nga Albana, Fetah Morina nuk ka ardhur në Durrës për të pushuar.  Ai ka udhëtuar nga Tetova për të kërkuar një lokal, ku të ushtrojë biznesin e prodhimit dhe tregtimit të ëmbëlsirave në plazhin e Durrësit.

“Nuk qe e vështirë të gjeja një në rrugën kryesore “Pavarësia”, ngaqë pjesa më e madhe e dyqaneve janë braktisur nga përdoruesit për shkak të pandemisë,” thotë Fetahu për BIRN.

Por ai ka bindjen se këtë verë situata do të ndryshojë.

“Shumë njerëz kanë frikë të ndërmarrin një biznes turistik në Durrës pas asaj që ndodhi vjet, por unë mendoj se pas këtij tensioni njëvjeçar njerëzit kanë nevojë më tepër se kurrë të pushojnë,” shton Fetahu, ndërsa përpiqet të sistemojë hapësirat e dyqanit që ka zgjedhur, në sektorin “Apollonia” të plazhit.

Por janë shumë më tepër ata që nuk guxojnë të rifillojnë një ndërmarrje turistike në Durrës, pas asaj që ndodhi vitin e kaluar, kur mbi 1,200 biznese të llojeve të ndryshme mbyllën dyert dhe shpallën falimentimin.

Edhe familjet e shumta që sigurojnë të ardhurat vjetore, duke ofruar dhoma dhe apartamente me qira gjatë verës, vazhdojnë të jenë të shokuar.

“Nuk bëjmë dot asnjë riparim në banesa për dy arsye: nuk kemi para dhe po ashtu nuk kemi asnjë siguri se gjatë kësaj vere do të na vijë trokasë dikush në derë,” thotë i pezmatuar Agron Rako.

Restorant i mbyllur në plazhin e Durrësit | Foto : Gëzim Kabashi

Banor i hershëm i plazhit, me shtëpi menjëherë pas rrugës automobilistike në sektorin “Hekurudha” ai shton se u detyruan ti ulin çmimet ditore në 8 euro për dhomë, gjë që sipas Agronit nuk kishte ndodhur kurrë.

Biznesi familjar i këtij lloji vijon të mos jetë i regjistruar, por njëlloj si bizneset e vogla e të mesme edhe ai e ka ndjerë rëndë bllokimin e stinës së fundit turistike.

“Nga 12,000 biznese gjithsej në qarkun e Durrësit, megjithë përpjekjet për të përballuar situatën e rëndë të krijuar nga pandemia rreth 10 përqind e totalit falimentuan,” thotë për BIRN, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Alban Isteri, ndërsa numri i të punësuarve në këtë sektor nuk i kaloi 40 përqind të vitit paraardhës. Durrësi u përball brenda pak muajsh me pasojat e tërmetit dhe me ato të pandemisë, së shkaktuar nga virusi COVID-19.

Industria e ndërtimit dhe sistemi shëndetësor privat janë të vetmit sektorë, të cilët e kanë rritur volumin e veprimtarisë, ndërsa turizmi vazhdon të ndjejë pasojat e goditjes që morri vitin e kaluar.

Vasili, një sipërmarrës në plazhin e Durrësit, e quan vehten me fat që e ndryshoi tre vjet më parë destinacionin e biznesit të tij, duke krijuar një agjenci funerale.

“Në restorantin tim numri i klientëve ishte i kufizuar,” thotë ai, ndërsa pohon se ngarkesa e agjencisë që drejton ka ardhur duke u rritur.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë po monitoron me kujdes problematikat e menaxhimit turistik, jo vetëm në vijën bregdetare prej 62 km të bashkisë së Durrësit, por edhe në zonat e Krujës dhe Shijakut, ku vlerat e turizmit historik ndërthuren me ato të turizmit kodrinor dhe malor.

Në plazhin më të madh të vendit disa nga pronarët e hoteleve ia dolën ti restaurojnë shpejt godinat e tyre të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por në pjesën tjetër dëmet janë ende të dukshme, ndërsa ka sheshe ndërtimi që vazhdojnë të jenë bosh.

Plazhi tradicional i Durrësit tashmë konsiderohet mjaft i rënduar nga ndërtimet pa kriter dhe bashkë me fondin e kufizuar të rërës, hapësirat mes godinave janë minimale.

Ngushtica ka sakrifikuar edhe institucionet e argëtimit si kinemaja apo teatri veror, të cilat nuk ekzistojnë më.

Peshkatar në plazhin e Durrësit | Foto: Gezim Kabashi

Bashkëshortët Kalaja që tregtojnë mallra në tezgat verore thonë se nuk mund ti kënaqin kërkesat e të huajve për suvenire nga Durrësi.

“Ne gjejmë te tregtarët e shumicës vetëm suvenire nga Berati apo Kruja, por kur turistët vijnë në qytetin tonë duan të marrin me vehte pamje nga amfiteatri, nga torra apo nga deti,” thotë Petrit Kalaja.

Ndërkaq, zona Golemit dhe Malit të Robit, 10-15 km në jug të qytetit, e ka siguruar frymëmarrjen turistike nga hotelet e mëdha shumëkatëshe, të cilat edhe vitin e kaluar nuk u braktisën nga turistët bjellorusë, ukrainas apo edhe serbë.

“Por prenotimet e të huajve për sezonin e ri veror në këtë hapësirë aktualisht janë në kuotën 0,” u ankua kryetari i Dhomës së Tregtisë së Durrësit, ndërsa shtoi se lajm i mirë për këtë vit është vaksinimi masiv i popullsisë në vendin tonë.

“Kjo mund ta rifusë vendin tonë në hartë e vendeve të Bashkimit Evropian, që mund të heqin kufizimet e lëvizjes drejt Shqipërisë dhe vendeve fqinje,” përfundoi Isteri./reporter.al/


LAJME:

Next Post

210 vjet nga lindja e Hoxhë Tahsinit, themelues i Universitetit të Stambollit

Hoxhë Hasan Tahsini ka qenë astronom, matematikan e filozof shqiptar. Ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19. […]