SERBOFILIA SHQIPTARE NË SULM

User1
3 0
Shpërndaje

Nga Hysamedin Feraj, shkruam më 11 nëntor 2019

Edi Rama, kryeministri i shtetit të Shqipërisë londineze, është vënë në krye të sulmit serbofil kundër shqiptarëve, si komb dhe si shtete. Ndërkaq e vetmja gjë që e lidh Edi Ramën me Rilindjen shqiptare është se rilindësit qysh atëherë e emërtuan Edi Ramën “serbofil”, saje emërtimit “serbofil” të politikës shqiptare si kjo e tij dhe të politikanëve shqiptar si ky. Prandaj Edi Rama është veçse personifikimi i sotëm i kësaj tradite të gjatë serbofile shqiptare. Sepse, fatkeqësisht, mbas shpalljes së pavarësisë së këtij shteti e deri sot, pjesa më e madhe e kryeministrave të Shqipërsië janë drejtuar e kanë qeverisur sipas nacional-shovinizmave serb dhe grek, siç u formuluan ata në shekullin XIX e këtej.

Në fund, rezultojnë njësoj:

– Miqësia dhe renditja e Esat Pashë Toptanit në krahun e serbëve gjatë Luftës së Parë Botërore dhe nxjerrja prej tij e Shqipërisë në bllokun e popujve që e fituan atë luftë;

– Flirtimi fillestar i Ahmet Zogut me kryeminstrin e Serbisë Nikolla Pashiqin, të cilit ai nuk mundi t’i shpëtoi më as me ndihmën e Italisë së Musolinit;

– Vendosja në krye nga serbët e malazezët e Enver Hoxhës, i cili, njësoj si Toptani, e nxori Shqipërinë në radhën e shteteve që e fituan luftën dhe, ndryshe prej atij, e sundoi vendin për mbi katër dekada.Prandaj: “shih fundin”!

Në fund, me të gjithë kryeministrat e presidentët, shteti dhe kombi shqiptar dolën të coptuar, më të prapambeturit në Europë, të zhytur në mjerim ekonomik dhe në mjerim moral e kulturor, atëherë e deri sot. Dolën si skandal në botë!

Kohët e fundit Edi Rama u detyrua ta intensifikojë politikën e tij në mbështetje të nacionalizmit serb të udhëhequr nga kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, sepse ky u ndje në vështirësi me ardhjen në qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe zgjedhjen e Albin Kurtit për kryeministër të Kosovës.

Në këtë situatë Vuçiqi e intensifikojë realizimin e projektit pansllavist të minstrit carist rus, Çartorski, për mbledhjen e popujve sllavë në një konfederatë a federatë të përbashkët ballkanike, nën instruksionin carist. Në këtë situatë sulmit i erdhi në ndihmë Edi Rama. Shumë udhëheqës të Shqipërisë londineze edhe më parë e kanë mbështetur idenë e federatës ballkanike, përkatësisht serbofilët me sllavët, grekofilët me grekët. Minishengeni i sotëm është veçse përpjekja për realizimin e sotëm të projektit pansllav të federatës ballkanike. Ndoshta banorëve brenda këtij shteti shqiptar londinez nuk iu ka shkuar mendja se rryma serbofile e grekofile, të cilën përherë e kanë vënë në krye të shtetit, iu ka sjellë gjendjen e mjeruar për të cilën ankohen me fjalë. Sepse iu është kallur në tru mendimi se nën shtypjen e nacionalizmave serb e grekë vuajnë vetëm shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë londineze dhe, me raste ose një pjesë e vogël përherë, kanë ndjerë dhembshuri. Por nuk e kanë zhvilluar mendjen deri në ndriçimin se vetë po aq shumë kanë vuajtur nën sundimin e nacionalizmave serbë, përkatësisht grekë, të cilët kanë qeverisur prej pavarësisë e deri sot në Shqipëri, të zgjedhur ose të mbështetur në shumicë nga po banorët e Shqipërisë!

Edhe sot, banorët në këtë Shqipëri në shumicë vendosin të ndahen e të bashkohen sipas pyetjes me kë je, ose supozimit të tyre se me kë është dikush: me Esatin, me Zogun (Legalitetin, Ballin), me Enverin? Mendja iu është ushtruar të ndërtojnë gjykime me konceptet ideologjikë: “liberal”/ “komunist” dhe shoqëruesi e tyre “i/e djathtë”, i/e majtë”, “ekonomi e tregut”, “ekonomi i planifikuar nga shteti”, luftë “e fshatarësisë kundër çifligarëve”, “e proletariatit kundër borgjezisë kapitaliste, e madhe apo mikroborgjeze”. Prandaj shqiptarët në Shqipërinë londineze kanë “luftuar” me njëri-tjetrin e kundër njëri-tjetrit për ndryshimin e formës së regjimit politik: nga principatë në republikë parlamentare, në monarki, në republikë popullor e socialiste, prap në republikë parlamentare; kanë luftuar me e kundër njëri-tjetrit për ndryshimin e sistemit ekonomik: nga ekonomi feudale në ekonomi tregu, në ekonomi të planifikuar prej shtetit, prapë në ekonomi tregu. Në fund: siç ankohen, kanë mbetur më të prapambeturit ekonomikisht e më të mjeruarit moralisht dhe politikisht, në Europë dhe në rajon!Prandaj: shih fundin! Sidomos për periudhat që tashmë e kanë fundin. Mirëpo, për t’iu shmangur shikimit të fundit, banorët në Shqipëri kanë shpikur strategjinë e heqjes dorë nga shikimi i rezultatit të përgjithshëm (summa summum) duke u fshehur pas momenteve të përveçëm. Secili, sipas regjimit të kaluar që mbështetë sot, e detyron veten e tjetrin të mbyllet brenda kllapave të rezultateve të përveçëm, e zëmë “e mbrojti Shkodrën kur asnjë prej të tjerëve nuk e ndihmoi”, “vuri themelet ligjor të shtetit”, “zhduku analfabetizmin, elektrifikoi vendin, e nxori gruan në jetën shoqërore, “na nxori në kampin e popujve që fituan luftën botërore”, “e përmbysi komunizmin”, “i dha fund regjimit autoritar” të këtij e atij. Mirëpo nuk e kanë zhvilluar mendim as aq sa jep aritmetika bazë që mësohet në shkollën fillore: brenda kllapave të gjithë numrat mund të jenë pozitivë e të mblidhen grumbull njëri me tjetrin, megjithatë nëse kanë një minus në krye, para kllapave, atëherë rezultati përherë del negativ: – (1+1+1+1+1) = – 4. Ashtu si rezultati i gjithfarë regjimesh e individësh “pozitivë” të deritashëm. Prandaj ky minus në krye të kllapave, domethënë të shtetit, është i vetmi konstant përballë gjithë variablave ideologjikë, ekonomikë e socialë.

Mbas dështimit të shpjegimit e të kuptimit të këtij rezultati me variabla të atillë socio-ekonomikë, banorët e këtij vendi kanë shpikur psikologjinë, shpjegimin psikologjik dhe prandaj edhe më të dobët të atij rezultati: konstanti negativ ka qenë “çmenduaria” e drejtuesve, etja psikologjike e tyre për pushtet e pasuri personale. Ky shpjegim sigurisht i çliron të gjithë qeveritarët nga përgjegjësia, prej fillimit të shtetit shqiptar e deri sot, por hedh dyshim në shëndetin mendor masiv dhe mbi aftësinë e banorëve të këtij vendi për të menduar drejt politikisht, të cilët konstant paskan mbështetur e vënë në krye të vendit (para kllapave) individë të çmendur e të sëmurë psikikë! Por problemi më i madh i këtij “argumentimi” është heqja dorë nga shpjegimi i politikes me esencën e vetë, me variabla politikë, siç janë ideologjitë politike a projektet politikë, dhe përpjekja për ta shpjeguar politikën vetëm me variabla jashtë-politikë. Megjithatë kjo heqje dorë ka qenë e detyrueshme, sepse ata variabla, siç u tha më lart, janë ndërruar vazhdimisht dhe rezultati i fundit prapëseprapë ka qenë negativ.

E tani një konstant ka mbetur pa u marrë parasysh nga banorët e këtij vendi, ndonëse ka qenë evident: nga pavarësia e shtetit shqiptar e deri sot Shqipëria është qeverisur, herë më pak e herë më shumë, sipas mendimit dhe projektit nacionalist të nacionalizmave serbë e grekë. Ky konstant shpjegon pse ndërrimi i variablave të tjerë nuk ka dhënë rezultat pozitiv: duke mos qenë vetë ideologji, nacionalizmi mundet të shoqëroj e të veproj si sfond (transhendental) i të gjitha ideologjive të tjera. Prandaj nacionalizmat serb dhe grekë kanë mundur të shoqërojnë e të veprojnë si sfond i të gjitha ideologjive shqiptare, qofshin të djathta, qofshin të majta. Prandaj shqiptarët në këtë Shqipëri janë sunduar po aq sa ata jashtë kësaj Shqipërie nga nacional-shovinizmat serbë dhe grekë. Ndërsa arritja më e madhe e këtyre ka qenë bindja e shqiptarëve të kësaj Shqipëri se mbas pavarësisë nuk janë sunduar e nuk sundohen edhe sot nga nacional-shovinizmat serbë e grekë, njëlloj si ata jashtë kësaj Shqipërie. Lëvizja e Ramës nga “federata ballkanike” te “Shengeni Ballkanik” është veçse një prej manifestimeve të këtij konstanti të qëndrimit të qeveritarëve shqiptarë në projektet nacionalistë të fqinjëve sllavë e grekë. E tani, një konstant tjetër i mirëfilltë politik, por që shpërfillet nga banorët e kësaj Shqipërie dhe nuk merret parasysh për kuptimin e politikës së jetuar është se kanë dhe janë komb shqiptar, pjesë e tij. Ky fakt e përcakton sjelljen ndaj vetes dhe të të tjerëve ndaj tyre. Se ky fakt megjithatë është i konstatuar nga banorët e kësaj Shqipërie dëshmojnë përpjekjet për fshehjen e tij: të frikësuar nga nacionalizmat sllavë e grekë janë përpjekur ta fshehin të qenit shqiptar me shpërbërjen dhe anëtarsimin e vetes nën ombrella universaliste si “të djathtë”, “të majtë”, “komunistë”, ose nëpër shtresa sociale “tregtarë”, “proletarë”, “borgjezë”, “internacionalistë”, “artistë”, ose nëpër gjeografi “ne mesdhetarët”, “ne ballkanasit”, ose nëpër fe, etj. Mirëpo faktet si faktet: nuk i ndryshon vetë-emërtimi thjesht subjektiv, i përcaktuar nga ndjenja subjektive e frikës me u përballë me qenien e vetë dhe me e marrë përsipër ekzistencën e qenies së vetë në botë. Në fund të fundit, nuk ka asnjë truall gjuhësor me aq fuqi metafizik sa të garantojë që emërtimeve të atillë, si subjekt, nuk mund t’iu lidhet “shqiptar”, si predikat: “komunistët shqiptarë”, “artistët shqiptarë”, “monarkistët shqiptarë”, “serbofilët shqiptarë”, “panballkanistët shqiptarë”, etj. Prandaj kjo përpjekje për mashtrim mashtron veç banorët e kësaj Shqipërie dhe vetëm sepse frika nga nacionalizmat fqinjë i shtynë ta pranojnë si iluzion se mos shpëtojnë prej tyre, por nuk i mashtron nacionalizmat fqinjë sepse, sigurisht, këta nuk e kanë të njëjtën frikë, domethënë frikën nga… vetja! Në këtë Shqipëri banorët nuk shëptojnë nga sundimi konstant prej nacionalizmave serbë e grekë duke u fshehur as duke jetuar fshehurazi në botë, por duke u përballë me frikën e vetë e duke e mposhtur atë, duke u përballë me nacionalizmat serbë e grekë dhe duke marrë përsipër realizimin e qenies së vetë singulare në botë, teksa në partikularitetin e vet e realizon çka është universali njerëzor. Në fund të fundit “shqiptar” del si substancë singulare, sepse nuk mund të predikohet për asnjë tjetër, ndërsa cilësitë e tjera janë të predikueshme për të, dhe pra josubstanciale. Sa kaq, thotë se cilësitë nuk mund të realizohen pa realizimin e substancës, instanca të së cilës janë ato cilësi.Duhet kjo vendosje në vetveten, kjo Vetëvendosje në kombin shqiptar dhe njohja e projekteve nacionalë-shoviniste serbe e greke që Edi Rama të mund të shihet në përcaktimin e tij sa serbofil aq dhe grekofil, përsa ata dy nacionalizma pajtohen në projektet e tyre. Të dy nacionalizmat pajtohen, sepse është në logjikën e tyre, për krijimin e një kordoni që rrethon Kosovën, që shtrihet nga Beogradi në Athinë dhe që e vendos shtetin e Shqipërsië kundë shtetit të Kosovës duke i futur në konfliket dy shtetet shqiptarë.

Është në logjikën e nacionalizmit serb:

– Të pranojë “pavarësinë e Kosovës” me shpresën se do të mbetet aq shtet i dobët sa një ditë, në rrethana më të përshtatshme, të mundet ta rikthejë brenda Serbisë. Prandaj është e gatshme të mbrojë dhe po mbron flamurin e Kosovës, himnin e Kosovës, madje kushtetutën e Kosovës (domethënë planin e Aahtisarit, që dikur gabimisht e kishte kundërshtuar);

– Të jetë kundër që konflikti ndërmjet Serbisë e Kosovës të mbetet “konflikt i ngrirë” dhe të theksojë dëmet që sjellë për stabiltetin në rajon, sepse me këtë do të heq nga mendja e kujtdo se burimi i destabilizimeve në rajon është “çështja e ngrirë shqiptare”, “ngrirja e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë”;

– Të pranojë dy shtete shqiptare, me shpresën se i futë në konflikt dhe e bën të pamundur bashkimin e tyre, siç po vepron Rama duke e paraqitur Kosovën si shtet i dështuar, njëlloj siç thotë propaganda serbo-ruse, dhe duke nxitur reagimin kundër jo vetëm të Isa Mustafës por deri edhe të Hashim Thaçit.

– Të krijojë një hark rreth Kosovës, hark që shtrihet nga Beogradi, kalon nëpër Shkup e Tiranë dhe arrin në Athinë, një “federatë ballkanike” që emërtohet “Shengen ballkanik”.

Në të gjitha këto qëndrime të nacionalizmit serb duket pjesëmarrja e vendsour e Edi Ramës. Prandaj, ai është qartas “serbofil” shqiptar, sipas kuptimit që i dhanë rilindasit: i udhëhequr nga mendimi nacionalist fqinjë, edhe sikur në ndjenjat subjektive të mos jetë i dashuruar me serbët.

Po të njiheshin nacionalizmat serbë e grek nuk do të ishte vështirë të kuptohej anëtarësimi i kryeminstrit aktual të kësaj Shqipërie në projektet e tyre dhe qeverisjen e Shqipërisë sipas tyre. Por që të kuptohen këto, më parë duhet që banorët e kësaj Shqipërie të Vetëvendosen aty ku i ka vendosë destini: në kombin shqiptar dhe projektet e vetë autentikë që dalin nga qenia shqiptarë. Përndryshe do të vazhdojnë të sundohen nga nacionalizmat fqinjë dhe të këndojnë referenin: jemi më të prapambeturit në Europë e madje në rajon! Sepse as nacionalizmi serb, as nacionalizmi grek, për rrjedhojë as Edi Rama, nuk përmbajnë në projektet e tyre zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë londineze, por përdorimin e saj kundër vetes së saj dhe shqiptarëve të tjerë.

Next Post

Shqipëri/ 507 raste të reja me COVID-19 dhe 11 jetë të humbura

ShpërndajeMinistria e Shëndetësisë njofton se në 24 orët e fundit numri i personave që janë testuar pozitivë me COVID-19 është 507, ndërsa kanë ndërruar jetë edhe 11 pacientë. Betejën me COVID-19 e kanë fituar gjatë këtyre orëve 140 qytetarë. Në 24 orët e fundit, në vendin tonë janë kryer 2,384 […]