Sport

Shqipëria ndryshon “fytyrë” ndaj San Marinos, ja si pritet të rreshtohen kuqezinjtë

Kombëtarja shqiptare përballet nesër ndaj San Marinos, sfidë e cila do të luhet në “Elbasan Arena”. Triumfi ndaj Hungarisë vazhdon të ndihet në kampin kuqezi, kjo edhe për shkak se kundërshtari i radhës në letër është lehtësisht i kalueshëm.

Ky fakt ka bërë që të zgjasë edhe më shumë festa e fitores ndaj Hungarisë, teksa në kampin stërvitor të kuqezinjve mbizotëronte hareja. Jo vetëm lojtarëve, por edhe trajnerit Reja dhe ndihmësve të tij u dallohej nga larg buzëqeshja, duke lënë të kuptohet se gjithçka është “OK” dhe janë gati për t’i shkuar misionit deri në fund.

Në përballjen me San Marinon, Reja do të ketë disa mungesa të sigurta për shkak dëmtimesh dhe të tjera për pezullim nga kartonët e verdhë. Duke marrë parasysh forcën e kundërshtarit dhe mungesat e shumta, me shumë gjasa do të shohim një Shqipëri krejtësisht ndryshe nga ajo që triumfoi me Hungarinë.

Rotacioni mund të nisë nga porta, me Strakoshën. Mund të jetë radha që Gjimshiti të marrë pak frymë, por risi mund të ketë edhe në fazën sulmuese, ku trajneri mund të bëjë vend edhe për treshen Uzuni, Manaj dhe Broja, të cilët me formën e mirë mund të hidhen në fushë nga minuta e parë.

Mungojnë disa lojtarë shumë të rëndësishëm në këtë përballje të radhës, por fatmirësisht kjo nuk e shqetëson aspak trajnerin Eduardo Reja dhe ndihmësit e tij, pasi janë të bindur se San Marino nuk është kundërshtar që mund t’i bëjë rezistencë Shqipërisë pavarësisht se cilët lojtarë do të zbresin në fushë.

Por, kjo nuk do të thotë se kuqezinjtë dhe drejtuesit e tyre po flenë mbi dafina, pasi e kanë marrë me shumë seriozitet kundërshtarin edhe pse në letër duket shumë i dobët për ekipin tonë Kombëtar.

Për ndeshjen e radhës janë konfirmuar mungesat e Klaus Gjasulës për shkak pezullimi dhe të Amir Abrashit, Lorenc Trashit e Sokol Cikalleshit për shkak dëmtimi.

Sakaq, lajm i mirë është rikthimi i mbrojtësit Hysaj, mesfushorit Bare dhe sulmuesit Manaj, të cilët shlyen pezullimin për shkak kartonësh dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Reja për ta nisur nga minuta e parë përballjen e radhës ndaj San Marinos, ku do të kërkojnë një tjetër sukses për të mbajtur gjallë ëndrrën për një vend në Kupën e Botës, “Katar 2022”.

Formacioni i mundshëm: 3-4-1-2: Strakosha, Ismajli, Kumbulla, Mihaj, Hysaj, Bare, Laçi, Hoxhallari, Uzuni, Manaj

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *