Lajme

Si mund të shpëtohet Ukraina përballë agresionit rus

Nga Seth Moulton “The Wall Street Journal

“Ajo që është e imja është e imja, dhe ajo që është e jotja është e negociueshme”. Përshkrimi i famshëm i ish-presidentit amerikan John F.Kennedy për qëndrimin e udhëheqësit sovjetik, Nikita Khrushchev ndaj Berlinit,sot vlen edhe për Vladimir Putin dhe Ukrainën.

Por këtë radhë Uashingtoni e ka vlerësuar gabim kërcënimin. Ne duhet që ta ri-kalibrojmë strategjinë tonë. SHBA do të ishte me fat në rast se presidenti rus dëshiron sinqerisht që të negociojë. Ai ka zhvendosur në gatishmëri më shumë se 120.000 trupa për një pushtim të plotë të Ukrainës.

Në mënyrë komike, Putin i referohet grumbullimit te madh të trupave ruse në kufi si një “stërvitje rutinë”, por mos u gaboni në lidhje me synimin e një force të tillë. Dhe nëse një pushtim i tillë do të jetë i suksesshëm, Ukraina mund të jetë vetëm ndalesa e tij e parë. Aleatët tanë shumë pranë Rusisë, Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia – dhe mijëra trupa amerikane të vendosura atje – mund të jenë ndalesa e radhës. Është pikërisht kjo arsyeja pse unë shkova kohët e fundit në Ukrainë për t’u siguruar që SHBA është realisht e përgatitur për t’u përballur me këtë sfidë.

Në fakt zbulova se planet ukrainase dhe ato amerikane nuk janë të harmonizuara siç duhet për ta penguar një sulm të mundshëm rus. Në këtë pikë, opsionet që ka SHBA janë shumëtë kufizuara. Presidenti Joe Biden ka deklaruar tashmë se nuk do të dërgojë më shumë trupa atje.

Nga ana tjetër Vladimir Putin ka në dispozicion thuajse të gjitha opsionet, nga përdorimi i trupave të tij për frikësim dhe zhvatje,dhe deri tek nisja e një pushtimi në shkallë të plotë të Ukrainës në stilin e Blitzkrieg (luftës-rrufe që zhvilloi Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj Bashkimit Sovjetik).

Gjithsesi, Uashingtoni ka ende një mundësi të vogël për ta penguar Rusinë të ndërmarrë akte ekstreme. Por kjo do të kërkojë një ri-përshtatje të shpejtë të strategjisë së SHBA-së.

Ashtu si në vitin 2014, kur Amerika nuk arriti ta pengojë dot sulmin e Putin në Krime, Ukraina dhe Perëndimi janë më të përgatitur për t’iu kundërpërgjigjur një sulmi sesa për

të parandaluar një të tillë.

Zyrtarët ukrainas tregojnë me krenari se si trupat e tyre ushtarake, veteranët, por edhe qytetarët e thjeshtë do të organizojnë një rezistencë dhe do të luftojnë rrugë më rrugë kundër rusëve. Unë nuk dyshoj në sinqeritetin apo vendosmërinë e tyre.

Lexo më shumë  Reagon parlamenti italian: E papranueshme telefonata e Ramës për drejtorin e medias italiane

Populli ukrainas është i fortë dhe shumë i pavarur, pavarësisht nga propaganda e Putin për të kundërtën. Por nëse forcat ruse mposhtin shpejt linjat mbrojtëse të Ukrainës, rezistenca mund të shuhet para se të ketë një shans për t’i bërë ballë pushtimit.

Amerika dhe Ukraina duhet t’ia bëjnë të qartë zotit Putin se humbjet e Rusisë, si në trupa ushtarake po ashtu edhe për ekonominë e saj, do të jenë shumë të mëdha për t’u përballuar. Prandaj Uashingtoni duhet të ndërmarrë tre veprime.

Së pari, SHBA duhet të rrisë në mënyrë dramatike shpejtësinë e blerjes së armëve nga Ukraina dhe ta bëjë këtë publike. Uashingtoni duhet t’i thotë hapur botës se si armët që

ne i ofrojmë Kievit, do ta detyrojnë Putin të pësojë menjëherë humbje të konsiderueshme të trupave ruse, dhe jo thjesht me kalimin e kohës.

Vendosja e armëve amerikane nuk duhet të përqendrohet vetëm në frontin lindor, por më tepër tek një grup më i gjerë kërcënimesh ndaj qyteteve në të gjithë Ukrainën. Për shembull raketat kundër anijeve, duhet të mbrojnë qytetet përgjatë bregut të Detit të Zi.

Së dyti, duhet të organizohet me urgjencë vendosja e sanksione efektive kundër Rusisë.

Ato duhet të kenë objektiva specifikë shumë të fuqishëm dhe të miratuara gjerësisht dhe paraprakisht nga NATO.

Vladimir Putin ka të ngjarë të mendojë se mund t’i mbijetojë sanksioneve perëndimore, pasi ato të vendosura më herët kanë qenë shumë të shpërndara dhe të pambështetura mjaftueshëm nga aleatët tanë. Kjo i ka dhënë mundësi Putin dhe miqve të tij oligarkë që të manovrojnë.

Këtë herë, Putin duhet ta ketë të qartë se vetëm 5 minuta pas nisjes së pushtimit do ta ketë të vështirë të blejë qoftë edhe një pije me gaz, dhe jo si herë të tjera kur mund të jetë përballur me disa pasoja financiare të mëvonshme pasi ka përfunduar një debati i gjatë ndërkombëtar. Kjo është mënyra e vetme që sanksionet të jenë një pengesë reale për shefin e Kremlinit.

Së treti, SHBA duhet t’i komunikojë qartë dhe hapur pasojat e rënda të pushtimit të Ukrainës, dhe jo vetëm Putinit, por edhe popullit rus. Rusia nuk e ka aspak problem të përhapë keqinformime në mbarë Amerikën; ndaj ne nuk duhet që të hezitojmë t’i themi të vërtetën popullit të tij.

Lexo më shumë  Mexhiti: Gjithçka po shkon sipas planit, regjimi Ahmeti, Grubi, Osmani do të bie

Rusët duket se e kanë pranuar propagandën e tij, sipas së cilës shumica e ukrainasve janë pro-rusë, dhe se një pushtim i Ukrainës do të kishte një kosto të vogël për Rusinë. E vërteta është se shumica e ukrainasve e vlerësojnë pavarësinë dhe demokracinë e tyre, dhe ata janë përpjekur të zyrtarizojnë marrëdhëniet e tyre me Perëndimin, duke nxitur prrj më shumë se një dekade anëtarësimin e vendit në NATO.

Me pajisjet ushtarake amerikane dhe sanksionet e forta ekonomike nga Perëndimi, çdo luftë e Rusisë ndaj Ukrainës, do të ishtë e dhimbshme dhe e përgjakshme për rusët. Në rast se Putin nuk do të ketë mundësi t’i fshihet këtij realiteti, ai mund ta mendojë 2 herë dërgimin e trupave përtej kufirit.

Disa analistë mund të shqetësohen për provokimin e Rusisë me përshkallëzimin e sanksioneve. Por e vërteta është se presidenti rus ndihet rehat me provokimet; pasi ai i prodhon vetë ato kur dëshiron. Ne duhet t’i kujtojmë Moskës dhe komunitetit ndërkombëtar historinë e sjelljeve armiqësore të Kremlinit ndaj fqinjëve, dhe të vazhdojmë publikisht të ecim përpara sipas linjave të përcaktuara të mbështetjes, dhe të mos ngatërrohemi nga reagimet e Rusisë.

Zbutja e qëndrimeve ndaj Putin në këto momente, nuk do ta parandalojë më të keqen. Madje do të sigurojë ndodhjen e saj. Në dallim nga paraardhësi i tij, Joe Biden ka punuar gjithnjë për forcimin e aleancës së NATO-s në vend që ta përçajë atë, dhe ai ka zgjedhur të përballet me Putinin në vend se t’i rrahë shpatullat këtij të fundit.

Kjo qasje e vendos presidenti aktual të SHBA-së në një pozicion të mirë për të ndërmarrë veprime vendimtare në mbrojtje të Ukrainës. Por ai duhet të veprojë tani. Në rast se ka një leksion që duhet të kishim nxjerrë nga 20 vitet e fundit të luftës, është se konfliktet janë shumë më të lehta për t’u filluar sesa për t’u përfunduar. Dhe ne duhet ta ndalojmë këtë luftë përpara se të fillojë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Seth Moulton, kongresmen i Partisë Demokratike, përfaqësues i Masaccusets.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *