Søren Kierkegaard dhe liria

User1
2 0

Përkthim nga Philosophie Magazin

Nuk ka liri pa ankth, dhe mu aty qëndron edhe mundësia e njeriut, pohon filozofi danez Søren Kierkegaard në shkrimin e tij Koncepti i ankthit i vitit 1844. Nuk po kuptoni asnjë fjalë? Ja se po ju ndihmojmë.

CITATI

 “Ankthin mund ta krahasojmë me marramendjen. Kush shikon me sy përposht një gremine, atij do i merren mendtë. Shkaku i kësaj marramendje qëndron sa te syri i tij, aq edhe te gremina; mbasi ai mund edhe të mos shikonte teposhtë. Kësisoj, ankthi është marramendja e lirisë që shtohet kur (…) liria hedh shikimin përposht drejt mundësive të veta, me ç’rast rroket pas së fundmes, pas së cilës edhe mbahet kapur.”

Koncepti i ankthit (1844)

RELEVANCA

Shpjegimet që Kierkegaardi i jep rreth ankthit dhe lirisë u bënë gurëthemeli i ekzistencializmit të shek. XX. Me idetë e tij u morën veçanërisht Martin Heideggeri dhe Jean-Paul Sartri. Ankthi dhe liria prekin drejtpërsëdrejti secilin prej nesh në ekzistencën e tonë. Ne priremi sot që ankthin ta konsiderojmë tërësisht si diçka negative kurse lirinë tërësisht si pozitive. Por Kierkegaardi vë në dukje gërshetimin thelbësor midis të dyjave: s’ka liri pa ankth. Mirëpo ne njëkohësisht, për shkak të ankthit priremi që t’i largohemi lirisë. Në atë rast ne do të bënim një jetë të rehatshme ose do të gënjenim mendjen me dëfrime të përkohshme. Është art në vete të dish si të angështohesh. E rëndësishme është që as të mos zhytemi në ankth, por as ta evitojmë ankthin, e bashkë me atë edhe lirinë.  

SHPJEGIMI

Kur hedhim shikimin në thellësi të një gremine na mbështjell një ndjenjë e luhatjes. Një luhatje të këtillë e ndjejmë kur kuptojmë se të ardhmen e kemi të papërcaktuar. Që do të thotë se nuk ekziston vetëm një rrugë në jetën tonë që është e sigurt dhe të cilën mund ta shquajmë qartë. Në transparencën e situatës ku gjendemi, ne reduktohemi në veten tonë dhe në përgjegjësinë vetjake: na rrok “Trallisja e lirisë”. Ndonëse shikimi drejt thellësisë së greminës na angështon, ne nuk mundemi assesi që ta kthejmë kokën mënjanë. Në vetë ankthin na dëftehet mundësia e lirisë në një mënyrë trullosëse dhe lebetitëse. Por meqë këtë ankth nuk e durojmë dot, ne kapemi pas “të fundmes”, ndrydhim lirinë tonë dhe merremi me vetëm atë që e njohim dhe me atë që e pandehim si të domosdoshme.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara


Next Post

Del në ankand një pikturë e rrallë e Van Gogh

Një pikturë e rrallë e Van Gogh, që vjen nga një koleksion privat francez do të dalë në ankand në fund të marsit në Paris, nga Sotheby’s. Shtëpia e ankandit njofton, duke specifikuar se është një kanavacë e periudhës pariziene me pamje rruge në Montmartre, pikturuar në vitin 1887. Është […]