Opinion/Aktualitet

Srebrenica, dallori i një trashëgimie

Nga Durim Abdullahu

Përtej mënyrave se si frymojnë njerëzit e një epoke, me sa duket, është edhe çështje estetike: ndjesish dhe shijesh! Sepse, mijëra libra me dëshmi dhe studime, nuk e kanë përhapur dhe mirëmbajtur historinë e Holokaustit, sa disa prej filmave për të, si “Shoah”, “Natë dhe mjegull”, “Lista e Schindlerit”, “Hidhërimi dhe keqardhja”, “Jeta është e bukur”, “Pianisti” dhe ca të tjerë, që rëndom listohen mes filmave më të mirë-(njohur) për Holokaustin. 

“Europë, Bosnje, korrik 1995” 

Ky fenomen u dëshmua edhe vitin që shkoi, me filmin “Quo Vadis, Aida”, e regjisores Jasmila Zbaniç, që përmes personazhit të një përkthyeses për trupat e OKB-së, rrëfen historinë e gjenocidit të Serbisë në Srebrenicë, siç paralajmërohet që në fillim të filmit, në: “Europë, Bosnje, korrik 1995”.

Filmi për Aidën mori shumë vlerësime dhe çmime ndërkombëtare, teksa kritikja e kinematografisë, Jessica Kiang, e krahasoi atë me “Zgjedhja e Sofisë” (1982), një film që sjellë dramën e një nëne hebreje në një kamp përqendrimi nazist, që i duhet të zgjedhë se cili nga fëmijët e saj të jetojë. I dhënë premierë në 25 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, “Quo Vadis, Aida”, e çoi historinë e gjenocidit në Srebrenicë, në nivele të tjera njohjeje në shkallë botërore.    

Megjithëse edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, bota pa vrasje masive njerëzish dhe shfarosje popullsish të planifikuara, ka një pajtim pothuajse të padiskutueshëm, që asgjë nuk mund të krahasohet me Holokaustin. Mbase, përveç një gjëje, që lidhet me ndjesinë që kanë lënë pas këto histori, të fiksuara në nevojën për të thënë: “kurrë më”. Është fjalia më konsesuale e thënë pas Holokaustit, pas gjenocidit të Kmerëve të Kuq në Kamboxhia, pas diktaturës ushtarake në Argjentinë, pas gjenocidit në Ruandë, pas Jugosllavisë…Pas Jugosllavisë?! 

Shkërmoqja e krimit 

Duket sikur kjo ka nevojë për shpjegime shtesë, sepse, e dini, këtu kanë dominuar emrat e përveçëm mbi emrin e ‘dosjes’, asaj të Jugosllavisë, federatës socialiste me 6 republika dhe 2 krahina. Me një komb politik dhe kombësi brenda, pak andej e pak këndej, por as andej dhe as këndëj. 

Është fjala për luftërat që Serbia e regjimit fashist e Sllobodan Millosheviqit, shkaktoi në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe veçanërisht në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Llogaritet që rreth 150 000 njerëz, u vranë  në dekadën e fundit të shekullit të 20-të, gjatë luftërave që e shpërbënë Jugosllavinë. Më së shumti në Bosnje, gati 100 000. Ajo që pasoi luftërat e ish-Jugosllavisë, e ka shkërmoqur trashëgiminë e krimeve të këtyre luftërave. 

Në këtë pikë, e domosdoshme për tu ritheksuar, që në korrik të vitit 1995, Serbia vrau mbi 8000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë dhe rrethina, duke shkaktuar një masakër që ka marrë epitetin e më të madhes në Europë, pas Luftës së Dytë Botërore. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e ka njohur si gjenocid masakrën e Srebrenicës, kurse Parlamenti Europian e ka shpallur 11 korrikun si datë e përkujtimit të këtij gjenocidi. 

Në vitin 2010, vetë deputetët serbë miratuan një rezolutë në parlament për Srebrenicën, duke thënë se Serbia ishte dashur të bënte më shumë për ta parandaluar këtë tragjedi. Ndërkohë, dy rezoluta të tjera presin prej kohësh në Parlamentin e Serbisë, njëra që e dënon Srebrenicën si krim dhe tjetra si gjenocid. Po në vitin 2010, edhe Maqedonia kishte nxjerrë një rezolutë që e dënonte krimin e Srebrenicës. Këtë vit, më 17 qershor, Mali i Zi nxori një rezolutë të ngjashme. 

Lexo më shumë  A është çmendur Ilir Meta?

Më 7 korrik 2021, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi një rezolutë e cila dënon gjenocidin e shtetit serb në Srebrenicë dhe dënon çdo tendencë për ta mohuar atë. E nismuar nga deputetët e komunitetit boshnjak, kjo rezolutë u mbështet nga të gjithë deputetët përveç atyre serbë, që e lëshuan seancën duke thënë se “nuk duan që të legjitimojnë qëllimet e institucioneve të Kosovës, për t’ia vënë popullit serb etiketën e gjenocidit”.

Brenga e tyre duket të jetë paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, për padi ndaj Serbisë, që ai e përsëriti edhe në këtë seancë, duke thënë se padia për gjenocid ndaj Serbisë që po përgatit Kosova, do të kontribuojë në të ardhmen që të mos përsëriten ngjarje si të Srebrenicës.

Deputetët boshnjakë thanë se ndjehen krenarë me shtetin e tyre, Kosovën, kurse emrat e tyre u bënë lajm në mediat boshnjake. Por kjo republikë parlamentare, Kosova, në kuvendin e të cilës ata përfaqësojnë komunitetin boshnjak, nuk njihet ende nga vendi i tyre i origjinës, Bosnja e Hercegovina. Anëtari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, mirëpriti me fjalë të kujdesshme miratimin e rezolutës për Srebrenicën në Kosovë. Mediat boshnjake, raportuan që Kosova iu bashkua shumë vendeve demokratike në botë, që janë solidarizuar me boshnjakët për Srebrenicën. 

Ndër vite, politikanët drejtues të Serbisë, e kanë mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe sidomos përgjegjësinë e shtetit serb, teksa janë munduar të flasin për të në kontekst të njëjtësimit me viktimat serbe të luftërave në Jugosllavi. Kjo vjen si e vetëkuptueshme, kur kihet parasysh që ish ministrat e “Kasapit të Ballkanit” Millosheviq, Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq, vazhdojnë të drejtojnë me Serbinë. Më 2015, kur Vuçiq kishte vizituar memorialin e Srebrenicës, ai ishte gjuajtur me shishe dhe sende të tjera. Me gjuhën e psikologjisë forenzike, “krimineli ishte kthyer në vendin e krimit”.

Kjo sepse Vuçiq mbahet në mend për fjalimin e tij në Parlamentin e Serbisë, pikërisht më 20 korrik 1995, kur sapo ishte kryer masakra e Srebrenicës, duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar me fjalët: “ejani na bombardoni, vritni një serb dhe ne do të vrasim 100 myslimanë”.

Sot, 26 vjet pas, teksa edhe 19 trupa të të vrarëve në Srebrenicë u varrosën këtë 11 korrik, në Qendrën Përkujtimore Potoçari, Aleksandar Vuçiq ka arritur t’i imponohet po atij komuniteti ndërkombëtar që dikur e kërcënonte me vrasje të myslimanëve, duke u pritur në Bruksel dhe Washington. Në të dyja rastet, çështja e Kosovës ka qenë tema që i mundësoi atij këtë shpërlarje të figurës së vet nga e kaluara kriminale. 

Më 13 korrik, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se “gjenocidi i Srebrenicës është një nga ngjarjet më të errëta në historinë moderne evropiane”, teksa theksoi që “përpjekjet për të rishikuar historinë, për mohim të gjenocidit dhe madhërim të kriminelëve të luftës, nuk kanë vend në Europë”.    

Lexo më shumë  A është çmendur Ilir Meta?

Bashkimi Europian kishte reaguar ngjashëm edhe në fund të marsit, kur ministri i Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposaviq, kishte thënë se do të jetë i gatshëm ta pranojë krimin në Srebrenicë si gjenocid, “kur kjo të vërtetohet pa dyshime”. BE-ja kishte tërhequr vërejtjen duke bërë thirrje që të mos mohohet a relativizohet gjenocidi në Srebrenicë, duke thënë që zyrtarët e të gjitha shteteve që synojnë të integrohen në BE, duhet të jenë të gatshëm për respektimin e vlerave europiane për respektimin e viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës.    

Srebrenica, dallori i një trashëgimie politike

Në përcjellje edhe të rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Srebrenicën, e cila u përkrah njëzëri nga të gjithë krahët politikë dhe krerët e shtetit, gjatë 11 korrikut, diskursi publik në Kosovë, aq i lexueshëm nga statuset në Facebook, u dominua dendur nga përkujtime për Srebrenicën. Përveç kujtimit të gjenocidit dhe akuzës për krime lufte, në to ndjehej dhe një dozë e theksuar solidariteti. Duke qenë vetë viktimë të Serbisë së Millosheviqit dhe gjithë trashëgimisë së tij, shqiptarët kanë empati të vetvetishme ndaj boshnjakëve. 

I nevojshëm një udhëtim i tillë tekstual, nga një diskurs në tjetrin, për të konstatuar një mospërputhje, të cilës vështirë se mund t’i përafrohen dallimet. Ngaqë nuk janë thjesht dallime. Meqë nuk janë diferenca, por différance, fiks siç e artikuloi këtë koncept filozofi francez Jacques Derrida, që i ngarkoi atij kuptimin e një dallimi dhe shtyrje të kuptimit. Shqipëruesit e filozofisë frankofone, kanë propozuar që për ta dalluar këtë différance nga diferenca si “dallim”, ta përkthejnë atë si “dallor”. Diskursi për Srebrenicën, shpërfaq dallorin që shquan shtresat e diskurseve për trashëgimisë e Jugosllavisë.

Nga Serbia që njeh krimin por nuk pranon përgjegjësinë, që nuk e dënon të kaluarën e saj dhe as nuk shkëputet dot prej saj; me Bosnje e Hercegovinën që mirëpret rezolutën e Kosovës për Srebrenicën, por që nuk denjon t’ia përfillë vuajtjet e njëllojta dhe t’ia njoh shtetin; me Maqedoninë dhe Malin e Zi, që e njohin gjenocidin për habinë e Vuçiqit, a për politika të tjera; me Kroacinë dhe Slloveninë anëtare të BE-së, që nuk duan më të kenë të bëjnë me ata që dikur kishin ndarë fat të përbashkët politik në Jugosllavi.

Me vetë BE-në që nuk toleron mosrepektim të viktimave, por që pranon rehabilitimin e kriminelëve të atyre viktimave; dhe me Rusinë që vazhdon t’i trajtojë si të saj shtetet sllave në Ballkan, përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e ruajnë për të tyrin  projektin e shtetit të Kosovës. Prej Srebrenicës, dallime dhe shtyrje kuptimesh, për një trashëgimi me rreze të gjatë ndikimi! Marrë nga sbunker

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *