Tërmet – Shefqet dhe Rustem Peçi: “Ja do bëhet Serbi, ja Kosova gur e hi!”

RrugaPress2
0 0

Nga Sebastian Zonja

Mbajtja gjallë e kujtesës kolektive të shqiptarëve është detyrim. Pyetja është se cilën kujtesë kolektive?
Njëri pas tjetrit, politikanë të së majtës antiperëndimore në Shqipëri, përkujtuan së bashku, mikun e shtrenjtë të ambasadës ruse, siç e cilësoi vetë ajo në një postim këtë të mërkurë, z. Rustem Peçi.
Sovjetiku Rustem, që në vitet e Luftës ishte korrier partizan 8 vjeçar, e meritonte të shpallej nga rusët e Putinit si aleat i madh i Stalinit në Luftën e Dytë Botërore. Prandaj, shumë pranë 9 majit, datës ku përkujtohet triumfi mbi nazifashizmin, putinistët e ambasadës nuk lanë pa e përshëndetur këtë njeri që ndoshta nuk arritën dot t’i jepnin ftesën të ishte në tribunën e paradës te Sheshi i Kuq i Moskës.
Dhe më dridhen duart kur nuk e gjej ende se ku e kemi vendin ne filoamerikanët që nuk na ftojnë në paradën e Sheshit të Kuq!
Komunistët i kanë të gjitha dhe i marrin të gjitha. Kanë Rusinë, Stalinin, sovjetët, pushtetet, pasuritë, Shqipërinë, NATO-n, Traktatin e Varshavës, tregun e përbashkët, kanë Berlinin e pushtuar dhe Berlinin e çliruar – lokomotivë e Europës, Moskën dhe Washingtonin; i kanë të gjitha, se u takon…
Edhe Zoti vetë nuk do të ishte kaq i privilegjuar!

Gjyshi im, Petref Zonja, ka qenë partizan vetë. Por nuk tregoi asnjëherë se batalionet i kishin të mbushura me korrierë 5 vjeçarë, dhe se bash të tillët do ja zinin vendin kur Partia vendosi t’ja fshijë partizanllëkun.
Nejse, sepse si thoshte edhe vetë kreu i veteranëve pa hedhur një pushkë: “Mos na shihni si trup, por me armë në sup”! Kësisoj, z. Peçi legjitimonte veten në krye të një organizate që s’kishte ndonjë lidhje me korrierllëkun dhe çiliminjtë, por me Partinë dhe Rusinë, po. Sepse siç e tha edhe shoku Enver në Përmet, bëmë në njëjtën kohë Luftën dhe Revolucionin Proletar.

Se Shqipërinë e çliruam nga reaksionarët toskë e gegë, dhe Kosovën nga kosovarët.

Rustem Peçi ishte i biri i Shefqet Peçit, të cilin kryeministri i sotëm Edi Rama e përbuzte në librin “Refleksione”. Madje, vetë ky kryeministër, që sot i ka të gjithë në kabinet e administratë, dikur shkruante: “Duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile… shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë”. (Edi Rama dhe Ardian Klosi, Refleksione, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 180-181.

Shefqeti, që të birin ja përkujton edhe ambasada ruse, jo si adhurues të gjeniut Dostojevsk, por për ndonjë gjë tjetër, ishte kreu i Brigadës V partizane dhe i  ngarkuar me detyrën e komandantit të shtabit të forcave të Ushtrisë Naçionalçlirimtare për Kosovën dhe Rafshin e Dukagjinit. Në luftën për liri të kombit shqiptar, ky komandant legjendar mori për të spastruar Kosovën nga 4200 shqiptarë me armë në dorë që luftonin kundër serbit.
Hyri në Kosovë si triumfator dhe e çliroi atë nga shqiptarët e poshtër që po luftonin kundër vllezërve serbë. I mori, i vuri autokolonë 4000 shqiptarët, i çarmatosi, thërriti miqtë e tij sovjetikë, Ramiz Alia dhe Rrahman Parllaku, dhe i dërgoi reaksionarët e Shqipërisë Etnike në Tivar, për t’i masakruar si armiqtë e Kosovës së lirë rankoviçiane.
Ata që e përkujtuan me lavdi partizanin 6 vjeçar Rustem Peçi, sigurisht që e përkujtojnë me lavdi edhe këtë çlirim të Kosovës nga shqiptarët. Dhe nën devizën “Ja do bëhet Serbi, ja Kosova gur e hi!” politikanët më të lartë u rreshtuan që të përkujtojnë gjithë elitën komuniste të kohës me kontribute të thella në antikombtarizëm dhe gënjeshtra me 6 vjeçarë që luftojnë armikun nazifashist.
Historia përsëritet dekada më vonë, po nga kjo klikë, kur vendosin traun serb në Kalimash. 
Historia përsëritet sepse janë po  të njëjtët persona të së majtës antiperëndimore që përkutjuan me mall edhe “emigrantin e parë” me informacione sekrete në Greqi, ish-Shefin e Shtabit Kiço Mustaqi. Nejse, punë për ta. Punë atdhetare, thonë.
7 prilli është gjithashtu edhe përvjetori i Hasan Tahsini.
Historianët tanë kanë evidentuar emra të mëdhenj të personaliteteve që kanë shërbyer nën romakë, bizant apo osmanë. Në disa raste këto janë thjesht koincidenca biologjike, sepse nuk gjurmojmë aktivitet kombëtar të tyre.
Preferoj që të sjellim në vëmendje të kujtesës sonë kolektive ata që kishin një vetëdije të qartë kombëtare. I tillë ishte Hasan Tahsini, rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Profesori Hasan Kaleshi shkruan se Tahsini u lind më prill të vitit 1812. Të tjerë autorë, edhe pse e pasaktësuar tamam, vendosin datën 7 prill.
Rëndësia e figurës së tij është e madhe sepse ai është mësuesi i Rilindasve të mëdhenj që do të vinin më pas. Për shembull, nxënësi i tij më i afërt ka qenë ideologu i çëshjes kombëtare shqiptare Sami Frashëri.
“Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij” – shkruan gjuhëtari Eqrem Çabej. Ndaj dhe Tahsini është nga të parët që e ka kuptuar një gjë të tillë. Fillesat e shqipes dhe plazmimi i saj në identitetin shqiptar janë një punë e pashlyeshme e Rilindjes sonë Kombëtare. Ne jemi një popull që njejtëson gjuhën dhe etninë, që në fillesat e shekullit të XV. Ndaj, dhe, fanatizmi i Tahsinit për të punuar një alfabet shqip, të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera, ishte një detyrë gjaku, sepse siç shkruajnë për të, ai donte që të tregonte personalitetin e popullit të tij.
Alfabetin e kombtarizmit e shkruajnë atdhetarët që pasurojnë kombin, që e dallojnë atë nga të tjerët saj personalitetit të popullit tonë, jo që e pakësojnë atë duke i vrarë bijtë për hesap të fqinjëve.


OPINION & AKTUALITET:

Next Post

Çfarë është “E shtuna e Shalës” dhe lidhja e saj me Gjon Kastriotin

Më 31 maj është Pentekosti. Në liturgjinë lindore, edhe e shtuna e mëparshme përkujton të vdekurit. Për arbëreshët është një ditë shumë e trishtuar. Një thënie e vjetër është “Ardhshin të gjitha festat, por e shtuna e Scialla-s nuk vjen kurrë”. Aluzioni është në të shtunën e ditës së pesëdhjetë […]