Thelbi i mshefun i Nermin Vlorës në romanin “Ex”

User1
1 0
Shpërndaje

Shkruar nga Laureta Petoshati (Shkruar me rastin e 100 vjetorit të lindjes – 17/04/2021)

50 vjet më parë në Romë, nga shtëpia botuese Zephyr del nga shtypi në gjuhën italiane romani i dytë i shkrimtares me origjinë shqiptare Nermin Vlora Falaschi.

Titulli i tij në italisht ishte “Ex”, që në latinisht është një parafjalë e rasës rrjedhore për drejtimin e kohës, vendit, origjinës, shkakut, pjesë nga e tëra, mjet e shembull veprimi, materie, lëndë, marrëdhënie e mëparshme, etj.

Ky roman ese, i shkruar me një mençuri e filozofi gjithëpërfshirëse për një lexues elitar nuk trajtonte një temë, por disa njëherësh, dhe tema bazë e këtij romani, është:

koha dhe evolucioni në kohë, siç e thotë dhe vetë autorja 20 vjet më vonë në ribotimin shqip në Shkup me titullin “E nesërmja e kohës” dhe se “përmasa materiale kanalizohet në vijat e domosdoshme të kohës. Vlerat shpirtërore megjithëse formohen në kohë, hidhen jashtë kohës në të ndjekur ato pika synimi që vetëm mendja dhe shpirti ti përvetsojë.”

Advertisements

Ky roman, që për kalibrin e lartë intelektual është e pabesueshme se është shkruar nga një grua e asaj kohe, madje dhe të kohës së sotme, natyrisht që do të zgjonte vëmendjen e mendjeve të ndritura, një prej të cilave ishte Ernest Koliqi, që për romanin Ex, në “Shȇjzat”, nr. 5-8, viti 1972, shkruan një analizë letrare nën titullin “Libra të Lexuem”.

Ai shkruan midis të tjerave se:

“Nermin Falaschi Vlora, bashkatdhetarja e jonë tashmâ e njoftun prej lexuesave të Shȇjzavet, na jep nji provë të ré të talentit letrar qi e pajisë.” Duke i bërë një zbërthim profesionist ngjarjeve të romanit ese, Ernest Koliqi shkruan se : “Por, ky varg ngjarjesh, qi të rrëmben në gjiret e jetës ultramoderne, nuk përbân veçse gërshetin e dukshëm të rromanxit dhe shërben vetëm si objekt për të gjetë thalbin e mshefun të jetës njerëzore… Pyetje të ngashërueme qesin kryet aty këtu përkitazi me fatin e njeriut qi në kët shekull tronditet nga fuqí të panjoftuna të cilat e shtyjnë me libue (aborder) në brigje përtè pushtetit të Kohës.”

Natyrisht që një shkrim i gjatë i Koliqit, do të zgjontë kërshërinë e një personaliteti shqiptar, një përkthyesi të talentuar z. Adalbert Fekeçi, i cili kishte lindur po në Tiranë si Nermini më 1918, ku kishte mbaruar gjimnazin e shtetit dhe Universitetin në Fakultetin e Drejtësisë në Torino.

Advertisements

Adalbert Fekeçi më atë kohë ishte Profesor dhe Drejtor i Departamentit të Gjuhës Shqipe pranë Institutit të Ministrisë së Mbrojtjes për Gjuhë të Huaja në Sh.B.A.

Ai i ka bërë një përkthim të mrekullueshëm librit EX, që më 1978 botohet në Romë në gjuhën shqipe nën titullin “E nesërmja e kohës”.

Është ky ribotim që unë e lexova me shumë vëmendje së fundmi dhe më ka bërë të mendohem.

Nermin Vlora që ka dekoduar shkrimet e lashta kishte shkruar një roman që kishte nevojë të dekodohej.

Personazhi kryesor ishte një diplomat i quajtur Mamott, i cili ditën që del në pension lë shtëpinë e tij në Zvicër dhe gjatë udhëtimit në tren takon një zonjë, e cila i përngjason gruas së tij të ndjerë dhe gjatë gjithë rrugës që bëhet dhe me ndalesa ai i bën kësaj gruaje një rrëfim mbi gjithë jetën e tij si diplomat në Francë, Algjeri, Rusinë Komuniste, e në shumë vende të botës.

Advertisements

Gjatë gjithë rrëfimit që siç thotë autorja në fund të romanit se “kishte mundësi të ishte pavetëdija e tij me të cilën kish zhvilluar një dialog për gjithë ekzistencën e tij…”,

mendoj se autorja rrëfen çfarë ka parë e dëgjuar në misionet diplomatike të bashkëshortit të saj, por dhe përvoja diplomatike e shumë pinjollëve të familjes Vlora në shekuj.

Duket se autorja ka bërë një udhëtim mendor si Dante, për jetën e saj dhe të familjes së saj.

Emri i këtij personazhi është Mamott, që zberthehet nga shqipja dhe ka bazë fjalën “Mot”, por nga tingëllimi dhe përshkrimi i tij si gjysh me mbesa e nipër mund të jetë në imagjinatën e saj, i cili në realitet ka qenë emri i të atit të Ismail Bej Vlorës.

Në bashkëbisedim me të në tren është Belkis, që i ngjan fytyrës së gruas së tij, por nuk është ajo.

Belkis, në realitet ishte emri i nënës së Nermin Vlorës.

Diplomati tregon peripecitë, punën, gëzimet, zhgënjimet, spiunët që e ndiqnin në misionet e tij, të cilët mund ti shkonin dhe si miq në shtëpi, si kamerierë, apo si femra joshëse.

Lufta më e madhe ishte me spiunët e kampit komunist, të cilët rekrutonin deri aty ku nuk ta priste mendja.

Por, dhe diplomati jo rrallë herë kishte kryer misione inteligjence, njëri prej të cilëve ishte nxjerrja e një shkencëtari rus me emrin Aljosha nga Rusia, për ta shpëtuar nga KGB pas një operacioni plastik, që i bënë në mjediset e misionit diplomatik.

Aljosha ishte fejuar me një vajzë, që i përkiste aristokracisë ruse, por që pushteti që ta shkëpuste nga Aljosha e çon në Siberi në internim larg nënës së saj me një cilësim të rremë për ti ulur moralin.

Emri i të fejuarës së Aljoshës ishte Vjollca, që siç shpjegon përkthyesi Fekeçi edhe në origjinal autorja përdor këtë emër shqiptar.

Nermin në arabisht do të thotë “lule”, ndërsa Vjollcës në shqip i thonë dhe Manushaqe.

Cili ishte kuptimi nëpër rreshta i Nermin Vlorës?

Vjollca ishte Nermini larg nënës, apo Shqipëria në dimrin e luftës së ftohtë, nëse kemi parasysh vargjet e Naim Frashërit :

Dimër’ t math me dëborë,

Me të ftoh t’ e me të ngritë

E m’e gjithë ligësitë,

Të la të mjer’ e të gjorë;

Ishin të dyja bashkë.

Libri, edhe pse i shkruar si roman ka pasur si qëllim ti jepte një mesazh regjimit në Shqipëri.

Këtë mesazh e forcojnë dialogjet e Mamotit si vegjetarian kur thotë se:

“për atë diçka që më lidh me gjithësinë për respekt ndaj urdhrit të perëndisë dhe ndaj jetës, që unë mbaj si gjë të shenjtë, në materializmin e vet, nën cilëndo formë që të çfaqet, në atë të njeriut, apo të kafshës. Unë nuk shkatërroj dot një jetë për të ushqyer timen…”

Advertisements

Pra, mesazhi është i qartë: Mjaft me vrasje.

Ka aq shumë shprehje që mund të duan faqe të tëra për ti analizuar.

Romani ka frymën e njerëzve të ndritur, të cilët autorja i cilëson në dialogjet apo përsiatjet filozofike të Mamotit.

Brenda tij flitet për : kulturën, letërsinë, filozofinë, muzikën, të shenjtët e deri te Stalini e Hitleri dhe pasojat fatkeqe që i sollën njerëzimit.

Herë –herë të duket sikur aty po lexon Shën Agostinin, herë –herë Vagnerin me filozofitë e tij përtej muzikës, herë –herë nga ana psikologjike Dostojevskin, por nga ana sociale sikur ke aty Tolstoin.

Aty flitet dhe për drogën, prostitucionin, varfërinë mendore, fizike dhe shpirtërore.

Edhe zimat, apo veturat zi, me madhështinë fodulle, nuk mungojnë në këtë roman, ku autorja i përmend ata më para se Kadareja te “Dimri i Vetmisë së Madhe”.

Madje ka dhe sarkazëm si barcoleta për ekonominë ku ajo thotë se:

ekonomia socialiste nuk duhet të kalojë atë kapitaliste që është në buzë të greminës.”

Ajo flet për rradhët e gjata nëpër dyqane, për përndjekje, për tortura që Mamot ka parë në vendet komuniste, por qëllimi është i qartë ajo flet për Shqipërinë.

Madje, ndërsa Shqipëria ishte nën perden e hekurt, ajo flet dhe për kufijtë kur thotë:

… “Pashaportat, kufijtë duhet të konsideroheshin si absurditete dekadence. Prapë se prapë ekzistojnë dhe sot kur njeriu ka pushtuar hapësirën…”

Në këtë roman Nermin Vlora është italiane dhe qytetare e botës, por, po ta lexosh me vëmendje, kupton rrënjët e thella të gjakut të saj.

Pra, janë tre veti në një person.

Ajo që ka synuar autorja në këtë roman është që në një personazh të fusë vetitë e personazheve të tjerë, që në esencë duken një, siç thotë vetë ajo :

“Nina…Tamara… Belkisi… tri në një, P.N… Mamot… Aljosha… tre në një.

Tre njerëzit e Aristotelit.

Duket se figurat e vetmuara kanë nevojë për një trini, përndryshe përfundojnë në fragmente të shpërndara.”

Pra, me këtë autorja na tregon njeriun aristotelik :

“po qe se një njeri është njeri sepse i ngjan njeriut ideal,

duhet të ketë një njeri akoma më ideal, të cilit ti përngjajë,

si njeriu i zakonshëm, ashtu dhe njeriu ideal”.

( vr. edt. Triniteti : “I ati, djali dhe shpirti . . .” )

Nermin Vlora për këtë roman dhe “Bivio” (Udhëkryqi) ka marrë dy çmime Viareggio, të rëndësishme në Itali .

Ishte koha kur letërsia italiane lulëzonte dhe ajo këtij romani ese, që siç duket qartazi sot mbas 50 vjetësh i vuri titullin e koduar “Ex”, me një qëllim të caktuar.

Duke lexuar këtë roman të vijnë në mendje fjalët e poetit amerikan Robert Frost, i cili thotë se :

“toka është vendi i duhur për dashurinë”, prandaj njeriu para se të shkojë në përmasën tjetër si Mamot duhet të shëlbohet, pra, të pastrohet shpirtërisht dhe të jetë gati për përmasën qiellore, për të nesërmen e kohës.

Kush mund të na thotë se ajo nuk e kishte edhe si një bashkëbisedim të munguar me ish-shoqen e saj Nexhmije Xhuglini- Hoxha, të cilën kur e takoi pas përmbysjes së regjimit i tha që të kërkonte falje publike për çfarë pësoi Shqipëria si rrjedhojë e regjimit të Enver Hoxhës !?!

Mos vallë romani i saj, siç thotë Koliqi:

“shërben vetëm si objekt për të gjetë thalbin e mshefun të jetës”

së saj?!

Romani i saj është vepër e hapur dhe kjo është bukuria e tij, që lë shtigje për interpretime.

Rruga Press

Advertisements
Next Post

Gropë gjigande në Meksikë, pritet reagimi i konspiracionistëve

ShpërndajeNjë gropë e gjerë 60 metra dhe e thellë rreth 18 metra është krijura papritur në në Santa Maria Zacatepec të rajonit Puebla të Meksikës. Gropa ka rrezikuar dhe jetën e një familje, banesa e të cilës ndodhej pranë vendit ku u krijua gropa. Autoritetet meksikane thanë se gropa e […]