Ukshin Hoti është shndërruar tashmë në histori

User1
1 0
Shpërndaje

Moikom Zeqo, Durrës, 12 qershor 1995

Ky komb po e përjeton në imagjinatë atë që kombet tjera e kanë realizuar prej kohësh.

Po duke qenë një komb si të gjitha kombet tjera, shqiptarët nuk kanë pse të përjetojnë gjithçka vetëm në imagjinatë. Lufta e kombit shqiptar për liri nuk ka pse të instrumentalizohet si një luftë me terma fetarë midis kristianizmit ortodoks serb dhe muslimanizmit fundamentalist shqiptar. Kjo gjë është një absurditet.

Te shqiptarët, ku ekziston një pluralitet feshë, nuk ka ekzistuar ndonjëherë një fetarizëm i lidhur me qenien etnike. Fundamentalizmi fetar për shqiptarët është një shpikje idiote dhe e kotë. Nga ana tjetër, teoria e një protektorati ndërkombëtar mbi Kosovën është e papranueshme nga Karta e OKB-së, ku të paktën juridikisht nuk njihet asnjë formë e kolonializmit, sepse nuk përputhet me parimet universale të të drejtave të njerëzve dhe të kombeve.

Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropeizimit të saj të ardhshëm. Politika shqiptare e një rezistence pasive është një degradim dhe falsifikim i vetë gandizmit, i cili çoi në pavarësinë e Indisë. Rezistenca si afirmim është e ndryshme nga rezistenca në heshtje e humbjes së personalitetit.

Për Ukshin Hotin kompleksi i inferioritetit të kombit shqiptar është një fatalitet që duhet kapërcyer. Nuk mund të ketë histori të shqiptarëve të bërë nga të tjerët, po ka histori të shqiptarëve të njohur më në fund nga të tjerët. Nga kompleksi i inferioritetit kombi shqiptar ka pësuar disa herë disfata gjatë historisë dhe e ka viktimizuar vetveten. Nga kompleksi i inferioritetit humbet perspektiva dhe tabuizohet statukuoja.

Nga kompleksi i inferioriteit nuk do të ketë asnjëherë kapërcim të Rubikonit në historinë tonë, që është një kapërcim nga ferri në purgatorin e një të ardhme më shpresëndjellëse. Prandaj ky libër me plot argumente është kundër kompleksit të inferioritetit.

Prandaj ky libër është një pasqyrë morali për secilin nga ne, një monument sigurie dhe vetëdieje.

Ukshin Hotin kam pasur rastin ta njoh më 23 nëntor të vitit 1992 në Tetovë gjatë një tubimi mbarëkombëtar për çështjen shqiptare. Ai ishte me trupin plot plagë nga të rrahurat e policisë serbe. Po erdhi në tubim, sepse në të shihte një shprehje të ideve të tij politike dhe të jetës.

Sot Ukshin Hoti është i burgosur. Por që nga burgu, ai na i dërgon akoma më i plotfuqishëm dhe madhështor mesazhet e tij të urta dhe afatgjata.

Ai është një intelektual i martirizuar dhe kjo ka një kuptim të vërtetë dhe të madh.

Është vetë kombi shqiptar një komb i martirizuar. Për çdo intelektual shqiptar, të veshur me këmishat ceremoniale të konferencave të shtypit, të masmedias, të mjediseve moderne të aeroporteve dhe të hoteleve luksoze, imazhi i këtij të burgosuri është një thirrje për ballafaqim moral dhe shpirtëror.

Vetëdija e tyre duhet të bashkohet me vetëdijen e tij për të mos u tjetërsuar.

Historia nuk e pranon asnjë lloj alibie, qoftë e formuluar mjeshtërisht, si truket e prestidigjitatorëve të paarritshëm.

Historia është mbi individët, dhe individët bëhen të saj në atë kuptim kur ata shndërrohen në histori.

Ukshin Hoti është shndërruar tashmë në histori.

Shkëputur nga parathënia e botimit në Shqipëri të librit “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, libër ky i Ukshin Hotit.

Rruga Press


Next Post

Pse dy vaksinat e njohura kundër Covid-19 shkaktojnë mpiksje të rralla të gjakut

ShpërndajeShkencëtarët në të gjithë botën po garojnë për të kuptuar pse vaksinat Covid-19 nga AstraZeneca dhe Johnson & Johnson shkaktojnë mpiksje të rralla të gjakut dhe potencialisht vdekjeprurëse. Përcaktimi i lidhjes do të ndihmonte pacientët, mjekët dhe agjencitë shëndetësore të vlerësojnë më mirë çdo rrezik që paraqitet nga vaksinat dhe […]