BallinaLajme

Varianti i ri i Covid, kur u shfaq, a është më vdekjeprurës dhe a jep rezultat vaksina?

Pak ditë pasi ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit Sars CoV-2, një variant i ri i tij, edhe më përhapës, ka shkaktuar alarm.

Mbretëria e Bashkuar, ku edhe është zbuluar varianti i ri, ka vendosur masa të ashpëra dhe ka lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, ndërsa shumë vende të tjera i kanë ndaluar fluturimet prej atje.

“Kur virusi e ndryshon metodën e sulmit, ne duhet ta ndryshojmë metodën e mbrojtjes”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson.

Varianti i ri është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat.

Johnson ka thënë se varianti i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Ai ka paralajmëruar se kjo mund ta rrisë për 0.4 vlerën R – një e dhënë që tregon nëse epidemia rritet ose zvogëlohet.

Varianti i ri mund të gjendet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, përveç Irlandës së Veriut, por është më i përqendruar në Londër dhe në Anglinë Lindore.

Të dhënat nga Nextstrain – një projekt që monitoron kodet gjenetike të mostrave virale në të gjithë botën – sugjerojnë se rastet e variantit të ri të koronavirusit kanë arritur edhe në Danimarkë dhe në Australi nga Mbretëria e Bashkuar. Holanda ka raportuar gjithashtu raste të tilla.

Çfarë dimë për variantin e ri?

Të gjitha viruset dhe koronaviruset bëjnë mutacione gjatë gjithë kohës.

Koronavirusi që është zbuluar për herë të parë në Vuhan të Kinës, nuk është i njëjti që qarkullon në të gjithë botën.

Mutacioni D614G është shfaqur në Evropë në muajin shkurt dhe është bërë forma mbizotëruese e virusit.

Një tjetër variant, i quajtur A222V, është përhapur po ashtu në Evropë dhe është lidhur me pushimet verore të njerëzve në Spanjë.

Në një raport të publikuar të dielën, grupi këshillimor i Qeverisë britanike ka thënë se ka “besim të moderuar” se varianti i ri përhapet më shpejt se variantet e tjera.

Ekspertët, megjithatë, kanë thënë se të dhënat janë paraprake dhe se bazohen në modelim.

“Edhe pse rezultatet varen nga cilësia dhe sasia e të dhënave, ky duket të jetë një variant i rëndësishëm, bazuar në të dhëna gjenetike. Është potencialisht më i transmetueshëm, por ne nuk e dimë sa dhe nuk kemi siguri absolute”, ka thënë dr Muge Cevik, nga grupi këshillimor.

Profesori i virologjisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës, Stuart Neil, thotë për gazetën Guardian se “të dhënat e grumbulluara deri më tani, bëjnë të kuptojnë se varianti është më infektues”. Por, sipas tij, nuk ka konfirmim në laborator.

Neil thotë se në këtë moment, më shqetësuese janë ndryshimet në një proteinë specifike që përdor virusi për të hyrë në trupin e njeriut.

Nga ka ardhur varianti i ri?

Varianti ka krijuar mutacion të madh dhe shpjegimi më i mundshëm është se ai është shfaqur te ndonjë pacient me sistem të dobësuar imunitar, që nuk ka qenë në gjendje ta mposhtë virusin.

Lexo më shumë  Zulfaj për bllokimin e qytetarëve në Serbi: Putini i vogël s’mund ta përballojë suksesin e Kosovës

Në vend të kësaj, trupi i tij është bërë terren shumëzimi për virusin dhe ai ka krijuar mutacion.

A e bën infeksionin më vdekjeprurës?

Nuk ka asnjë provë që sugjeron se po, edhe pse kjo do të duhet të monitorohet.

Megjithatë, rritja e transmetimit mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar probleme për spitalet.

Nëse varianti i ri do të thotë që më shumë njerëz infektohen për kohë më të shkurtër, kjo do të çojë në më shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim spitalor.

A do të funksionojë vaksina kundër variantit të ri?

Me siguri që po, ose së paku tani.

Të tria vaksinat kryesore tani për tani zhvillojnë përgjigje imune kundër koronavirusit.

Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar për të sulmuar disa pjesë të ndryshme të virusit. Edhe pse një pjesë ka krijuar mutacion, vaksinat funksionojnë.

“Por, nëse e lëmë të shtojë më shumë mutacione, atëherë ju filloni të shqetësoheni”, citon BBC profesorin Ravi Gupta nga Universiteti i Kembrixhit

OBSH, në kontakt me Mbretërinë e Bashkuar

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se është në kontakt të afërt me Mbretërinë e Bashkuar, në lidhje me variantin e ri të koronavirusit.

“Ata do të vazhdojnë t’i ndajnë informacionet dhe rezultatet e analizave dhe hulumtimeve të vazhdueshme. Ne do ta azhurnojmë publikun dhe vendet anëtare kur të mësojmë më shumë dhe të kemi një pasqyrë më të qartë të karakteristikave të këtij varianti”.

“Ndërkohë, ne i këshillojmë njerëzit që t’i marrin të gjitha masat mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe të sillen në përputhje me udhëzimet e autoriteteve kombëtare”, ka thënë OBSH-ja.

London, Aeroporti Heathrow

Varianti i ri Corona: Europa mbyll dyert për Britaninë e Madhe

Pjesa kontinentale europiane izolohet nga Britania e Madhe për shkak të shfaqjes së një varianti të ri të virusit Corona: Rrugët e transportit e udhëtimit me Britaninë e Madhe gati janë mbyllur të gjitha. Për shkak se Franca ka mbyllur kufijtë me Mbretërinë e Bashkuar u mbyll edhe porti shumë i rëndësishëm për Britaninë e Madhe, Dover në Kanalin e La Manshës, si edhe tuneli europian, i njohur si Eurotuneli. Edhe qeveria holandeze nuk lejon më ardhjen e pasagjerëve nga Britania e Madhe. Si transporti i mallrave edhe pasagjerët luten të mos udhëtojnë, bëri të ditur porti Dover të dielën në mbrëmje. Kufizimet vlejnë fillimisht për 48 orë. Lejohet vetëm transporti pa shoqërues.

Radhë të gjata për në portin e Doverit

Treni i fundit nga Londra që përmes Eurotunelit mbërrin në Francë u nis të dielën në mbrëmje, pasi Franca shpalli ndalimin e udhëtimit për shkak të variantit tejet infektues të Coronës. Ndalimi vlen për rrugët detare, ajrore, hekurudhore. Edhe Gjermania vendosi të dielën që nga e hëna deri më 31 dhjetor të mos ketë më fluturime nga Britania e Madhe. Vendimin e mori Ministria Federale e Transportit. Përjashtim bëjnë avionët që transportojnë mallra, avionët me personel mjekësor, ose avionët që kthehen vetëm me ekipin në Gjermani. Priten kufizime të tjera. Të dielën në mbrëmje 63 pasagjerë të një fluturimi nga Londra nuk u lejuan të largoheshin nga aeroporti në Hanover. Ata duhet të kryenin testin e Coronës dhe të presin rezultatin. Po ashtu do të kufizohen fluturimet me Afrikën e Jugut, vend, ku u zbulua për herë të parë varianti i ri i virusit. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë, se në Gjermani varianti i ri i virusit nuk është identifikuar ende. Por ne i marrim shumë seriozisht të gjitha njoftimet për këtë, tha Spahn.

Lexo më shumë  Mediave serbe u pengon edhe fotografia me shqiponjë e Ardian Ismajlit

Fillimisht ishin Belgjika dhe Holanda që vendosën ndalime fluturimi me Britaninë e Madhe. Tanimë krahas Gjermanisë e Francës, edhe Irlanda, Çekia, Letonia dhe Bullgaria kanë marrë vendime për ndalimet e fluturimit. Edhe Italia e Austria kanë bërë të ditur, se do të marrin masa përkatëse.

Kryeministri i Britanise, Johnson

Takim krize në Britaninë e Madhe

Kryeministri britanik, Boris Johnson zhvillon të hënën një mbledhje emergjente të kabinetit. Synimi të sigurohet “rrjedha e pandërprerë e mallrave”  nga dhe për në Britaninë e Madhe. Për shkak të mbylljes së pikave kryesore lidhëse të transportit mes Britanisë së Madhe e BE pritet që të krijohen edhe më shumë probleme në transportin, i cili që tani vuan nga bllokimet për shkak të ngarkesës së madhe në autostrada në drejtim të Doverit dhe Eurotunelit. Arsye për këtë janë rritja e transportit në kohën e krishtlindjeve dhe transportimi i materialeve për shkak të pandemisë. Përveç kësaj, shumë sipërmarrje përpiqen të mbushin magazinat para përfundimit të fazës së ndërmjetme të Brexit më 31 dhjetor.

Shoqata Britanike e Logjistikës, UK Logistics u shpreh “e shqetësuar për shëndetin e shoferëve”. Po përpiqemi shumë që të marrim informacione të tjera, thuhet. Kurse Food and Drink Federation, Shoqata e Ushqimit dhe Pijeve paralajmëroi nga mungesa furnizimi në periudhën e krishtlindjeve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel

Europa mund të kthehet në fortesë të mbyllur

Sipas një raportimi të gazetës “Bild” kancelarja gjermane, Angela Merkel mendon për një mbyllje të plotë të Europës për udhëtime në Britaninë e Madhe deri më 6 janar. Në fillim të javës BE do të vendosë për një ndalim të plotë të udhëtimit të pasagjerëve mes pjesës kontinentale dhe mbretërisë. Gjermania mban presidencën e radhës në BE.

Në një telefonatë mes kancelares Merkel, presidentit Macron, presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel u diskutuar për gjendjen aktuale. Sipas të dhënave nga Pallati Elysée në qendër ishte gjetja e një strategjie të përbashkët. Bëhet fjalë që të mbyllen portat për hyrjen e virusit. (REL, DW)

Rruga Press

YouTube player