Vendimi i plotë/ Kushtetuesja i heq qeverisë “Rama” mjetin që asfiksonte protestat

User4
1 0
Shpërndaje

Qeveria “Rama” ka përdorur në mënyrë sistematike fillimin e ndjekjes penale për organizatorët e protestave paqësore kundër saj, në tentativë për të sfumuar revoltën qytetare ndaj vendimmarrjeve apo sjelljes së saj në kundërshtim me normat demokratike dhe të të drejtave të njeriut.

Statistikat e Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se prej vitit 2014 e deri në vitin 2020, mbi 250 persona janë marrë të pandehur dhe janë dërguar para gjykatës për shkak se kanë qenë pjesëmarrës në tubime pa leje nga autoritetet paraprake ose që kanë shkelur lejen.

Pjesa më e madhe e të pandehurve, rreth 220 të tillë janë penalizuar në periudhën 2018-2020, e cila përkon me kohën pas miratimit të Reformës në Drejtësi, e cila, të paktën në letër, u hartua për t’u dhënë më shumë të drejta qytetarëve.

Vetëm në vitin 2020, plot 105 persona janë marrë të pandehur për organizim të paligjshëm dhe pjesa më e madhe e tyre lidhet me protestat e komunitetit të artistëve, të cilët kundërshtonin prishjen e Teatrit Kombëtar.

Policia e Shtetit ka shfrytëzuar nenin e kontestuar numër 262 të Kodit Penal, i cili ndëshkonte këdo që merrte pjesë në një manifestim të paautorizuar nga uniformat blu.

Ky përcaktim ligjor, i cili në fakt cënonte edhe një prej të drejtave bazë të njeriut, atë të tubimit dhe manifestimit, u shfuqizua së fundmi nga Gjykata Kushtetuese.

Vendimi i zbardhur të Mërkurën e kësaj jave (02.06.2021) i hoqi të drejtën qeverisë që të kontrollojë të drejtën e tubimit dhe, për më tepër, ta shfrytëzojë legjislacionin penal si një masë represive ndaj të drejtës së qytetarëve për reagim.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Në një vendim 5-2, Gjykata Kushtetuese vendosi në 4 Maj 2021 që të shfuqizonte togfjalëshin “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të KP-së, si të papajtueshëm me nenet 17, pika 1 dhe 47 të Kushtetutës.

Shumica, e përbërë nga kryetarja Vitore Tusha, e anëtarët Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo e Sonila Bejtja, arritën në konkluzionin se kërkesa në ligjin penal për marrjen e lejes para organizimit të tubimeve bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Ndërsa anëtarët e pakicës, Altin Binaj dhe Elsa Toska ndan të njëjtin qëndrim me përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave në këtë gjykim se, keqkuptimi që mund të krijohet nga normat ligjore është çështje që mund ta zgjidhin administrativisht shefat e policisë apo gjykata e zakonshme.

Në foto: Faqja e parë e vendimit të Gjykatës KushtetueseShqyrtimi i kësaj çështjeje nisi nga një kërkesë e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetuese në vitin 2017.

Në atë kohë, trupa e Apelit të Shkodrës kishte në shqyrtim disa të pandehur për pjesëmarrje në manifestim të paligjshëm. Për gjyqtarët në Shkodër, neni 262 i Kodit Penal, i cili dënonte aktivitetet pa leje, duhej shfuqizuar.

Shkelje e të drejtave të njeriut

Për të arritur në konkluzion, Gjykata Kushtetuese ka marrë në konsideratë Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, qëndrimet e Komisionit të Venecias, si edhe praktikën e mirë të Gjykatës së Strasburgut.

Kushtetuta e Shqipërisë, e miratuar në vitin 1998, parashikon lirinë e tubimit si një prej të drejtave themelore të njeriut.

Kodi Penal, i miratuar në vitin 1995, tre vjet para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, parashikonte ndëshkim për personat që merrnin pjesë në tubime pa leje paraprake nga autoritetet policore.

Ligji për “Tubimet”, i vitit 2001, parashikon që, para organizimit të tubimeve, organizatorët duhet të bëjnë “njoftim me shkrim” pranë autoriteteve policore, që këto të marrin masa për mbarëvajtjen e protestës.

Siç konstatoi edhe Gjykata Kushtetuese, Kodi Penal që parashikon “leje” dhe ligji për Tubimet, që parashikon vetëm “njoftim me shkrim”, kanë paqartësi mes tyre.

Përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, të mbështetur edhe nga dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, mbështetën idenë se, pavarësisht se mund të krijohen keqkuptime mes termave, ligjvënësi e ka shprehur qartë vullnetin e tij pozitiv, kur në ligjin për Tubimet ka parashikuar vetëm “njoftim paraprak”.

Sipas Këshillit të Ministrave, kjo përplasje termash nuk e shndërron nenin e Kodit Penal në anti-kushtetues.

Por, situata në terren nuk ka qenë aspak një lojë fjalësh dhe “kakofoni” termash, siç u paraqit para trupës Kushtetuese nga zyrtarët e autorizuar prej kryeministrit Edi Rama.

Kjo dëshmohet nga fakti se, vetëm në 6 vitet e fundit, për shkak të “keqkuptimit” të termave, mbi 250 persona janë arrestuar, ndjekur penalisht dhe dënuar për pjesëmarrje në tubime e protesta pa leje apo që kanë tejkaluar orarin e lejes policore.

Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese mbajti një qëndrim tërësisht të ndryshëm nga argumentat e paraqitur nga Qeveria. Në tërësinë e tij, vendimi i zbardhur sqaron jo thjesht etimiologjinë e termave “leje” dhe “njoftim paraprak”, por, sidomos, pasojat në zbatimin në praktikë të tyre.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, “Fjala ‘leje’ nënkupton miratimin ose të drejtën që i jepet dikujt për të bërë diçka, për të kryer një punë a veprimtari të caktuar, për të përdorur a për të marrë diçka, ndërsa fjala “njoftim” ka kuptimin e lajmërimit apo e vënies në dijeni të dikujt.

Nga ky krahasim gjuhësor konstatohet se bëhet fjalë për dy terma të ndryshme, që përfshijnë dy lloje të ndryshme sjelljesh, te të cilat është e qartë që leja mbron vetëm qytetarët që nuk marrin pjesë në tubim, ndërsa njoftimi u shërben jo vetëm atyre, por edhe pjesëmarrësve në tubim”.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, “Shteti ka detyrim pozitiv të mbrojё aktivisht tubimet paqësore dhe të ligjshme. (Nëpërmjet “njoftimit paraprak”)Mund të kërkohet të ndërhyhet për të siguruar kushte që lejojnë ushtrimin e lirisë së tubimit dhe kjo mund të kërkojë marrjen e masave pozitive për të mundësuar që tubimet e ligjshme të vazhdojnë në mënyrë paqësore”.

Në foto: Pjesë nga argumentat e shumicës së Gjykatës Kushtetuese

Për shumicën e anëtarëve të Kushtetueses “këto dy terma nuk janë në harmoni me njëra-tjetrën në atë masë që krijojnë pasiguri dhe paqartësi.

Në këtë situatë organizuesit dhe pjesëmarrësit në tubim e kanë të paqartë se cilit ligj duhet t’i referohen për të ushtruar lirinë e tubimit dhe të mos mbajnë përgjegjësi penale, pra nëse duhet të marrin leje (të paraqesin kërkesë dhe të presin konfirmim) ose nëse duhet të bëjnë thjesht njoftim me shkrim. E njëjta paqartësi krijohet edhe për Policinë e Shtetit dhe organet e ndjekjes penale, që nuk mund të zgjidhet me metodat e interpretimit”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vlerësoi se togfjalëshi “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në përmbajtje të nenit 262, paragrafi i parë, të Kodit Penal, “cënon lirinë kushtetuese të tubimit” dhe për këtë arsye vendosi shfuqizimin e saj.

Dyshja në pakicë e Gjykatën Kushtetuese kishte një qëndrim tërësisht të kundërt. Sipas gjyqtarëve Toska dhe Binaj, megjithëse legjislacioni ka një lloj paqartësie në lidhje me termat “leje” dhe “njoftim me shkrim”, ata këto më shumë i vlerësojnë si problematikë të shkrimit të neneve, sesa në zbatimin në praktikë të tyre.

Në foto: Pjesë nga “Mendimi i pakicës” së Gjykatës Kushtetuese

Sipas mendimit të pakicës, “u takon autoriteteve administrative dhe gjyqësore (shefave të komisariateve të policisë, dhe gjykatave të zakonshme), të sjellin qartësi në zbatimin në praktikë të ligjit, në përputhje me standardet më të mira kushtetuese dhe ndërkombëtare”. /Boldnews

Rruga Press

Next Post

Kushtetuesja rrëzon qeverinë: Shkarkimi i Zef Hilës i paligjshëm!

ShpërndajeGjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë, që më 28 Qershor 2019 vendosi shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila. Vendimi i marrë më 10 Maj dhe i shpallur këtë të Premte është i formës së prerë. Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin nga detyra […]