BallinaEditorial

Vjen gjithmonë ai çasti…

Nga Krenar Zejno, trotuarit, anës lanës, Tiranë

Poezi nga Krenar Zejno

Për një teatër, ekzekutuar pas shpine në pikë të natës, tragjedia e vërtetë luajtur në të e me të, mbet se as me principin për të përsëritur një skenë jete, e gjer me të bërit e vetes fli, nuk ia mbërriti dot t’ia përcillte më qartë jetës mesazhin e përsëritjes së një skene: se si pas tij do të ekzekutohej pas shpine në pikun e natës edhe njeriu.

Kur e përmendëm para pak ditësh Alber Kamynë me shkas ditëlindjen e tij, ishte më shumë për shkak të dramës “Kaligula” kryevepër e kryer në moshën veç 20 e ca vjeç. Dhe Kaligulës si perandor mizorie reale, që realisht emëroi gjer kalin e tij senator. E jo thjesht për informacion dijenie letrare a kënaqësi estetike, i vërvisim faqet e librave nëpër rrjet, përkundër vetë etikës së botimit si akt, po edhe për të përsëritur e mbase parajmëruar një skenë. Për të ndërhyrë e kuptuar mbase edhe dramën e një kali, që në dallim nga njeriu, sidoqë mund ta ndjejë fizilogjikisht gjendjen e re nga tagjia e veçantë që po i siguron satusi si senator, nuk mund ta kryejë dot vetë dorëheqjen nga kushti. Dhe pastaj sesi Kaligula degjeneroi e shkatërroi tërë një perandori në shërbesë të mynxyrës së fjalamanisë së tij, dhunti për të kapur e kallur të tjerët brenda lojërave me delir prej silogjizmi të sëmurë.

Kur përmendim ripërsëritjen e një skene filozofie në moton Kamy “rebelohem pra jam” te “Njeriu i revoltuar”, por këtu në shërbim të hallit për të ushqyer shpirtin e rebelimit, ia njohim hyrjen në hak letërsisë dhe shkrimtarit. Duke e ditur mirë se halli i tij rreh më së pari te ajo lloj proteste ngritur në rrafshin estetik e ekzistencialist, si e vetmja kundër Absurdit të pakuptiimtë të jetës, e jo drejtpërsëdrejti ndaj kusureve të konkretes dhe shtypjes prej pushteteve. Kamy ishte ndjerë “I huaj” dhe qe dorëhequr nga kategoria e “ekzistencialistëve”. Por, nën konceptimin e tij antimarksist dhe kritikën totalitariste të komunizmit real, kurrsesi nuk hiqte dorë një si ai, që sërish rikthehej të përsëriste skenën e shtysave të vetvetes në rini, dhe definicionit pa ekuivok se: “vjen gjithmonë një çast ku duhet me zgjedh mes aktit të kundrimit dhe aktit të veprimit, e kësaj i thonë të bërit njeri”. Sa më shumë kohë kalon, aq më tepër vetë koha shkon e vërteton atë të vërtetë versioni mizor të vdekjes së Kamysë e mikut Gallimard me hedhje në erë, përplasur me pemën. Porse 60 vjet më parë, ende nuk kishin mbirë plotësisht ekolologjizmat dhe izmat gjithëfarësoji që fshehen sentimentalisht pas peme.

Sa herë e kemi përmendur teatrin dhe barrën e artistit me misionin që të mos lejojë që rrënoja të shndërrohet gërmadhë, nuk është kërshëri për lojën e fjalëve, por rrekje drejt një koncepti dallimi. Dhe jo rrallë një qëllimi. E metaforat nuk e kanë krejt pa pishman të jepen e të japin nga vetja në përdorimin e angazhuar performance diku, por ja që është dhe nevoja për ndryshim që konteksti dikton.

Kur përmendëm para dy-tri ditësh që Teatri Kombëtar i Kukullave tona paska 70-vjetor e do t’i kishin hije thinja e rrudha, lexuar si metaforë, nuk se prisnim një datë për të shpallur një ese si ‘Vaji i kukullave‘ dhe shpërfilljes së tyre që i mjafton vetvetja të kallë datën. Mirëpo, është edhe ai çasti ku lypset të zgjedhësh nga e para: mes kundrimi dhe veprimi. Në një nga librat e hershmërisë, të viteve të Algjerisë së tij në kushte të rënda, Kamy thotë marazin: “nuk ekziston një shfaqje më dëshpëronjëse se kjo mizerie, mu në bash të vendit më të bukur në botë.”

Edhe këtë poezi, po e hedh parakohe në datën e vendin që nuk i takon. Është si t’i flasësh e lutesh një çasti të trishtë dhe të presësh të dëgjojë një Krisht. Do t’i mjaftonte vendit ku rri, në librin “Për në jug të gjërave kjo hartë virgjine shpalosur dheut gati të çelë botë”. Por, i bie si nën premtimin e një lodre të presësh kërshëndellat pa rrezikuar të shfaqesh çilimi. Kundera, që pa ç’ishte terri i propagandës, na thotë diku përvojën e tij sesi ‘diktaturat i katandisin popujt e tyre në popull fëmijë’.

Mirëpo, vjen gjithmonë ai çasti… i çarjes në rendin e gjërave… ose thjesht rendjes infantile për në renditjen ndryshe të lodrave.

Rruga Press

YouTube player