ZËRAT E ZHDUKUR QË THËRRASIN NDËRGJEGJJET E HESHTURA

RrugaPress2
0 0
Shpërndaje

Nga Hana Mitrovica

Në fundvitin e 2020-ës, përfaqësuesi i Grupit Punues nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Fabian Bourdieu, kishte dhënë njoftimin mbi përgatitjet ekipore mjeko-ligjore për punën e cila do të sqaronte të panjohurat e domosdoshme për të mbyllur një kapitull tmerrësisht të vështirë në jetën e shumë familjeve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë. 

Pasiguria e dhimbshme si pasojë e të panjohurave përkitazi me të vërtetat që duhen zbardhur në lidhje me personat e zhdukur, s’do mend se paraqet barrë të madhe për familjet, por, gjithashtu do të duhej peshuar dhe mbi ndërgjegjjet e secilit pjesëtar të shoqërisë shqiptare.

I dhimbshëm por, i natyrshëm është fakti se: familjarët në pritje të së vërtetës, kur  ballafaqohen me mungesën e një evidence konkrete, vështirë se do të mund ta pranonin vdekjen, aq më pak në rastin e të dashurve që përbëjnë kategorinë e personave të zhdukur gjatë luftës.

Në aspektin e hulumtimeve shkencore, ekzistojnë një varg etapash nëpër të cilat kalon njeriu kur humb një ose më shumë persona të dashur. Duke mos harruar në asnjë çast se këtu kemi të bëjmë me humbje si pasojë e veprave kriminale në situata dhe rrethana lufte, siç është rasti me familjarët e të zhdukurve në Kosovë.

Gjithnjë sipas studiuesve, disa nga etapat e ballafaqimit me humbjen e të dashurve janë:

1. Mohimi; 2. Ndjenjë e thellë zemërimi; 3. Negocimi me dhimbjen dhe realitetin ( psh. “jam e gatshme të pranoj çkado tjetër, vetëm mos të jetë e vërtetë kjo humbje” ); 4. Deprimimi ( psh. “jam tepër i trishtë tani dhe i pafuqishëm për të ndërmarrë çfarëdo” ) dhe 5. Pranimi, zakonisht ndër fazat e fundit të procesimit të dhimbjes shpirtërore, shkaktuar nga humbja (“jam në paqe me atë që më ka ndodhur, i gatshëm për ballafaqim dhe për ta vazhduar jetën”). Kjo e fundit në perspektivën më optimiste, por, jo gjithmonë ndodh. Përkundrazi. 

Gjendja shpirtërore nuk është gjithmonë aspekt lehtë i hulumtueshëm në bazë të parametrave shkencorë.

Ndërkaq, në aspektin shpirtëror, në raste të tillë të humbjeve në fjalë, pamundësohet çfarëdo procesimi  nënkuptueshëm i shtresëzuar e shumë kompleks i dhimbjes dhe pikëllimit, për të arritur tek stadi i përmbylljes së një kapitulli të dhimbshëm, shkruar mbi tragjedinë e viktimës potenciale të luftës dhe familjes.

Ndryshe, po aq e rëndë do të ishte hapja një kapitulli të ri për vazhdimin e jetës, gjithsesi me plagë që mbesin e lënë shenja të përjetshme tek familjarët e mbijetuar të luftës. Do të mjaftonte po të përpiqej njeriu, cilido njeri, ta paramendonte peshën e ndjenjës së fajit me të cilën do të duhej të jetohej për sa të ketë frymë, bashkë me dhimbjen për humbjen e më të dashurve në luftë, 22 vjet më parë.

 “Prandaj”, dhe thotë Bourdieu “për ne, kërkimi i njerëzve të zhdukur është kryesisht, e mbi të gjitha një detyrë humane shumë e rëndësishme dhe e ndjeshme si vepër humanitare “.

Gjatë dy dekadave, janë evidentuar dëshmi dhe katër lokacione, të cilëve u shtohet edhe i pesti vendi i quajtur Kizhevak, aktualisht  në përmbyllje e sipër të kërkimit.

Kujtojmë nga dosja e Fondit për të Drejtën Humanitare me titull – “Operacioni i fshehjes së trupave” – ku evidentohen edhe vendet tjera me trupa të viktimave, si në: Batajnica, Peruqaci, Petrovo Sello, Rudnica . . . Ndërsa, lokacioni i fundit (në vijë ajrore) shënon pikën prej vetëm disa kilometrave jasht e larg kufirit me Republikën e Kosovës. Pra, pothuaj vis-à-vis,  midis dy shteteve : Kosovës dhe fqiut të saj antipod – Serbisë. Por, në mungesë të infrastrukturës rrugore midis dy vendeve në ate segment, rruga reale nga njëra pikë tek tjetra, dy shtetet i ndanë me një distancë rrethore prej 238km, rreth e përqark. 

Sipas të dhënave nga dosja “Operacioni për fshehjen e trupave”, zbulohet se trupat e shqiptarëve të Kosovës u dogjën gjithashtu fshehurazi në dy vende tjera në Serbi, te: Kompleksi i Aluminit Maçkaticë të Surdulicës dhe te Kompleksi i Minierave dhe Shkrirjes së Bakrit në Bor. Në dosje përmendet edhe Uzina Feroniklit.

Raportet e fundit për të zhdukurit e luftës në Kosovë, kumtojnë se në gërmimet pranë Rashkës, në Kizhevak, u gjetën mbetjet mortore të më së paku dhjetë personave tjerë. Varreza në atë minierë, ka të bëjë me varrezën masive të zbuluar në vitin 2014, ku u identifikuan 54 trupa. Këta supozohet të jenë viktima të masakrës në fshatin Rezallë të komunës së Skenderajt.

Përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur të Kosovës, me saktësi shkencore të cilën nuk duhet neglizhuar, me të drejtë pohojnë se:

“Ndaj këtyre viktimave të luftës është bërë krim makabër i trefishtë: Së pari, duke i vrarë e masakruar; Së dyti duke i zhvarrosur, bartur dhe shpërndarë nëpër vende të ndryshme të  shtetit të huaj fqinj – agresor, dhe krimi i tretë, fshehja, për më se 21 vjet me radhë, e qëllimshme e trupave të të vrarëve e të masakruarve”.

Pra, krim mbi krim, me qëllim fshehjeje të gjurmëve.

Por, kronikat numerifikuese tërthori kësisoji nuk mjaftojnë si përgjegjësi e vetme që duhet bartur e për  >> t’i dëgjuar zërat e zhdukur që thërrasin ndërgjegjjet e heshtura <<

Patjetër se kjo vlen për mbarë shoqërinë, e para së gjithash kur kemi të bëjmë me subjektin ndërkombëtar. Ky i fundit, si garantues dhe shembull i vlerave dhe parimeve bazë të barazisë, mbi të cilat pretendohet se do të duhej themeluar çdo demokraci e që në rastin më të thjeshtë do të thoshte e do të mund të përkufizohej si: e drejta dhe e vërteta. Jetike për dialog.

Angazhimi për paqe dhe përmbyllje të luftës i ka takuar faktorit ndërkombëtar, respektivisht,  potencave ushtarake dhe diplomatike të të njëjtit. Ndaj, tani në prag të dialogut minimumi do të ishte që pranë SHBA si partner kardinal i Republikës së Kosovës, të bashkëngjitej me një rol më aktiv dhe të determinuar edhe Bashkimi Evropian. BE aktualisht pretendon të jetë në një fazë të riafirmimit të vlerave të saja rreth të cilave është ansambluar. Ka borxh historik të jetë aktor udhëheqës i denjë i dialogut për të cilin Kosova duhet të bëjë përgatitje titanike me të gjitha energjitë në dispozicion: institucionale, politike, administrative dhe intelektuale.

Rruga Press

Next Post

Britania e Madhe miraton vaksinën Pfizer për 12-15 vjeçarët

ShpërndajeBritania e Madhe ka miratuar vaksinën antiCOVID-19 Pfizer/BioNTech për përdorim te fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç. Agjencia Rregullatore britanike e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) autorizoi sot përdorimin e vaksinës në grupmoshën më të re pas një rishikimi të sigurisë, cilësisë dhe efikasitetit të saj. Vaksina […]