Editorial

8 gusht 1991, Durrës-Tiranë

Nga Klejd Këlliçi

Në 8 gusht 1991, isha në plazh bashkë me disa prej djemve të lagjes. Shkonim të takonim disa shokë të tjerë të cilët kishin zënë vend në Kavalishencën e Punëtorëve, diku në fund të plazhit Iliria. Diku nga mesdita, u ngrit një re e vogël tymi. Plazhistët filluan të rendnin drejt Durrësit. U përhap lajmi se porti ishte hapur, e pupthi plazhistët veshur vetëm me rrobe banjo u sulën drejt Durrësit. Pak kush nga shokët e mi kishte dëshirën për tu larguar. Ndofta një prej arsyeve ishte dhe premtimi që për drekë do të pinim gazosë, një pije tip aranxhatë italiane, që e kish gjetur nëna e një prej shokëve të mi, e që punonte pranë një prej ndërtesave që shteti shqiptar i kish dhënë me qera Hajdin Sejdisë. Dreka shkoi mirë, në luksin e atyre dy shisheve që u thanë por nuk u hodhën. Dikush prej bujtësve të hotelit kish marrë vesh që po pinim një pije të huaj e u qas në derë duke na kërkuar nëse mund ti jepnim shishet bosh.

Pasdreka në plazhin gjysëm bosh, vijoi qetë. Dikush na lajmëroi që disa djem të tjerë të lagjes ishin larguar drejt Durrësit. Pa bërë qefin qeder vijuam plazhin deri rreth orës 3. Më pas u drejtuam në xhade ku prisnim autobuzët ‘Saviem’ që ditët e djela braktisnin linjat e Tiranës për të çuar e kthyer plazhistët e të djelës në kryeqytet. Pas një ore të mirë pritje, asnjë autobuz nuk dukej. Pak të shqetësuar morëm autobuzin e linjës Plepa-Durrës. Na la diku afër karburantit, në hyrje të qytetit. Zhurma e tollovia e njerëzve nuk pushonin. Diku poshtë eukalipteve ishin mbledhur plazhistë, familjarë të frikësuar, ndërsa me shpejtësi solmene përballë, në Stacionin e Trenit, ja befte një tren që lëvizte i mbuluar me njerëz gjysëm lakuriq. Ishte treni i fundit që vinte nga Tirana…Të përfshirë nga paniku, njerëzit poshtë strehës së pikës së karburantit spo dinin çtë bënin. Ishte e qartë që treni do të kishte pak shance që treni që kish ardhur, të nisej drejt Tiranës. Në atë 2-3 orësh të konsumuar në hyrje të Durrësit, u mblodhën jo pak familjarë e njerëz të moshave të ndryshme, me ankthin e kalimit të natës në qiell të hapur. Diku në anë të stacionit të karburantit ishte parkuar keq një Zis. Dikush nga të pranishmit u ofrua ta thyente derën, ta ndizte e të na çonte në Tiranë, me kusht që të mos e denonconim. Ashtu keqazi, hipëm në karrocerinë e kamionit, ngjitur si sardele, me shpresën e kundërt të atyre që mësynin Durrësin, të shkonim në shtëpi. Rrugës, Zisi i tej mbushur, herë lëkundej majtas e djathtas, deri sa dha ‘shpirt’ diku në hyrje të Marikajt, goxha larg Tiranës, aty mes fushave të mbjella me misër, morëm rrugën në njësh kolonë, drejt Vorës.. Ashtu si papritur Zisi që kish dhënë shpirt u shfaq, e këtë rradhë ‘shoferi’ hajdut e bujar nuk ndaloi.. Me gjasë siguroi prenë e tij dhe pamundësinë që dikush ta denonconte, e u zhduk në horizont. Të gënjyer, vazhduam rrugën drejt Vorës, deri sa në horizont u shfaq një kamion Liaz, shoferi i të cilit pranoi të na merrte me kusht që të na linte në Vorë. Pas më pak se 10 minutash udhëtim ja mbërritëm në Vorë. Ishte hera e parë, ndofta dhe e fundit, që shkela në atë qytet, të cilin më parë e kishim kundruar me pak interes nga xhamat e trenit. Për shumë nga ne Vora ishte vetëm një pikë orientimi nga ku kuptonim se ishim në gjysëm të rrugës për Durrës, e
vetëm kaq. Atë 8 gusht, Vora ishte shpresa e komunikimit me familjet në Tiranë, e ndofta vendi ku do të duhej të kalonim natën deri sa të vinte ndonjë makinë a autobuz rasti. Për të rrokur me sy Vorën e asaj kohe, mjaftonte ti lëvizje sytë, pak gradë. Një qytet pa ndonjë element të veçantë dallues… 4-5 pallate pesë katëshe, me tulla të kuqe, shtëpi private e kaq… Megjithatë, qytetet e komunizmit kishin një prerje standarte përsa i përket institucioneve..Ishin të gjitha bashkë në një vend. Aq sa ishim, të drobitur nga rruga e pasiguria e kthimit ja behëm në postë… Akrepat e orës, shënonin 6.30, më shumë nga forca e gravitetit se sa për saktësinë e orës. Ishte rreth tetë e darkës, por ora e postës së Vorës nuk punonte. Në atë fillim shkalafitje që kish kapluar shtetin shqiptar, ishte dhe posta e Vorës, me mure gjysëm të rrjepura, xhama gjysëm të thyera e punonjëse paqef, që qëndronin pas banakut. Lypëm një mundësi për tu lidhur në telefon me Tiranën… Shpresonim që dikush nga shokët, që posedonte një prej 3 telefonave të shkallës, të fliste me familjen, në mënyrë që të lajmëroheshin dhe prindërit e tjerë. Hiç…punonjësja e postës na hoqi shpresat..asnjë prej telefonave nuk punonte e mundësitë e komunikimit me Tiranën ishin zero. Të lodhur në njëshkolonë u drejtuam në rrugën kombëtare, gati për të ecur ato 20 kilometra, aq sa ishte distanca mes Vorës dhe shtëpisë. Diku pas 100 metrash, rruge dëgjojmë zhurmën e një makine. Ishte një Fiat Mirafiori, shoferi i të cilit pati mirësinë të ndalonte. Kishte vetëm dy vende të lira. Nuk mund të na merrte të gjithëve. Si përfundim u vendos që unë bashkë me më të voglin e grupit, vëllain e një prej çunave të lagjes, të hipnim në makinë. Pas ndonjë gjysëm ore udhëtim zbritëm, tek Ministria e Arsimit. Në një Tiranë të shastisur e gjysëm bosh, u futëm mes rrugicave deri sa dolëm në rrugën ‘Myslym Shyri’. Përkundër qetësisë së rrugës kryesore, rruga mes pallateve gëlonte nga njerëzit. Baballarë, mama, gjyshe e gjyshër të preokupuar për mos kthimin e fëmijëve. Të pakët qenë ata që munda të qetësoj, 5 familje, për të tjerë nuk kishte lajme. Shokët e mi të mbetur prapa u kthyen pas një marshimi prej 20 km, diku në orët e para të mëngjesit.

Për rrugën tonë, ato 6-7 hyrje pallatesh, 8 gushti i vitit 1991, ishte një aventurë gati tragjikomike. Shumë kush na talli pse u kthyem në Tiranë e nuk morëm rrugën e Italisë, dhe pse pas pak ditësh, lajmet që vinin nga Bari na dhanë të drejtë. Përpos kujtimit të eksodit, nuk duhet harruar trajtimi në kufijtë e njerëzores që pësuan shqiptarët. Të dehidratuar, të uritur, veshur një pjesë vetëm me brekë banje, u mbyllën në stadiumin “delle Vittorie”, për tu mbajtur me ditë e ushqyer si kafshë nga ajri. Në pak ditë, pjesa më e madhe u kthye e pakkush arriti ti përvidhej përndjekjes së policisë italiane. Kush sheh pamjet e stadiumit mbushur plot me njerëz të dëshpëruar e rrethuar nga policia, kupton se 8 gushti ishte po aq tragjik sa udhëtimet e dëshpërimta të refugjatëve afrikanë drejt brigjeve të Italisë sot.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *