Lajme

Gërvalla e cilëson shumë të rrezikshme iniciativën Ballkani i Hapur

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë të premten në Shkup se iniciativa Ballkani i Hapur, për Kosovën paraqet ide të rrezikshme.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të mini-Shengenit, e që nga dita e djeshme, Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët, si rajon, drejt BE-së, dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla, në një konferencë të përbashkët me homologun e saj në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.

“Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit dhe ky proces quhet Proces i Berlinit, në kuadër të të cilit për disa vite synojmë të shtyjmë përpara marrëveshjet që prekin të gjithë qytetarët. Në këtë iniciativë, Republika e Kosovës është shtet i barbartë me pesë shtetet tjera të Ballkanit”.

Lexo më shumë  Kryeminsitri Kurti bashkëbisedoi me pjesëtarë të mërgatës në Hanover të Gjermanisë

Procesi i Berlinit, iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka filluar në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.

Sipas Gërvallës, iniciativa në fjalë vë në pikëpyetje edhe qëllimet gjeostrategjike që ka rajoni.

“Kjo iniciativë e quajtur më parë mini-Shengen dhe tani Ballkan i Hapur, vë në pikëpyetje përcaktimet gjeostrategjike që ka rajoni ynë, sepse në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik” ka theksuar ajo.

Lexo më shumë  Kurti në ‘STEMinists’24’: Zhvillimi i shtetit - përparimi i qytetarëve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar të enjten edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.

Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit evropian dhe jo nismave që, sipas tij, janë të dëmshme për shqiptarët.

Ideja e “mini-Shengenit” Ballkanik, është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. /REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *