Speciale

Jo vetëm krizë | Guido Guglielmi

Prej kohësh tashmë flitet për krizën e kritikës letrare, për krizën e kulturës në përgjithësi, për krizën e romanit, për krizën e letërsisë, dhe ky është një fakt për të cilin të gjithë bien dakord. Qysh disa vjet më parë Segre foli për krizë: mendoj se përfundimet e tij provizore mbi gjendjen e kritikës janë sigurisht të pranueshme.

Unë besoj se kriza e kritikës është ngushtësisht e lidhur me krizën e letërsisë: nëse ka letërsi, ka kritikë, nëse nuk ka letërsi, kritika vdes. Nuk është e mendueshme një letërsi që nuk ushqehet nga arsye, pra nga arsye kritike. Kjo do të thotë, sipas mendimit tim, se edhe në vitet në vijim fati i kritikës do të qëndrojë ngushtësisht i lidhur me atë të letërsisë. Por, përveç të tjerash, të deklarohesh rreth kësaj teme është e rrezikshme. Personalisht mendoj se letërsia ka një mundësi të sajën, edhe pse mediumi letrar nuk është më, prej njëfarë kohe, mediumi qendror i kulturës. Shkrimi mbetet thelbësor, edhe pse nuk ka më dhe nuk mund të ketë më atë pozicion mbizotërues, madje ekskluziv, që ka pasur për një kohë të gjatë. Që kur ekzistojnë kinemaja, fotografia dhe mediat e tjera, shkrimi është ripërmasuar, ka gjerbur një rol të tjetërllojtë. E aq më tepër në ditët e sotme, ku si mjetet televizive, ashtu edhe ato informative ofrojnë mundësi që shkrimi nuk mund t’i ofrojë më. Sot, për shembull, një mesazh “avanguardist” (në kuptimin e ngushtë), nuk do të kalonte më përmes mediumit verbal: me shumë mundësi do të kalonte përmes mediave të tjera. Por gjithsesi, shkrimi vazhdon të ketë një funksion thelbësor, sepse gjuha e kritikës është gjuha e shkruar dhe e kam të pamundur të mendoj çfarëdolloj prodhimi të ndarë nga një reflektim, pra nga një kritikë. […]

Është e qartë se gjëja më e thjeshtë është delegjitimimi i  kritikës, duke thënë se “letërsia ka vdekur”, se nuk shihet më, sikur të ishte kjo vetë natyra e saj; por, nëse letërsia ka vdekur, si rrjedhojë edhe kritika ka vdekur. Nëse aktiviteti krijues shuhet, askush nuk do ta kuptonte më letërsinë dhe si rrjedhojë nuk do të kuptohej se për çfarë shërben kritika. Leopardi thoshte se e keqja e kohës së tij ishte firosja e ndijorit të nevojshëm për të kuptuar poezinë, një ndijor “i fituar”, në rastin e Leopardit i lindur nga leximet e Virgjilit, Horacit, Dantes, Petrarkës, etj. Nëse nuk ke këtë ndjeshmëri për tekstin, teksti të rrëshqet duarve. Për ta ruajtur këtë Leopardi imagjinonte dy lloje të letërsisë së re: një për të rafinuarit (ata që ende kuptojnë Virgjilin) dhe një trashanike, apo siç do të thoshim sot, të konsumit.

Leopardi i bënte këto diskutime dy shekuj më parë. Një shekull më pas Malarmeja e përsëriste këtë gjë, kur fliste për “grevën e poetëve”.

Tema e vdekjes së letërsisë ka shoqëruar të gjithë modernitetin, dhe nuk përfundon së diskutuari. Mund të jemi sidoqoftë optimist. Mendoj se ne duhet të operojmë sikur letërsia dhe kritika duhet “pavarësisht” gjithçkaje të vazhdojnë. Shprehja nuk është imja: rioshi Lukács fliste për romanin si një “art të të pavarësishtmes”. Të punosh, “pavarësisht”, paçka se shumë shenja mund të ngjajnë se i mbyllin rrugën një kreativiteti të ri, i cili ka të njëjtën peshë që ka pasur në ‘900-ën, kur – kujtojmë – edhe Galimardi si fillim refuzoi tekstin e Prustit.

Faktikisht, para së gjithash, letërsia të paktën deri dje ka rezistuar; dhe, së dyti, për të ekzistuar dukshëm ka pasur arsye të errëta dhe të vështira për të analizuar, ngase ka qenë një nevojë e saj. Letërsia, nga ana tjetër, nuk ka mbijetuar vetëm sepse kanë ekzistuar shkrimtarë të mëdhenj, të cilët, sot mund të mos jenë më. Në ditët tona, ç’është e vërteta, dhe në një mënyrë më vendimtare se dje, dija e vërtetë buron nga shkenca; gjithçka tjetër ngjan si hedhurinë. Por edhe në këtë gjendje të botës, e cila nuk është më humaniste, ekziston dukshëm nevoja për një të vërtetë, dhe letërsia funksionon nëse prodhon të vërteta, të cilat nuk janë të tipit shkencor. Ekzistojnë shumë kultura, shumë dije, të cilat janë të nevojshme, paçka se nuk janë të tipit shkencor. Etika për shembull. Nuk ekziston asnjë universal etik për të gjithë ne, për të cilën duhet të përpiqemi, ndërkohë ka një njëzëshmëri të të vërtetave shkencore, të cilat janë të kontrollueshme dhe të verifikueshme nga një komunitet shkencor. Me të drejtë Luperini flet për një komunitet hermeneutik: ai nuk është një komunitet shkencor, është një grup që shtjellon një vërtetshmëri të tekstit, i cili nuk mund të pretendojë një universalitet të tipit shkencor dhe që gjithsesi ka të ngjarë që të jetë i një rëndësie thelbësore për njerëzit. Megjithatë, nevojitet të dallojmë njohuritë letrare nga njohuritë ekzakte, të cilat kanë si bazë matematikën, gjuhët artificiale etj. Poezia është rigoroze pa qenë ekzakte; vetë kritika është një zhanër letrar që hallakatet sa nga letërsia, aq nga filozofia. Tekefundit, as filozofia nuk është shkencë. Nëse në vend të krizës së kritikës (siç ndodh përgjithësisht) do të flitej për krizën e filozofisë, do të gjenim të njëjtat probleme që kemi hasur për kritikën dhe për letërsinë. Por askush nuk do të pohonte kurrë se ekziston një krizë e shkencës, nëse jo e përkohshme, e qenësishme dhe në rritje. Kriza e shkencës nënkupton tjetër gjë: shkenca hyn në krizë në vendet ku nuk ushqehet në mënyrë adekuate dhe financiarisht; dhe atëherë do të ishte më mirë të flitej për krizën e institucioneve shkencore (si në Itali, për shembull).

Do të thosha duke e përmbledhur, se pikërisht ato dije që janë më të rëndësishme – në pikëpamjen antropologjike flas – që kanë të bëjnë me kuptimin e jetës, projektet dhe qëllimet e saj, sot i nënshtrohen shpërdorimit nga pritja e hutuar, nga konsumi. Përkundrazi, fenomeni nuk prek dijen shkencore, në të cilën janë të paktë kompetentët, secili në specialitetin e vet, dhe që nga ana tjetër ka zhvillime teknologjike të një rëndësie të madhe, të cilat ndryshojnë jetën e botës. Kjo është dija jo e tregtarizuar, që sot mbrohet dhe kultivohet me mjaft seriozitet, me angazhim të plotë; nga ana tjetër, letërsia nuk ka të bëjë me vetëruajtjen tonë, nuk ka pasoja praktike e të llogaritshme. Dhe atëherë pikëmbërritja e saj bëhet argëtimi (pa të cilin nuk mund të bëhet).

Por nëse refuzojmë adaptimin e artit të konsumit dhe artit jo të konsumit – këtu ligjërimi bëhet paksa kompleks, e për momentin nuk mund ta bëjmë këtu – nevojitet të përsëritet se letërsia, si reflektimi etik dhe reflektimi filozofik, informon në thellësi kulturën në kuptimin antropologjik. Prandaj duhet të punojmë sikur kritika të ishte e mundshme. Dhe të gjendet ndoshta një zgjidhje paksa paskaliane. Krizës së kritikës t’i përgjigjemi me pak më shumë kritikë.

© Përktheu Anxhela Lepuri

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *