Opinion/Aktualitet

Koncesioni i sterilizmit, shteti i ka paguar kompanisë 7.1 miliardë lekë

Koncesioni i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale në spitalet publike hyri në vitin e pestë të kontratës (nga 10 vjet gjithsej) teksa deri më tani, buxheti i shtetit ka paguar kompaninë Sani Servis me 7.1 miliardë lekë, ose 57% të vlerës së rishikuar të kontratës prej 12,3 miliardë lekësh.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se kontrata nisi të përfitojë pagesa që në vitin 2017, teksa deri në fund të 2021, buxheti i shtetit e ka paguar këtë shërbim me 57 milionë euro. Të dhënat tregojnë se pagesat ndaj kompanisë deri më tani e kanë kaluar me 4.7 herë vlerën e investimit prej 1,5 miliardë lekësh të publikuar në kontratë.

Vlera reale e kontratës mbetet e diskutueshme për shkak se pagesat bëhen pas çdo ndërhyrje kirurgjikale. Duke qenë se kur u nënshkrua kontrata, nuk u parashikua saktë ecuria e numrit të operacioneve vit pas viti, pagesat ndaj kompanisë rezultuan shumë të larta se vlerësimet fillestare prej 9.6 miliardë lekësh.

Ministria e Financave, në projektbuxhetin e vitit 2021, raportoi se, vlera e plotë e kontratës së koncesionit të sterilizimit është 12.3 miliardë lekë, por në projektbuxhetin e vitit 2020 financat bashkë çuan në Kuvend një tabelë ku thuhej se, vlera e plotë e kontratës së sterilizimit është 16 miliardë lekë.

Lexo më shumë  Bushati: Telefonata e Ramës ndaj medias italiane, si thirrja e një kapo bande

Kontrata e Koncesionit/PPP “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimwsh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale” ka në objekt të punës së saj menaxhimin e qendrës së sterilizimit, ofrimin e instrumenteve kirurgjikale sterile sipas setit të personalizuar, veshjet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve mjekësore me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale ku do të ofrohet ky shërbim.

Projekti shtrihet në të gjitha spitalet universitare, rajonale dhe spitalet bashkiakë. Aktualisht ky projekt është në fazën e operimit.

Referuar të dhënave të raportuara, numri i ndërhyrjeve dhe vlera e rimbursuar e këtij shërbimi ka ardhur në rritje ndër vite. Për vitin 2020 janë realizuar 44,956 ndërhyrje, ose rreth 96% e planit vjetor të parashikuar (47,000 ndërhyrje – referuar planit të ndryshuar) pa përfshirë paketimet me avull, që për të njëjtën periudhë janë 59,461 të tilla.

Lexo më shumë  Kur do ketë Tirana guximin t’i kujtojë Athinës gjenocidin grek në Shqipëri në 1914?

Ulja e numrit të ndërhyrjeve për vitin 2020, ka ardhur si pasojë e kufizimit të ndërhyrjeve të planifikuara gjatë muajve mars-prill 2020 për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Kjo kontratë financohet tërësisht me fonde publike, sipas metodës (pay x use) në varësi të numrit të pacientëve, të cilët do të duhet të marrin shërbimin. Për shkak se në këtë lloj shërbimi nuk mund të parashikohet me saktësi risku i kërkesës, pesha specifike e llojit të ndërhyrjeve komplekse të përdorura, sqaroi Ministria e Financave.

Për shkak të tejkalimit të pagesave të parashikuara gjatë vitit 2019, për këtë kontratë koncesioni u materializua risku i rinegocimit, proces i cili u finalizua në vitin 2020. Palët ranë dakord se për të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale dhe obstetri-gjinekologji të kryera në strukturat spitalore që do të tejkalojnë kufirin e 63,000 ndërhyrjeve në vit, do të aplikohet një zbritje e barabartë me 25% të çmimit.

Monitor.al

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *