Speciale

“Unë jam minimalist!”/ Gjakftohtësia dramatike e Mads Mikkelsen

Nga Ryan Gilbey për British Film Institute, përktheu për Rruga Press nga origjinali Hana Mitrovica

Drogëshitës e psikopat, prind babaxhan a shakaxhi, Mads Mikkelsen yll i filmit ‘Edhe një gotë’ (Druk) të regjisorit Thomas Vinterberg, ndërtoi një karrierë të mahnitshme plot emocione, me talent, punë dhe përkushtim. Për të gjitha, do të mësojmë më shumë në vazhdimin e rrëfyer nga vetë Mikkelsen, kolegët dhe regjisorët që e njohin më së miri, sesi merr frymë, si i hedh përpara hapat e zhvillimit profesional, në vallëzim, dramë, me dinamizmin dhe dobësitë natyrshëm njerëzore që e cilësojnë.   

Mads Mikkelsen është aktor i gjithanshëm, sypatrembur, por, çfarë bën ai, në të vërtetë me aktin e tij? Në shumicën e rasteve? Jo edhe aq shumë. Kështu të paktën thotë ai vetë me kënaqësi të madhe, gjatë pushimit midis xhirimeve  për vazhdimin e tretë të filmit “Bishat” (The Fantastic Beasts).

Kohëve të fundit u hodh edhe me parashutë, në rolin e magjistarit Gellert Grindelwald, si zëvendësim për Johnny Depp. “Unë mendoj se jam minimalist,”  thotë 55 vjeçari danez, “ekzistojnë energji me të cilat mund edhe të mashtroj, viduloj me to, lëviz më shpejt ose më ngadalë, më lehtë ose më rëndë se zakonisht.”

Qetësia dhe heshtja bëhen ai!

Me prezencë korpulente të skulpturuar mirë, me aktin mëtues dhe me përkushtimin e pashoq, të gjitha këto bëjnë që rolet e tij të jenë më bindës dhe dramatikë.

Drogëshitësi (1996)

Ta shohësh sot në rolin e tij të dikurshëm prej ekcentriku, në rastin më të mirë, do të ishte shokuese. Mads Mikkelsen me kokë të rruar e manovrime me thikë në trillerin kinetik të lartshqipëruar, të regjisorit Nicolas Winding Refn (Pusher). E shohim se si po sillej vërdallë me grusht-hekuri në dorë, fjalën RESPEKT të tatuazhuar me bojë terri zi në zverk. Dhe në të njëjtën kohë, bëhet krejt e pamundur të mos goditesh nga butësia dhe eleganca e tij e ngrirë. Buzëfryer, nën brazdat e ballit zgavrat me sy të futur thellë në qeska, shikimi plot pikëllim . . . thekshëm në kontrast me vrazhdësinë e personazhit. 

Drogëshitësi (1996)

Kjo dukuri u bart pastaj edhe tek personazhi i tij – Le Chiffre – në “Casino Royale”. Fizionomia tipike e një horri kundërshtar i 007-it, qe më pak goditëse sesa i tërë tensioni i thellë estetik midis Mikkelsenit të pashëm dhe sadizmit të personazhit të cilin e interpreton  (Le Chiffre psh. ishte i prirur të derdhte kohë pas kohe edhe ndonjë lot gjaku).

“Ai është misterioz,” thotë kolegia e tij Anna Mouglalis me të cilën bashkëpunuan në filmin  “Coco Chanel & Igor Stravinsky” (2009). “Asnjëherë nuk e dini se çfarë fshihet pas syve të tij.”

“Si aktor, Mads rrezaton këtë dobësi të madhe njerëzore të cilën e shpërfaq haptas, pa rezervë,  dhe është në gjendje ta ndajë në tërësi, me të gjithë, në mënyrën e tij më specifike dhe delikate” ~ Thomas Vinterberg

Gjuetia (2012)

Danezi Mikkelsen me bashkatdhetarin Thomas Vinterberg, mbetën dhimbshëm të nënvlerësuar nga vështruesit e kinematografisë, jo pak herë. Megjithatë, Mikkelsen fitoi ‘Palmën e artë’ si aktori më i mirë në filmin ‘Gjuetia’ me rolin e një edukatori foshnjoreje, i akuzuar në mënyrë të rreme për ngacmim. I denjë, thuhet në kritika, për t’u krahasuar me aktorin Henry Fonda në filmin ‘Njeriu i gabuar’ të regjisorit Alfred Hitchcock (1956). “Kjo pjesë u shkrua enkas për Madsin,” thotë Vinterberg. “Në fillim, u mendova për idenë që Mads ta luante rolin e farkëtarit, kongruent me atë të Robert De Niros në filmin ‘Gjuetari i drerëve’(The Deer Hunter). Mirëpo, ndjeva se një personazh me karakter të tillë, ishte tejet i fortë dhe në momentin e fundit vendosa që ta ndryshoj. Për kontrast, e bëra mësues kopshti. I dhashë një palë syze, unin e tij ‘ia ula gjer në tokë’ duke nxjerrur një Mads me ndjeshmëri të paparë, të cilën vetëm ai ka guxim ta ndajë me mbarë publikun”.

Edhe një gotë (2020)

Edhe një gotë (2020)

Eksterne ishte kriza e personazhit të Mads Mikkelsen në filmin ‘Gjuetia’. Ndryshe nga filmi ‘Edhe një gotë’ ku kundërthëniet e kanosin ashpër nga brendia. Këtu në rolin e Martinit, gjithashtu pedagog, porse kësaj radhe Mikkelsen ka punë me njomëzakët e moshës universitare. Në skenën e parë, ai rri ulur pas katedrës, i kapluar nga një sëmundje e papërcaktuar. Nuk mund të parashihte se kah po shkon jeta e tij, bile as të mbërrinte deri në fund të një fjalie të vetme. Teksa po vërdallosej, nuk po i dilte zot as ligjërimit ndër kapituj të lëndës së historisë. Ndërkohë studentët e tij nisin të nuhasin edhe gjak. Të  pakënaqur me mësimdhënien e çrregullt, ata fillojnë të tallen. Njëri madje e lëshon klasën – dhe, të shohësh spektaklin ku dikush ia kthen shpinën këtij aktori me omniprezencë karizmatike, është diçka e paparamendueshme, sa s’bën. Paradoksi është i drejtëpërdrejtë dhe qëndron fortësisht karshi të gjithë ligjeve të natyrës. Ngushëllimi i vetëm për dështimin ? Një gotë me miq të mirë.  

Të gjithë të goditur nga mosha e mesme sa edhe rezoluta për dëshpërimin bëhet simptomatike, e vetëdemaskuar. Ata propozojnë psh. të zbatojnë teorinë e psikiatrit të ekipit olimpik norvegjez, Finn Skårderud i cili me këmbëngulje insiston se : “për hir të efikasitetit në jetë, njerëzit duhet gjithmonë ta mbajnë njëfarë niveli konstant të alkoolit në gjak. Idea është se, sapo të arrijë niveli i alkoolit në 0.05 për qind,” – argumenton Skårderud, “jeta bëhet disi njëherazi më e rrjedhshme”.  

“Kemi të bëjmë me cirkun e personazheve të llafosur, të shfrenuar, me gjeste qesharake gjer në histeri kozmike,” shpjegon Vinterberg. “Mandej, na shfaqet i madhi Mads, me pedanterinë e tij të stërholluar gjer në përpikmëri, në hove madje, krejtësisht i pafjalë. E mu aty e shihni se në çfarë instrumenti përpikshëm të akorduar shndërrohet ai”.

Megjithë veçoritë zakonore në vend dhe raportin kulturor të Danimarkës me alkoolin, Mikkelsen beson se zhvendosja e personazhit të tij është universale: “shumë prej nesh, lehtazi mund ta kujtojmë atë ndjenjën e qëndrimit në platformën e hekurudhës, ndërsa hundësh po na ikën treni. Dhe nuk ka asgjë në këtë botë, asnjë gjasë praktike për ta kapur, se ai tashmë : na iku!”   

Wilbur dëshiron të vrasë veten (2002)

Secila lëvizje në vendin e vet

Mikkelsen e ka një metodë për t’i izoluar disa ndjesi. Ato i mban sa më larg. “I pëlqen gjithnjë të mësojë gjëra të reja,” thotë Lone Scherfig, regjisor i filmit të parë në gjuhën angleze për Mikkelsen, ku luan rolin e mjekut të zymtë e të heshtur nën titullin filmik “Wilbur dëshiron të vrasë veten” (2002).

Wilbur dëshiron të vrasë veten (2002)

“Këtu e shihni se si Mads jepet pas çdo rasti për të zotëruar një gjuhë të re, aftësi ose sport. Atij i pëlqejnë shumë sfidat fizike. Me to, pasurimi i aftësive shtjelluese në interpretim bëhet më i madh. Ani se, që nga fillimi kishte një bazë të fortë prej talenti natyral.”Scherfig ishte një nga mësuesit e tij në shkollën e teatrit në Kopenhagen, në fillimvitet ‘90, në periudhën kur Mikkelsen kalon nga gjimnastika e vallëzimi, në aktrim. “Jo se mund t’i mësoja gjë shtesë. Të gjithë e dinin se ishte jashtëzakonisht i talentuar. Për shkak të prirjeve të tij për vallëzim, kurrë s’kishte nevojë të ndalej e të mendonte dy herë para se të provonte një hap të ri në kërcim. Thjesht e sprovon vetën deri në skaj, për të zbuluar nëse mendja dhe trupi ia zgjidhin dilemën nëse disa lëvizje bio-motorike janë të qëlluara dhe të dobishme për rolin, ose jo.” rikujton regjisori Scherfig.

Lëvizjet skenike, e natyrshëm me to edhe lëvizshmëria e aktorit, të gjitha përbëjnë pjesët integrale të punës së tij. “Si fëmijë, unë ngjisja çdo gardh e pemë, dhe bëja marifete sipas dëshirës” thotë Mikkelsen. Me disa nga episodet e Monty Python, ai belbëroi frazat themelore angleze por, vendimtare qe vepra e Buster Keaton, një prej idhujve të tij të parë, i cili ia vodhi zemrën e njomë. “Për shijen e hollë, bukuria, hija dhe drama që ai zhvillonte, ka gjasa se do të ta dromcojë zemrën gjer në copë e grima. Ndaj, askush nuk duhet të më krahasojë me të. Unë vetëm se jam rritur duke u përpjekur t’i bëj marifetet e tij të çmendura. Fillova të vallëzoj shumë vonë, kështu që nuk kisha arritur ta formoj konstitucionin prej balerini. Isha gjimnast, po, se vetëm kështu mund të ekzekutoj akrobacione precize fizike. Mendoj se arsyeja pse njerëzit befasohen me mua është se: pikërisht brenda lëvizjeve që bëj, e gjej dramaticitetin më autentik. Përndryshe, pse t’i bëja?! Gjithmonë do të mbetem më i dashuruar me elementin fizik e dramatik sesa me estetikën si të vetme në aktin e vallëzimit.”

Komedia filmike është një tjetër kapitull, shpesh i rezervuar për bashkëpunëtorin e tij Anders Thomas Jensen. Mikkelsen dinte të ishte personazh ‘brutal’ edhe për regjisorët tjerë si, bie fjala, Refn me të cilin realizoi filmin “Kryengritja në Valhalla” (2009) ku paraqitet si bishë ciklopike monstruoze nga shekulli XI – me përçudnim i pafjalë dhe veç me një sy gjigant.

Pas dasmës (2006)

Vetëm nën regjisurën e Jensen ai mund t’i eksperimentonte prirjet e tij Kitoneske.

Pas dasmës (2006)

Mikkelsen dhe Jensen, na shfaqen edhe si bashkautorë në disa filma, përfshirë këtu grupin e dramave të fuqishme emocionale, aty ku Mikkelsen na shpaloset me kolegen e tij Susanne Bier në ‘Zemrat e Hapura’ (2002) dhe ‘Pas dasmës’ (2006)

Projektet që drejtoi, cilësohen me një shtazarakëri komike që zbulon, shprish e lëkund publikun tashmë të mësuar e adaptuar me një Mikkelsen të ridimensionuar, të kthjellët, të përmbledhur, të sjellshëm e të kujdesshëm. Goditje të vrazhdë vizuale merr shikuesi sapo ta sheh te ‘Heroi vogël’ (Sweeney Todd) apo te ‘Mishtorja e blertë’ (The Green Butchers) ose si prift krejtësisht besnik e idealist por, i cili kontrastualisht kryeson një komunitet kriminelësh tek ‘Mollët e Adamit’ ( 2005).

“Me pikëllimin e thellë që banon brenda tij, bëhet personifikim i trishtimit të pafund, ama pa lejuar që të duket i trishtë,” – thotë kritiku Wesley Morris. Gjeniu nuk ngecë as tek interpretimi i fallos binjak – një biondo flokëdredhur me gjurmë kau në ADN-në e tij, te filmi me titull: ‘Meshkujt me zemër pule’ (2015).  

“E pazakontë është edhe ndjesia e tij e fortë, si për komedinë ashtu edhe për dramën,” thotë Scherfig. “Kryesisht gjatë xhirimeve të regjisorit Anders Thomas Jensen, Mikkelsen qe në gjendje ta harxhojë tërë shiritin filmik”. Megjithëqë,  ky i fundit këmbëngulë se nuk ka qenë një demarkim i tij kastile. “Unë nuk marr këso ofertash gjëkundi. Natyrisht, nëse vëllezërit Coen do t’më kërkonin të isha pjesë e projekteve të tyre, do të shkoja me kënaqësi, por jo. Nuk qe rasti. Dhe, pastaj, pak njerëz po i punojnë llojet e komedisë që bën Andersi mendjehollë, me humorin e tij të mprehtë dhe të sofistikuar. Kjo më flen shumë, tejet. Se unë vërtet nuk jam një djalë i komedive romantike. Nuk mund të ulem i qetë kur e shikoj një të tillë; më bën të dal në ballkon dhe të bërtas nga dëshpërimi! Por, sensi i Andersit për humor, më duket i tejbotshëm. Personazhët i ka me mendje foshnjarake, paçka se banojnë në trupa të rritur. Ju s’e dini: kaq e mrekullueshme është të jesh i bezdisshëm dhe i pakuptimtë, e në të njëjtën kohë të besosh se gjithmonë ke të drejtë. Ka diçka shumë dramatike dhe njëkohësisht  qesharake këtu. ” Për filmat e Jensen, ai konkludon: “ju duhen aso lloje topthash që të bini mbi to dhe të sakatoheni njëherë e mirë, se . . . Nëse bie e nuk ndjen dhimbje? Kjo pastaj çfarë kuptimi do të kishte? Nuk do të kishte kurrëfarë kuptimi komik.”      

Hanibali (2013-15)

Hanibali (2013-15)

Trillimi i vrasësit

Nëse absurdi i plotë nuk iu shfaq nga burime të tjerë, Mikkelsen të paktën gjen rastin ta zbulojë atë me zgjuarsinë sistematike gradualisht, gjatë tre sezonëve në prodhim të Hanibalit (2013-15)  

Ishte përzgjedhje e guximshme, e mençur dhe radikale për ta marrë përsipër rolin e përjetësuar nga Anthony Hopkins në trilogjinë: ‘Heshtja e qengjave’ (1991), Hanibali (2001) dhe Dragoi i kuq (2002).

Për dallim nga shfaqja eksteriori e frytshme me interpretim të Anthony Hopkins, trazimi i Mikkelsen në versionin televiziv, zhvendoset përbrenda personazhit, me gjeste pothuaj të padukshëm. Shikimi i tij i ngrirë akull papritmas rrëshqet nëpër mur dhe me fiksim e shënjestron një si cohëz të varur në zyrën e tij (pacienti i cili e kishte lënë pas terapisë, nuk i mbijeton sezonit për të parë fundin e serialit).

“Interpretimi im duhej të ishte i tillë sepse personazhi kryesor rrethohet nga njerëz të cilët ky përfundimisht i mendon si miq të tij,” shpjegon ai. “Ishte e pamundur që Hanibali në versionin televiziv ta bënte atë gjënë e turbullt duke mbllaçitur me gjuhë midis dhëmbësh” (imiton zhurmën që Hopkins bën në ‘Heshtjen e Qengjave’ që shoqëron gjestin në momentin e ngrënies së mëlçisë së një viktime).

 “Kjo do të ishte tejet e çuditshme. Pos kësaj, askush më nuk do të donte të shoqërohej me të. Pas burgosjes së protagonistit kryesor në film, ne improvizuam diçka tërësisht ndryshe.

“Kombinimin e të qënit një personazh minimalist e arrin gjithsesi, por vetëm në çastin kur ai tregon ngjyrat e tij të vërteta karakteriale – bëhet vet djalli. Nuk kishte pse ta fshihte atëherë dhe nuk ka pse ta fshehë tani. Besoj se gjatë tërë filmit, Anthony kishte gjithsejt 15 minuta e pak sekonda kohë shfaqjeje në ekran [në Heshtjen e Qengjave] dhe jo më shumë. Por tensioni të cilin e krijoi në atë pesëmbëdhjetë minutëshin e interpretuar, bën që prezenca e tij të ndjehet thuajse në çdo skenë. Ky është lloji i ndikimit të virtuozit që bëri të mundur filmi të klasifikohet si akt i klasit botëror, thjesht mjeshtërore! Por, të gjithë e dimë se shfaqja televizive është një tjetër përbindësh.”

 Zemrat e hapura (2002)

 Zemrat e hapura (2002)

Kur kërkova nga Vinterberg të zgjedhë për të se cili ishte një nga interpretimet e preferuar të Mads Mikkelsen jashtë bashkëprojekteve të tyre, ai përmendi ‘Zemrat e hapura’. Mads shfaqet në rolin e mjekut, burrë i martuar por i pabesë në martesë. “Me lojen e tij, më mundi keqas!” thotë Vinterberg. “Aty qe aq i zhveshur e po aq i sinqertë. Ashpërsisht i sinqertë!”  

Filmi përbën disa nga veprat e tij më komplekse, meqë arrin të shpalosë në detaje jo vetëm zhgënjimin para ndërgjegjjes vetjake të personazhit të tij, pasi ta ketë tradhtuar familjen, por  e zhveshë edhe ndeshjen me tërë pafuqinë përballë dëshirave të vazhdueshme tunduese, sado patetike që mund të jenë ato. “Ai tregon  një dimension tjetër njerëzie dhe sinqeriteti në atë pjesë,” thotë kolegia Bier. “Porse, në të njëjtën kohë është edhe hamshor, shumë i pashëm dhe skajshmërisht mashkullor. Gjë që krijon një koktej tiparesh të pazakontë e diametralë, të gjitha të ngërthyera në karakterin e një personazhi. Pa sqima e pa vese. Një aktor tjetër mund të ishte përpjekur ndoshta ta bënte personazhin të duket më i mirë se ai vet, por kolegu im Mikkelsen shtruar i pranon dhe i përqafon të gjitha sfidat e ndërlikimet karakteriale në interpretim, me një nivel pjekurie krejt natyrale dhe të baraspeshuar njerëzore”.

“Unë mendoj se Lars von Trier do të ishte paksa i ndërlikuar për bashkëpunim. Këmbëngul kështu sepse jam pjesë e të njëjtës botë në të cilën punojmë, dhe refuzoj të jem veçse një kukull. Diçka më thotë se Lars preferon tjetër gjë.” – Mikkelsen

Ajo nuk ka punuar me të që nga projekti i fundit i tyre, mirëpo, Bier e ka përcjellur karrierën e Mikkelsen. Ajo na rrëfen :”Kur e shoh në disa filma, mendoj ‘a thua si ia del me ato projekte ku nuk ka shumë material për të?’ Ku nuk i jepet mundësia dhe hapësira e duhur për t’u dëshmuar në zanat, me gjithë talentin dhe mjeshtrinë e tij. E përkundër pengesave të tilla, ai është gjithnjë dhe më se i shikueshëm. Por unë prapë nuk e di se si ia del.” 

Edhe një gotë (2020)

Edhe një gotë (2020)

Mikkelsen këtu luan në tri nivele e midis: mposhtjes së moshës së mesme, fitores së përkohshme të betejës kundër konsumimit të alkoolit si dhe fantazmës së tij vetëshkatërruese. I shkëlqyeshëm në interpretim, mjeshtër balancimi mes euforisë, vitalitetit, pozimit solemn dhe pendimit introspektiv, Mads Mikkelsen me të drejtë u shpërblye si aktori më i mirë në ceremoninë e ndarjes së çmimit për filmin evropian, në muajin dhjetor të vitit të shkuar. Me filmin që fitoi edhe tre çmime të tjera, çfarë i mbetet për të bërë? “Ne kemi parë kaq shumë anë të tij,” thotë Vinterberg. “Beri gjithçka! Tashmë e pamë duke luftuar, të kacavirret e rrëzohet, të vrarë edhe si vrasës, në ballo duke vallëzuar . . . E tëra që na ka mbetur tani, të shohim e ta dëgjojmë edhe se si këndon. ”

Ai gjithmonë mund të bashkohet me të përtashmin Lars Von Trier – i vetmi regjisor danez me nam, me të cilin Mikkelsen ende nuk ka punuar. “Jemi takuar shumë herë, por nuk një mundësi e tillë nuk ka lindur asnjëherë,” thotë Mikkelsen. “Kam bindjen se do të ishte i ndërlikuar për të punuar me të. Unë këmbëngul të jem pjesë e botës në të cilën po punojmë, dhe jo të jem kukull. Ndërsa, kam një ndjenjë që Lars e pëlqen një tjetër aspekt. ” Scherfig parashikon që ylli i aktorit do të vazhdojë të rritet. “Shpresoj se ai mund të kalojë tani në një nivel ku jo vetëm vendos për projekte të vogla, por do të jetë aq i llastuar me mundësitë e përzgjedhjes. Publiku e do Madsin! Marrëzisht ! Dhe me të drejtë. Se ky nuk i zhgënjeu, asnjëherë”.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *