Editorial

Paradokset në kokën e analistit të regjimit

Editorial nga Elvis Hoxha

Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, kur individi di atë që nuk i duhet, nuk di më atë që do dhe nuk e do atë që di.  

Lista e gabimeve të qëllimshme të analistëve është e shumtë, por po zgjedh vetëm pak momente për shqyrtimin e gjendjes pas zgjedhjeve vendore në Kosovë. 

  1. Një analist i korruptuar prej regjimit të korruptuar në Kosovë brenda tri minutave është i aftë të prodhojë kundërthënien më të madhe. Në fillimit të ligjërimit të tij ai thotë se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk fiton bindshëm në zgjedhjet vendore, atëherë pozicioni i Albin Kurtit në dialogun me Serbinë është më i dobët. Pas vetëm 3 minutash ai thotë se do të ishte mirë që Lëvizja Vetëvendosje të mos fitojë në zgjedhjet vendore sepse merr shumë pushtet. Pra, ai deklaron se është mirë që pozicioni i Albin Kurtit në dialogun me Serbinë duhet të dobësohet.  

Analiza ka për funksion të shkojë në detaje të gjendjes që të shmangë kundërthëniet. Por te analistët e regjimit nuk funksionon vetë analiza. Brenda mendimit të tyre funksionon një dëshirë e një interes. Natyrisht që ai zgjedh interesin. Kundërthënia ndodh kur në vend të raportit mendim-dëshirë, vjen raporti interes-dëshirë.  

Po mendoj për një çast se ai dëshiron vërtet që Albin Kurti të ketë pozicion të fuqishëm në dialogun me Serbinë, por është në interesin e tij dobësimi i Albin Kurtit, sepse po ky analist ka mbrojtur marrëveshje që kanë sjellë në politikë Listën Serbe dhe Zajednicën.  

  1. Ky analist është pra i kushtëzuar prej së shkuarës së vet. Por po ky i thotë shoqërisë në Kosovë, natyrisht përmes medieve të pushtetit, se nuk duhet parë nga e shkuara por nga e ardhmja. Kosova duhet t’i harrojë, viktimat, por jo ky shefat e tij dhe interesat. Thënë ndryshe: kur ai mendon analitikisht, pra kur arsyeton ai e di të vërtetën: Albin Kurti është pozicioni ynë i fortë ndaj Serbisë. Kur ai mendon si vullnet, pra sintetikisht, ai mendon për interes dobësimin e Kosovës.  

Prej shumë vitesh po e ndjek ligjërimin e analistëve dhe medieve të pushtetit në Prishtinë e Tiranë. E kuptoj se shtetimin tonë e ka vrarë kontradikta mes idesë se si duhet të bëhen mirë punët e kombit dhe mercenariatit që mban në pushtet mafiozët e pushtetit që e tregtojnë aftësinë kombëtare. Ne jemi ajo shoqëri që mund të ndryshojë dhjetë trajnerë të huaj e profesionistë në kombëtare, por që mban për dy dekada në krye të federatës mafiozin e lagjes. 

  1. Paradoksi tjetër në të njëjtin ligjërim të analistit. Në të njëjtin ligjërim, përsëri çështje minutash, ai na përsërit atë argument debil që e dëgjoj gjithnjë: zgjedhjet komunale kanë të rëndësishëm individin dhe interesin e qytetarit. Është verbëri të mendosh dhe pranosh se komuna është vendi i individualizmit. Komuna quhet e përbashkëta. Kundërthënia mund të përmblidhet thjesht: nga njëra anë, zgejdhjet vendore, siç na thotë analisti, janë të lidhura me pozicionin shtetëror të Kurtit në dialog, ndërsa, nga ana tjetër, ato nuk kanë lidhje me Republikën, por vetëm me Komunën. Përsëri kundërthënia gjendet brenda mendimit të pak minutave. Imagjinoni numrin e gabimeve të analistit po të fliste më gjatë!  
  1. Ky gabim i individualizmit dhe zhveshjes së rolit republikan e qendror të zgjedhjeve vendore projektohet më pas në mendimin e disa aktivistëve të Vetëvendosjes dhe votuesve të saj. Kur mendojnë Agim Bahtirin, ata e mendojnë Bahtirin në vetvete, dhe jo Bahtirin që punon nën drejtimin e Albin Kurtit. Kur flasin për Bedri Hamzën, e mendojnë Bedri Hamzën vetëm, harrojnë se pas tij është Thaçi, Veseli, me Pronto e PAN. Madje, sipas rastit, për një individ mund të thonë se konkretisht është i korruptuar, siç mund të zbardhin figurën e dikujt tjetër duke thënë se po të mos ishte nën drejtimin e një udhëheqësi të keq do të ishte burrë i mirë. Pra, për Hamzën harruan Memli Krasniqin, ndërsa për Bahtirin harruan Albin Kurtin. Sepse, votuesi i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkesa morale ndaj kandidatëve të vet, dhe kjo është shumë e mirë dhe e shëndetshme, por nuk e kanë këtë gjykim edhe mbi kandidatin e palës tjetër.  
  1. Le të themi pra se dy gabimet e mëdha të këtyre zgjedhjeve janë: a. gjykimi i individit duke e ndarë nga partia, b. zhveshja e zgjedhjeve vendore prej karakterit kombëtar. Kjo është një padije e thellë. Dihet se Serbia po të sulmon me komuna, ndërsa ne e dobësojmë dhe e ndajmë komunën nga pushteti qendror. Dihet se Beogradi i drejton nëpërmjet LS-së komunat, ndërsa ne kërkojmë ta ndajmë nga pushteti qendror dhe interesi kombëtar elektoratin vendor.  
  1. Le të dëgjojmë një tjetër analist të regjimit. Ai shprehet se Albin Kurti e kishte përkrahjen e serbëve të Kosovës, por e humbi me ngjarjen e tabelave të regjistrimit dhe me dërgimin e njësive speciale kundër krimit të organizuar. Ky analist kërkon të fusë në kokat e njerëzve idenë se duhet mbajtur mirë me pjesën mafjoze dhe me LS-në serbe. Se nuk duhet të preket krimi i organizuar në veri të Mitrovicës. Përkundrazi, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje e di mirë se qytetarë të Kosovës do të jenë serbët që duan të jetojnë ndershëm dhe që e njohin Republikën e Kosovës. Por këta nuk janë as LS-ja e as krimi i organizuar. Duke dobësuar krimin e organizuar, çlirohet qytetari serb i ndershëm i Kosovës. A e di analisit këtë gjë. Po! Ai e di fare mirë, por nuk mund të pranojë faktin se regjimet që e kanë përdorur si mercenari nuk e patën në plan as ta cënojnë e as ta kërcënojnë krimin në veri të Mitrovicës.  
  1. Analistët e regjimit dhe votuesit pa mendim shprehin dëshira dhe vullnete jashtë rrethanës historike. Dhe rrethana historike është konkluzë normale e gjykimit individualist të zgjedhjeve vendore. Por le të flasim tani për votuesin e kthyer në analist. Nëse para votuesit ishin dy figura në Mitrovicë, këto dy figura nuk kanë rënë aty rastësisht. Votimi i komunës i ka mirëmbajtur, krimi dhe frika i ka kthyer në kusht të politikës. Sepse votuesi gjithnjë e ka ndarë interesin e republikës nga qëllimi i komunës. Gjendja shtetërore ka qenë për një kohë të gjatë ajo që përcaktuan PRONTO dhe PAN. Kështu që nuk duhet të bëjmë sikur me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje ndryshoi kushti sociologjik i politikës. Kur Albin Kurti vjen në pushtet, i gjen këto figura si të vetmet që i propozon rrethana. Dhe votuesi i Vetvëvendosjes, në vend që të thotë se duhet të fitojë Lëvizja që të ndryshojë gjendja, për gjendjen akuzon Lëvizjen. Mendimi që priret të jetë analitik, nis e zhvesh gjykimin nga historiciteti. E mbron Bedri Hamzën duke ia hequr nga supet të shkuarën, dhe e dëmton Agim Bahtirin me gjykim mbi të shkuarën.  
  1. Le të marrim në shqyrtim sado pak edhe rastin e Prishtinës. Të shumtë janë njerëzit që menduan se Lëvizja fiton lehtë. Të shumtë janë ata që menduan viktimat e Covidit, por asnjëherë faktin se Kosova është absolutisht i vetmi vend në rajon që ka përdorur nën drejtimin e ministrit Vitia vaksinat që ka pranuar BE-ja. Kështu që mund t’ia japim lehtë votën Përparimit të LDK-së dhe Uranit të PDK-së. Një lloj mazokizmi përmbahet brenda kësaj sjelljeje që veçon kritikën nga lëndatat. Sepse, dhe me këtë po e mbyll, analiza pa krye është një pasiguri vullneti. Analiza pa krye është pa fund e pa qëllim. Kushti politik dhe gjendja sociologjike e pësojnë rëndë nga të tilla sjellje të votës.  

Ndaj bëni kujdes në raundin e dytë! 

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *