Bota

Rreziku i varianteve të reja të COVID-19 është real

Në vend që t’i përkthejnë sukseset e tyre për vaksinimin kundër COVID-19 në një shtysë të ripërtërirë globale për t’i dhënë fund pandemisë, vendet e pasura po tregojnë vetëkënaqësi ndërsa pjesa tjetër e botës bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar. Por shfaqja e varianteve të reja të rrezikshme të COVID-19 na kërcënon të gjithë.

Kanë kaluar tashmë 18 muaj që kur virusi SARS-CoV-2 u zbulua për herë të parë në Kinë. Brenda një muaji, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte lëshuar alarmin e saj më të lartë të mundshëm global, duke e shpallur shpërthimin e COVID-19 një Emergjencë Ndërkombëtare. Javë më vonë, OBSH-ja shpalli pandeminë. Megjithatë, kriza nuk është aspak afër fundit. Përkundrazi, kemi hyrë në një fazë të re të rrezikshme në evolucionin e saj.

Ndërsa vendet e pasura dhe me më shumë të vaksinuar tregojnë një nivel të lartë vetëkënaqësie, një re dëshpërimi ka zbritur në vendet me të ardhura më të ulëta që nuk kanë mjetet e duhura për të luftuar variante të reja të virusit. Dhe, pasi raportoi ulje të numrit të infektimeve të reja për shtatë javë rresht, OBSH-ja tani po regjistron një rritje të rasteve të konfirmuara praktikisht kudo. Në azhurnimin e saj javor epidemiologjik më 6 korrik, për shembull, ajo zbuloi se kishte pasur një rritje prej 30% të incidencës së COVID-19 në Evropë, edhe pse Bashkimi Evropian kishte shpërndarë mjaftueshëm doza vaksine për të imunizuar 70% të të gjithë të rriturve.

Arsyeja për këtë rritje shifrash dihet mirë. Varianti Delta, i identifikuar tashmë në 111 vende, është dukshëm më ngjitës sesa llojet e mëparshëm të SARS-CoV-2 dhe po përhapet shumë shpejt. Shtimi i varianteve të reja shërben si një kujtesë se kemi të bëjmë me një organizëm të gjallë që mund dhe do të zhvillohet në përgjigje të masave (dhe gjysmë-masave) që ne vendosim për ta luftuar atë.

Ndërsa variantet Alfa dhe Beta ishin disi më pak problematik, varianti Delta është treguar i pamëshirshëm dhe të gjithë pyesin veten se çfarë do të sjellin mutacionet e ardhshme. E vetmja gjë e sigurt është se me përhapjen e virusit në të gjithë botën, variante të reja janë të pashmangshme.

Lexo më shumë  Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”

Me shtimin e numrit të personave që marrin vaksina në Evropë dhe Amerikën e Veriut, izolimet, mbajtja e detyruar e maskave dhe masat e tjera po lehtësohen dhe kjo çon në rezultate tepër të parashikueshme. Kryeministrit holandez Mark Rutte së fundmi iu desh të kërkonte ndjesë për rritjen e numrit të infektimeve në vendin e tij dhe ai ka gjasa të mos jetë lideri i fundit që e gjen veten në atë pozitë.

Më keq, vendet e pasura ngurrojnë të ndërhyjnë dhe të ndihmojnë. Pas takimeve të shumta të G7 dhe G20, komuniteti ndërkombëtar ende nuk e ka mbyllur hendekun e financimit prej 16 miliardë dollarësh për ACT-A, mekanizmin ndërkombëtar koordinues për qasje të barabartë në vaksina. Kjo shumë është e vogël në krahasim me triliona dollarë që janë shpenzuar për të mbështetur ekonomitë kombëtare.

Ndërsa vendet e pasura shfaqin vetëkënaqësi, shumë të tjerë po dëshpërohen për shkak të mungesës së vaksinave, aparateve të frymëmarrjes, oksigjenit dhe testeve. Me shtimin e shifrave me variantin Delta, ata po veprojnë duke hamendësuar. Më 6 korrik, OBSH-ja paralajmëroi se ka më shumë se 20 vende “me rritje eksponenciale të rasteve… në të gjitha rajonet e botës”. Dhe për shkak se shumë prej këtyre vendeve kanë shkallë të ulët vaksinimi, sigurisht që kjo do të pasohet me një numër të lart vdekjesh.

Gati një e katërta e popullsisë globale është vaksinuar. Kjo mund të duket mbresëlënëse, por shpërndarja ka qenë e keqe dhe e pamoralshme në drejtim të vendeve më të pasura. Për më tepër, OBSH vlerëson se 70% e botës do të duhet të vaksinohen për t’i dhënë fund pandemisë. Kjo do të thotë se kemi ende një rrugë të gjatë përpara.

Po, prodhimi i vaksinave po rritet me shpejtësi dhe drejtuesit e industrisë farmaceutike po flasin për prodhimin e 11 miliardë dozave (shifra e nevojshme për imunizimin e 70% të globit) këtë vit. Por kjo sasi do të vinte mbi 3-4 miliardë doza vjetore vaksinash që i duhen botës për të luftuar sëmundjet e tjera. Dhe të mos harrojmë që  prodhimi i vaksinave COVID-19 është një proces i komplikuar. Vaksina Pfizer/BioNTech kërkon 280 input-e nga furnitorë në 19 vende. Shtimi i prodhimit të kësaj vaksine ka kërkuar 200 marrëveshje të reja transferimi teknologjie.

Lexo më shumë  Pak para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Ndërsa në OBSH dhe Organizatën Botërore të Tregtisë po zhvillohen përpjekje të reja për të lehtësuar sa më shumë marrëveshje të tilla, kufizimet tregtare dhe nacionalizmi i vaksinave mbeten një problem serioz. OBT-ja kohët e fundit vuri në dukje se ndërsa numri i kufizimeve tregtare që prekin vaksinat ka rënë nga 109 që ishte në fillim të pandemisë, ka ende 53 dispozita që ngadalësojnë rritjen e shpresuar të prodhimit.

Ndërkohë, nevojitet urgjentisht më shumë oksigjen për të shmangur përsëritjen e tragjedisë që kemi parë në Indi. Institucione dhe OJQ shumëpalëshe kanë ndërmjetësuar marrëveshje të rëndësishme me furnizuesit kryesorë globalë, por duhet bërë më shumë për të ndjekur nevojën në rritje në të gjithë Afrikën dhe në pjesë të Azisë.

Testimet dhe furnizimet janë gjithashtu shumë të rëndësishme, si për menaxhimin e shpërthimeve të infektimeve ashtu edhe për zbulimin dhe kuptimin e shpejtë të varianteve të reja. Përveç katër “varianteve aktuale”, OBSH po monitoron edhe katër “variante interesi” të tjera, një prej të cilëve – varianti Lambda – tani është gjetur në 29 vende.

Problemi i variantit dëshmon për natyrën globale të kësaj krize. Megjithëse virusi u identifikua për herë të parë në Kinë, katër variantet e shqetësimit u identifikuan shumë larg Kinës, në Afrikën e Jugut, Brazil, Mbretërinë e Bashkuar dhe Indi. Lambda u zbulua fillimisht në Peru. Meqenëse varianti tjetër mund të vijë ngado, nuk është momenti i duhur për të lehtësuar përgjigjen tonë ndaj pandemisë. Nëse do të shmangim valët e njëpasnjëshme të varianteve të reja, duhet të dyfishojmë përpjekjet globale të vaksinimit.

Kjo është një provë lidershipi global. Të gjitha qeveritë duhet ta marrin seriozisht idenë që askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt. Sukseset kombëtare në mposhtjen e pandemisë mund të bien lehtësisht nga dështimet kombëtare për ta luftuar atë diku tjetër. Le të mos e nxjerrim këtë mësim duke vuajtur pasoja të rënda.

Marrë nga reporter.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *