KryesoreLajme

Takimi në Bruksel/ Kurti: Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid

Sot është mbajtur takimi i dytë mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i mbajtur në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka qënë mjaft i rëndësishëm, pasi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur mbi gjenocidet që shteti serb ka kryer mbi shqiptarët, ka propotuar një deklaratë paqeje dhe mos-sulmimi të ndërsjelltë, si dhe ka raportuar shkeljet që shteti serb bën për të mos lejuar tregtinë e lirë e koncurencën e ndershme. Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të Kurtit, të postuar në facebook:

Në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, të balancuar dhe në gjuhën angleze, e cila flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, ofruam edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin. U refuzuan të dyja këto.

Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

Është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim. Shkaku ishte që delegacioni serb nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën”.

Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht.

Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Rruga Press

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *